“Murgu Hokaj”, një rrëfim për pendesën

4 Qershor 2026, 17:41Kulturë TEMA

NGA AGIM BAÇI

Çfarë mund të mbesë njerëzore në një shoqëri që jo vetëm nuk ndjen keqardhje e pendesë për krimet, por kërkon edhe të harrojë atë që ka bërë, që kërkon ta fusë në skutat e mosqenies vrasjen e tjetrit vetëm e vetëm se tjetri “nuk ishte si ai”?

Dhe si mundet të besosh në rastësinë e së keqes kur motori për të mbajtur në gjallë mospranimin e krimit është, mbi të gjitha, pikërisht vendi ku duhej të ishte hapur vetëm për pendesën-Kisha? Por, a mundet që një shpirt njerëzor nga kjo pjesë e mohimit të krimit, nga ajo pjesë që ka mbrojtur me fanatizëm një mit të shfarosjes nga fqinjët boshnjakë apo shqiptarë, të gjejë rrugën e të thotë të vërtetat?

Një përgjigje të këtyre pyetjeve na i sjell shkrimtari Vuk Drashkoviç, në rrëfimin “Murgu Hokaj”. Dikur ish gazetar, politikan, ish-kryediplomat i Serbisë pas kohës së Millosheviçit, Drashkoviç rindërton krimin dhe mohimin, duke kërkuar t’i rrëfejë botës atë çka nuk u pranua e nuk pranohet kurrë nga shteti, intelektualët dhe institucionet shpirtërore serbe. Rrëfimi mbështetet mbi mikroskopin shpirtëror të Simonit, historianit që i mbyllen rrugët drejt pasionit dhe i ofrohet gjuetia si snajperist në 40 muajt e rrethimit të Sarajevës.

Ky mikroskop shpirtëror shënjon me forcë vetëm një ngjarje nga ku merr rrokullimën më pas i gjithë skaneri për shoqërinë serbe së cilës i përket – për të arritur të shpëtojë shpirtin e tij të vrarë po nga dora e tij, në momentin që ka qëlluar gruan e vetme që donte, arkeologen boshnjake Amra Fejzoviq, dhe djalin e tyre, Jugosllavin, ai duhet të pohojë me zë të lartë krimin. Madje në Hagë. Por përballë ka një mur kundërshtie të fortë, një mur mbi të cilën ai shënjon akuzat e tij ndaj kujtdo që ka fshehur e fsheh ende krimin e ndodhur në Sarajevë a Prishtinë.

“-…Çfarë po flisni kështu peshkop? Kamerat e mbarë botës kanë xhiruar granatimet e Sarajevës. -Kamerat nuk kanë xhiruar kur ustashët dhe balitë shkepnin raketa mbi qyteatin nga pozicionet e tyre të fshehta.. medoemos duhet të gënjejmë, kjo është mbrojtja jonë e vetme..

– Vetëm më thoni se as unë s’kam qenë unë, por snajperisti ustash apo bali Hokaj..
– Qetësohu, mos u hidh në zjarr. S’do mend, Hokaj ishte snajperist serb, por snajperistët serbë vranë vetëm ushtarë e komandantë të armikut… Nuk kanë asnjë provë që nuk është kështu.

“Murgu Hokaj”, një rrëfim për pendesën

Me dorëzimin dhe pranimin tënd, do të na e shkatërroje mbrojtjen tonë, të vetmen që kemi.
– Do të shkatërroja veten. Do t’i shkatërroja këto copëza të së vërtetës dhe njerëzimit, nëse ende kanë mbetur brenda meje, në rrënojat e një ish burri… E di ti, peshkop, që kam ekzekutuar edhe djalin tim?! – Djalin tënd? Ti Hokaj nuk ke djalë- tha peshkopi.

