Në librin Prapësimi digjital (The Digital Reversal – Thread Saga of Media Evolution), mediologu Andrey Mir ndalet, mes të tjerash, te tranzicioni sipas tij disa-shekullor i fokusimit të mediave, nga përmbajtja te përdoruesit. Ndryshe nga mediat në të shkuarën, vëren ai, që shënjestronin identitetet e grupeve, mediat sociale mund t’i personalizojnë furnizimet e lajmeve (newsfeed) dhe reklamat në rrafshin individual, por, që ta bëjnë këtë, duhet ta njohin identitetin e çdo përdoruesi.
Në mediat sociale, shkruan Mir, publiku pasiv i epokës së literalitetit u prapësua në pjesëmarrës që i shprehin mendimet dhe emocionet e tyre si në komunikimin oral. Algoritmet i gjurmojnë preferencat e gjithkujt përmes shënjuesve të panumërt të identitetit dhe krejt mediat të reja janë dizajnuar në mënyrë që të shpërblejnë sinjalizimin e identitetit.
Literaliteti, vëren Mir, është racional, ndërsa oraliteti është relacional. Dhe oraliteti digjital është mega-relacional, sepse biznesi i mediave sociale varet kritikalisht nga angazhimi i përdoruesve – ose nga mënyra aktive si njerëzit lidhen mes tyre dhe reagojnë ndaj njëri-tjetrit. Një studiues i mediave, Rushkoff, ka shkruar me këtë rast se “Përmbajtja (content) bëhet më pak e rëndësishme se kontakti.”
Pesë miliard përdorues, shton Mir, e gjejnë veten në një mjedis mediatik që inkurajon vetë-shprehjen, shpesh në mënyrë krejt pa kuptim, përmes likes-ve ose edhe thjesht duke klikuar mbi linket. Ky mjedis i ka kushtëzuar njerëzit të besojnë se sinjalizimi i identitetit ka rëndësi.
Platformat digjitale përfitojnë nga profilizimi identitar i përdoruesve, por edhe përdoruesit vetë përfitojnë. Duke sinjalizuar identitetin, ata jo vetëm marrin informacione të personalizuara, por edhe socializohen brenda fiseve (tribes) të tyre digjitale të preferuara me lehtësi të pabesueshme – thjesht duke klikuar.
Mediat, thotë Mir, janë hardueri i shoqërisë, i cili tani ka evoluar nga funksioni i shprehjes së ideve te qendërzimi në identitetet. Softueri – që është kultura jonë – ka ecur edhe ai në këtë shteg. Politikat e identitetit pasqyrojnë zhvillimin e mediave, duke pasqyruar pasojat e tyre kulturore.
Shënjestrimi i masave nga shtypi pat nxitur votimin universal. Shënjestrimi televiziv i publikut çoi në teoritë sociale të identitetit. Mediat digjitale e plotësuan prapësimin e identitetit të publikut në vlerën e tyre. Njohja sociale u përmbys nga ajo çfarë një person bën, në atë çfarë një person është.
Në rrugë e sipër, fokusi i mediave digjitale në sinjalizimin e identitetit e prapësoi mendjen literale në një gjendje tipike për shoqëritë fisnore, të bazuara në traditën orale. Sikur Aristoteli të kish pasur Twitter, do të kish thënë se e vërteta vlen, por edhe më i vlefshëm është Platoni.
Megjithatë, vëren Mir, ka një dallim domethënës mes tribalizmit oral dhe tribalizmit digjital. Në kulturat orale, identiteti shërbente edhe si parashikues, edhe si parashkrues (prescriber). Përkufizimi ose dhënia dikujt një identitet përcaktonte rolet dhe detyrat fisnore përkatëse – sjelljen e parashkruar nga identiteti.
Përkundrazi, në mjedisin e sotëm të mediave sociale, identiteti është sjellje. Çdo veprim në mediat sociale është edhe sinjalizim i identitetit që shërben si kërkesë për afirmim. Sinjalizimi i identitetit ësht punë digjitale (digital labor) që shndërrohet në përfitimet prej socializimit brenda fiseve digjitale përkatëse.
Për shkak të mediave sociale, nevoja për të sinjalizuar identitetin e ka përshkallëzuar dhe prapësuar identitetin në kredenciale. Edhe në linjë edhe jashtë linje, shumë njerëz rendin që t’i deklarojnë identitetet e tyre brenda kategorive shoqërisht të favorizuara, si vleftësim (validation) të titullimit të tyre ose të virtytit moral.
