Pas suksesit të LaCivitës për t’i nxjerrë Doktorit një vizë mjekësore, gjë që e premtoi ta bënte para fushatës së vitit të kaluar, Mulit i është hapur një punë e madhe.
Formalisht Doktori do shkojë në SHBA për vizitë mjekësore, realisht do shkojë të bëjë takime me demokratët, të cilët do festojnë rikthimin e tij në SHBA me vizë.
Për këtë duhen dy protokolle. Një nga familja që duhet ta marrë me vete për shoqëri dhe delegacioni nga PD.
– Jam në hall – i tha Lelos. – Se Zeni, Gita dhe Lili nuk kanë vizë se janë non grata. Por këta të ambasadës i kanë thënë: ke të drejtë të marrësh dikë me vete të kujdeset. Aty vetëm Karmina nuk është non grata dhe Jamarbëri. Kë të propozojmë?
– Unë mendoj të propozojmë Teta Lilin – tha Lelo, – pasi kështu mund të bëhen dy non grata me viza. Duhet të këmbëngulim ose Teta Lili, ose Gita, ose Zeni. Se ndryshe bie gjithë entuziazmi.
Por më e besueshme është Teta Lili.
– Ke të drejtë – tha Muli. – Nuk më shkoi në mendje kjo.
– Po nga PD kush duhet të shkojë?
– Aty merre vetë situatën në dorë – i tha Lelo. – Mendoj që duhet të shkosh ti me Albanën, se bën vaki çojnë Xhordin. Shpallet menjëherë pasardhësja e Doktorit se thonë: ja kanë kërkuar amerikanët. Madje edhe për t’ia marrë Doktorin në telefon, morën në fillim Xhordin dhe ajo i lidhi. Prandaj kujdes me atë.
– Ke të drejtë – tha Muli. – Por do ta testoj njëherë Doktorin, se mos i ka duart e lidhura dhe më thotë “atë dua”. Unë e përballoj, por Albana mund të helmojë veten po e dëgjoi.
– Po prandaj të them të bësh kujdes – tha Lelo, – se tani kanë shumë rëndësi këto gjëra. Se demokratët besojnë që Doktori, përveçse ka paguar dhe hallall lekët, ka bërë dhe pazar për pasardhësin. Dhe ata s’i zënë më besë që nga koha e Lulit.
Lini një Përgjigje