Rusia ka mbi 700,000 ushtarë të vendosur në zonën e luftës në Ukrainë, tha të premten presidenti rus Vladimir Putin, në një takim me ushtrinë në Kremlin, me rastin e festës kombëtare të 12 qershorit.
I shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes Andrei Belousov, Putin foli me besim për fitoren në “operacionin special ushtarak” që urdhëroi kundër vendit fqinj në shkurt 2022, një konflikt që u përshkallëzua shpejt në luftën më të keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Hap pas hapi, jo aq shpejt sa do të donim, por megjithatë po ecim përpara. Po ecim përpara çdo ditë “, tha Putin.
Që në dhjetor, gjatë konferencës së tij vjetore për shtyp dhe seancës publike me pyetje dhe përgjigje, udhëheqësi i Kremlinit foli për rreth 700,000 ushtarë në Ukrainë. Në atë kohë, ai specifikoi se ata ishin kryesisht të rinj, përfshirë ata të lindur në vitet 1990.
Ushtarët folën gjatë rreth problemeve të shkaktuara nga dronët e përdorur nga ushtria ukrainase, e cila përdor edhe rrjetin e komunikimit satelitor Starlink për këtë qëllim. Rusia humbi aksesin në këtë rrjet në fillim të këtij viti.
Putin pranoi se Ukraina kishte rritur përdorimin e dronëve për të përçarë shoqërinë ruse dhe për të shkaktuar dëme ekonomike, por këmbënguli se strategjia e Kievit nuk kishte qenë e suksesshme.
Presidenti rus tha se Rusia aktualisht po zhvillon dronë të pajisur me inteligjencë artificiale dhe po punon në rrjetin e vet të satelitëve në orbitë të ulët.
“Teknikisht, problemi është zgjidhur dhe është vetëm çështje zgjerimi”, tha Putin.
Për muaj të tërë, ushtria ukrainase ka shtuar sulmet me dronë ndaj infrastrukturës ruse të naftës, në një përpjekje për të ulur të ardhurat nga eksporti, për të kufizuar burimet për përpjekjet e luftës dhe për të gërryer mbështetjen popullore për konfliktin.
Në këtë kontekst, autoritetet ruse të pushtimit në Krime kohët e fundit kufizuan shpërndarjen e benzinës, dhe eksportet e vajgurit nga Rusia u ndaluan, në një fazë të parë, deri në fund të nëntorit.
Lini një Përgjigje