Shkodra homazh ndaj Ibrahim Tukiçit në 100-vjetorin e lindjes, vendoset një pllakë përkujtimore te shtëpia e tij!

4 Qershor 2026, 18:07Kulturë TEMA
Shkodra homazh ndaj Ibrahim Tukiçit në 100-vjetorin e lindjes,

Në 100-vjetorin e lindjes së tenorit të njohur Ibrahim Tukiçi, në shtëpinë ku ai lindi në lagjen Rus të Shkodrës u përurua një pllakë përkujtimore në nder të figurës së tij. Djali i artistit, David Tukiçi, u shpreh se ky është një moment i veçantë për familjen dhe për kujtesën e qytetit, ndërsa Genc Tukiçi kujtoi këshillat e të atit dhe trashëgiminë e çmuar që ai la pas në artin shqiptar.

“Është një ditë shumë e bukur për familjen tonë që babai ynë pas 100 vitesh që ka lindur në këtë shtëpi dhe ka bërë jetën e tij të parë”, u shpreh David Tukiçi, i biri i tenorit.

“Ka qenë me shpirt shumë të madh dhe e kanë njohur Ibrahimin si tenori dhe si njeri”, tha djali tjetër i tenorit, Genc Tukiçi.

Zëvendëskryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, vlerësoi kontributin e Artistit të Popullit në kulturën shqiptare, ndërsa kompozitori Zef Çoba shprehu dëshirën që nisma të tilla të vazhdojnë edhe për artistë të tjerë të shquar shkodranë.

“Shpreh të gjithë mirënjohjen për të organizuar këtë ditë dhe në praninë e familjarëve të cilët do të vazhdojnë të mbajnë hapur këtë derë”, tha Qyteza.

“Ky qytet ka nxjerrë kaq shumë emra të nderuar”, tha kompozitori Çoba.

Ibrahim Tukiçi mbetet një nga figurat më të rëndësishme të muzikës shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur si tenor dhe interpretues i këngës qytetare shkodrane. A.K./TemA

Lini një Përgjigje