– Nuk e kam tani, por e kam pasur, duke mos e ditur.. Kam vrarë Amra Fejzoviqin dhe fëmijën e saj mashkull, gjashtëvjeçar, pranë çezmës së Sebiles në Bashçarshi… ( “Murgu Hokaj”, Vuk Drashkoviç, f.59, Koliqi, 2024, Prishtinë) Rrëfimi i Drashkoviçit është i drejtpërdrejtë, si një rrëfim kronikani lufte, ku gjithçka ka marrë rrokullimën e njerëzores, duke kërkuar justifikim, gënjeshtër e mohim. Personazhit Simon, i konvertuar nën kujdesin e peshkopit si “Murgu Hokaj”, i bëhet një varrim i rremë në Jelenovë, ashtu siç edhe i është bërë varrimi i rremë asaj që ndodhi në Sarajevë a Prishtinë. Madje dhe firma e ndërtimit të rrëfimit mban shënimin “Jelenovë”, duke e kthyer rrëfimin në një ceremoni zhvarrimi shpirtëror nga autori të asaj që shoqëria dhe kisha serbe kërkoi ta varroste bashkë me gënjeshtrën e saj. E nëse, në thelb, personazhet romaneske duhet të jenë portrete njerëzish të veprimit të tyre të sotëm apo të së shkuarës, atëherë Simon Ollujiq, personazhi kryesor i romanit “Murgu Hokaj” i Vuk Drashkoviçit e bart këtë mision. Madje ky personazh e bart të djeshmen dhe të sotmen e vet duke u përballuar me një shoqëri që nuk do të pranojë të vërtetën, që do ta shohë vetën në pasqyre jo me shenjat që lënë krimet mbi fytyrën e vrasësit, por me një bukuri të sajuar përballë botës. Vetë autori, kontroversi Vuk Drashkoviç, i njohur jo vetëm si gazetar por edhe si ultranacionalist, duket se e ka zhvarrosur përmes këtij rrëfimi atë qëndrim publik të tijin kur dikur i kërkonte me letër publike Ismail Kadaresë (1987) që të dënonte “irredentizmin kosovar” dhe “krimet historike” që, sipas tij u ishin bërë serbëve nga shqiptarët atje.

E megjithatë, si një leksion mbi pendesën njerëzore, Drashkoviç ka mundur të sjellë jo thjesht një rrëfim artistik, por një rrëfim të nevojës së fortë njerëzore për reflektim përballë këmbënguljes së çmendur për të mohuar të shkuarën që vijon të jetë ende mbi qiellin e shqiptarëve të Kosovës, boshnjakëve apo edhe kroatëve. Duke parë ndryshe të shkuarën e tij, Drashkoviç ka fshikulluar elitën fetare dhe kulturore të bashkëqytetarëve të tij, të cilët enden ende mes mitit se ajo çfarë kanë bërë ka qenë thjesht një vetëmbrojtje ndaj dëshirës së fqinjëve për t’i shkatërruar. “Aktgjykimin e shqiptuar ndaj vetes do ta bëj përpara oborrit të peshkopit që mbante jakë gjipsi rreth qafës e që foli me lëvizje në varrimin tim.

Në zarfin e dërguar në adresë të peshkopit, do të jetë edhe certifikata e pagëzimit të Simon Ollujiqit… Do të kthehem në Jelenovë” (“Murgu Hokaj”, faqe 156) Më shumë se sa një befasi artistike, i gjithë romani i Drashkoviçit të mposht në leximin e fuqisë së pendesës dhe thirrjes njerëzore për të pohuar fabrikimet e gënjeshtrave ndaj tjetrit dhe të vërtetën e krimeve, pavarësisht murit të fortë të mohimit të atyre që janë gjaku yt, bashkëqytetarët e gjuhës tënde.

Në Serbi ky roman vijon të injorohet, duke na treguar rrugën e vështirë që ka e vërteta. Një leksion edhe për pafuqinë e pranimit e të vërtetave tona nën diktaturën çnjerëzore…

Lini një Përgjigje