Edicioni i pestë “Tingujt e Kujtesës”, një homazh artistik për viktimat e komunizmit, në gjuhën e tyre, në gjuhën e lirisë.
“E dashtuna Angje e fëmijë! Më kanë nda prej shokëve për me m’ekzekutue. Jam lidhë kambësh e duersh. Edhe pak orë më kanë mbetë me jetue. Mendjen e kam te ti e te fëmijët që nuk mujta ma me ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e s’më lanë me dekë... Banu e fortë. Mos u mërzit për mue, vetëm m’i rrit fmit me hir të Zotit. Amanet babën e mos i trego për mue. Borxh i kam Halitit për tjegullat dhe, në ardhtë dita, jepja për mue.
Angje! Në të mbushtë mendja me u martue, e ke lejen teme, por mos me më harrue. Por amanet fëmijët. Të kam dashtë me shpirt deri tash, në çastin e mbramë të jetës teme. Edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet, mos u mërzit për mue, por shikjo fmit. Të lutem me m’i ba hallall vuajtjet që të kam shkaktue. Të lutem me u interesue për eshtrat e të mos më harrojsh për kurrë. Me m’i marrë eshtrat e me m’i çue në një vorr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të cilën mundesh me më njoftë. Hallall të gjithëve dhe ty të parës. Ju puth me mall për herë të fundit. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm. Mark Shllaku, tetor 1949”.
Këto rreshta, të shkruara në terrin e qelisë në tetorin e vitit 1949, mbetën thirrja e fundit e një njeriu të cilit regjimi jo vetëm që i mori jetën, por i privoi familjes edhe të drejtën për t’ia gjetur eshtrat. Janë fjalët e fundit të Mark Shllakut, të riut shkodran të pushkatuar më 30 tetor 1949 te “Ishulli i të Pushkatuarve” në Zallin e Kirit.
Letra e Mark Shllakut, e interpretuar nga aktori Simon Shkreli, hapi edicionin e pestë të koncertit “Tingujt e Kujtesës”. Me moton “Muzika është si e vërteta, të bën të lirë!”, “Tingujt e Kujtesës” është një homazh artistik për viktimat e komunizmit, në gjuhën e tyre, në gjuhën e lirisë.
Ky koncert organizohet nga Fondacioni Kujto, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Fondacionit Konrad Adenauer, në kuadër të projektit “BRIDGES – Building Resilience, Inspiring Democratic Generations”, i udhëhequr nga organizata Tek Bunkeri.
Organizatorët vendosën kësaj here që ky aktivitet të mbahej pikërisht aty, pranë “Ishullit të të Pushkatuarve”, ku u vranë qindra kundërshtarë të regjimit dhe familjet nuk e patën kurrë mundësinë për t’i marrë trupat e tyre. Eshtrat e tyre nuk u gjetën kurrë.
Pas interpretimit të ndjerë të Simon Shkrelit me letrën e Mark Shllakut, moderatori Blendi Salaj ndau me publikun ndjesitë e tij për këtë ngjarje. Ai theksoi se vendi ku njerëzit ishin mbledhur mbartte ende gjurmët e dhimbjes së pashërueshme të mijëra familjeve shqiptare, të afërmit e të cilëve nuk u gjetën kurrë.
Përmes edicionit të pestë të koncertit “Tingujt e Kujtesës”, muzika dhe arti u kthyen në Shkodër si një homazh shpirtëror për mijëra viktima të diktaturës, duke thyer heshtjen e gjatë të harresës zyrtare.
Roland Guli ishte drejtori artistik i këtij koncerti, ndërsa në interpretimin e instrumentistëve të kuartetit të harqeve të shkollës “Prengë Jakova” – Anton Kaftalli (violinë e parë), Elena Babani (violinë e dytë), Denis Muja (violë), Ergys Buraniqi (violonçel) dhe Ermir Zoga (piano) – u krijua një atmosferë e thellë reflektimi dhe dhimbjeje.
Armando Likaj, solist i parë i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, interpretoi këngë të artistëve të dënuar gjatë diktaturës. Sopranoja Klodiana Brahimi, si dhe këngëtarët Orjeta Velaj dhe Leonard Guaj, sollën gjithashtu pjesë muzikore të artistëve të dënuar nga regjimi komunist, si Preng Jakova, Zef Lekaj, Ramadan Sokoli, Gac Çuni, Pjerin Ashiku, Lukë Kaçaj etj.
Aktori Simon Shkreli solli për publikun vargje të shkrimtarëve të dënuar gjatë diktaturës, si Arshi Pipa, Zef Zorba, Lazër Shantoja etj.
Ndërsa në ekran projektoheshin qindra portrete, publiku përballej me historitë tragjike të njerëzve të pushkatuar padrejtësisht nga regjimi komunist. Shumë prej tyre u zhdukën pa gjurmë; trupat nuk iu kthyen kurrë familjeve dhe eshtrat e tyre mbetën të pagjetura. Familjarët nuk patën mundësinë t’u jepnin lamtumirën e fundit apo të vendosnin një lule mbi varr.
Ky koncert, në edicionin e tij të pestë, dëshmoi edhe një herë se arti mbetet arma më e fuqishme kundër amnezisë kolektive. Përmes kombinimit të dëshmive historike, letrave autentike të të dënuarve dhe tingujve muzikorë, aktiviteti rindërtoi urën mes së shkuarës së dhimbshme dhe së tashmes që ende kërkon drejtësi dhe reflektim.
Ky aktivitet nuk ishte thjesht një shfaqje kulturore, por një akt i hapur i mbajtjes gjallë të së vërtetës për krimet e komunizmit në Shqipëri.
Kemi ardhur kështu në fund të këtij koncerti. E dimë se nuk mjafton kjo kohë që kaluam bashkë për ta rrëfyer mbijetesën e artit shkodran ndaj diktaturës. Sepse brenda mureve të çdo shpie shkodrane buroi art e liri. Askund tjetër si në Shkodër dhe askush si artistët shkodranë.
Ata u përballën me aq dhimbje e trysni shpirtërore, por edhe me aq dinjitet njerëzor përballë diktaturës. I mbijetuan dhunës komuniste pa e humbur shpirtin e lirë, duke e kthyer plagën, mungesën dhe dashuritë e pamundura në muzikë.
Nga ajo dhimbje lindën këngët më të bukura qytetare shqiptare, këngë që edhe sot prekin zemrat tona me të njëjtën forcë. Dhe ndoshta kjo është fitorja më e madhe e artistëve shkodranë: që arritën ta shndërrojnë vuajtjen në art dhe ta lënë dashurinë të mbijetojë përjetë nëpër vargje e melodi.
Është kënga e fundit dhe kënaqësia jonë është të prezantojmë për herë të parë në një skenë këngën “Shkodrës tonë”, shkruar dhe kompozuar nga Gac Çuni, pak kohë para se të mbyllte sytë në qelitë e burgut të Burrelit.
Lini një Përgjigje