Kjo mundësi e re, për miliarda njerëz, që t’i shprehin kërkesat e tyre për afirmim po u jep formë të re politikës, kulturës dhe etikës. Duke e ndarë të njohurën nga njohësi, literaliteti aftësoi objektivitetin dhe vleftësoi të vërtetën. Oraliteti digjital mega-relacional e prapëson të vërtetën në drejtësi.
Për shkak të trysnisë së vet për njëtrajtësi, literaliteti i shtypshkruar u jepte vlerë standardeve/normativitetit dhe i mbante minoritetet të margjinalizuara. Me fokusin e vet tek identiteti, oralitetit digjital i duhet ta hedhë poshtë normativitetin dhe të margjinalizojë shumicën.
Ka dalë kështu një premisë e re etike: që dikujt “i duhet dëgjuar zëri”. Teksa kjo u shndërrua në një kërkesë ekzistenciale, nevoja “për t’u dëgjuar” u prapësua nga njohja empatike në kërkesë politike.
Më parë ishte e pamundur të ngulje këmbë se dikush “duhet lexuar” thjesht ngaqë ekziston. Këtë privilegj thjesht nuk e pranonte kush. Që të futej në kategorinë e “duhet lexuar”, një personi i duhej që më parë të shkruante diçka dhe pastaj të shkruante diçka me vlerë.
Meritat e bazuara në substancën trupëzoheshin by default në përzgjedhjen sociale brenda literalitetit – përpjekja e madhe që duhej për të shkruar dhe caku i lartë i vendosur nga institucionet botuese i filtronin ato që shoqëria do të tregonte në vitrinë.
Emancipimi i autorësisë i ka hequr ato përkufizime, thotë Mir. Mediat elektronike dhe më pas ato digjitale kanë imponuar një imperativ të ri: janë “zërat” që duhen përfaqësuar, jo idetë. Një ide është e drejtë, nëse thuhet nga personi i duhur. E njëjta ide mund të rezultojë e gabuar, nëse shprehet nga personi i gabuar.
Në oralitet, nuk ekziston “dy plus dy bëjnë katër.” Në literalitet “dy plus dy bëjnë katër” qëndron pavarësisht nga rrethanat. Në oralitetin digjital, “dy plus dy bëjnë katër vihet në dyshim, po ta ketë thënë Hitleri. Në disa forma radikale të oralitetit digjital, “dy plus dy bëjnë katër” është Hitleri.
Kthimi tek ajo gjendje, ku mediat sunduese – si shkrimi ose shtypshkrimi – fokusoheshin në idetë dhe i shpërfillnin identitetet, parashikon Mir, nuk mund të ndodhë më.
I ushqyer nga mediat, fokusi ndaj identitetit është tani mes nesh; askush nuk mund ta prapësojë më prapësimin që ka ndodhur dhe ta kthejë shoqërinë në cilësimet e parazgjedhura të fabrikës, me gjasë më të shëndetshme, të literalitetit; sepse fokusi tek identiteti është cilësimi i fabrikës i medias së tanishme, si harduer i shoqërisë.
(c) për përkthimin 2026 Ardian Vehbiu. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Materiali më lart është përkthyer/përshtatur prej meje nga The Digital Reversal – Thread Saga of Media Evolution, një libër i ekologjistit të mediave Andrey Mir, vazhdues i traditës së McLuhan-it në bashkëkohësi.
Libri është i bazuar në një seri “tweets” – 1295 të tilla – që eksplorojnë dhe shpjegojnë efektet ndaj nesh të evolucionit të mediave; Mir e pranon, në hyrje, se është frymëzuar nga struktura e Tractatus Logico-Philosophicus të Wittgenstein-it.
Po ia sjell lexuesit të Menditime-ve, sepse mendoj që ndihmon për të kuptuar, së paku teorikisht, disa dukuri alarmuese të kulturës së sotme – jo detyrimisht digjitale – në viset shqiptare, nga përmbytja me fake news dhe teori komploti, te shpërfillja masive për kanonin shkencor dhe autoritetin akademik. Ndryshe nga Mir, unë ende besoj se kjo murtajë mund të prapësohet; por kam frikë se prapësimi i saj, nëse do të ndodhë, do të kërkojë rikthim te fortifikimet mesjetare të dijes në manastire, kulla dhe shpella, duke ia lënë sheshet cirkut gjigand të selfie-ve.
Lini një Përgjigje