Në GJKKO po zhvillohet seanca e radhës për gjyqin ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit është vetë i pranishëm në seancë dhe është përfshirë në një debat me Gjykatësin Erion Bani.
Prokurori Sotir Kllapi ka paraqitur të dhëna për kontratat e lobimit në SHBA dhe episode të tjera të hetimit. Sipas tij, kontrata e lobimit të LSI-së me kompaninë GSIS është raportuar në sistemin amerikan FARA. Prokurori deklaroi se nga shuma totale prej 416 mijë dollarësh, LSI kishte paguar përmes tre faturave vetëm 93 mijë dollarë.
Gjithashtu, gjykata ka vendosur të gjobisë me nga 10 mijë lekë ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi dhe avokatin e ish-presidentit, Kujtim Cakrani, për thyerje të solemnitetit të gjykatës.
Pjesë nga diskutimet në sallë:
Meta: Kam një pyetje.
Gjykata: Do vazhdoni kur të mbarojë prokurori. Mbani shënim.
Meta: Një fjali mund ta them, mos e ndërprit gjykatën. Rregullat kërkojnë të mbarojë prokurori. Kjo bëhet qëllimisht që të konfuzohen mediat.
Gjykata: Ju paralajmëroj.
Meta: Mos më paralajmëro fare, kërkova seancën e kaluar të më japë përgjigje.
Gjykata: Rregullat.
Meta: Rregullat i di mirë unë. Gjykata duhet të jetë e pavarur dhe e paanshme, duhet të marr përgjigje.
Gjykata: Kur flet gjykata…
Meta: Jeni ekstremisht i njëanshëm dhe unë jam këtu si një terrorist ukrainas. Unë nuk e ndërpreva, dëgjova. Më e mira ndër ju është zonja Irena Gjoka.
Gjykata: Kur nuk ruhen rregullat dhe kur personi vijon të prishë rregullin, gjykata ka të drejtë të vendosë gjobë deri në largim nga procesi.
Meta: Kam shumë respekt për rregullat tuaja edhe për ligjin, por ka edhe logjikë. Përderisa prokurori flet për një episod, është e drejta ime të jap sqarim për këtë episod.
Në 2009, ILDKPI bën një hetim të thelluar për këtë kontratë dhe ka njoftuar Drejtorinë e Pastrimit të Parave për të hetuar. Nuk ka rezultuar më korrespondencë mes këtyre institucioneve. Kjo pasuri, me një pjesë të truallit si pasuri më vete, i shitet shtetasit Baton Haxhiu me një vlerë 380 mijë euro.
Avokati Cakrani dhe Monika Kryemadhi: Lexoje mirë, mos të gënjeni.
Gjykata: Për shkak të mosrespektimit dhe cenimit të solemnitetit, vendosi të gjobisë me nga 10 mijë lekë avokatin Kujtim Cakrani dhe Monika Kryemadhin.
Cakrani: Harrove këtë ta gjobitësh terroristin (dhe tregon nga Meta).
Gjykata: Ju paralajmëroj, përsëritja e shkeljeve do të sjellë masa nga gjykata.
Kllapi: Të gjithë shtetasit e pyetur kanë deklaruar se kontratat reflektojnë të vërtetën. Në vijim, nga telefoni i sekuestruar Fatime Kryemadhit, që më herët i përkiste Monika Kryemadhit, janë përftuar shumë biseda të marrëdhënieve familjare.
Vendimi i gjobitjes erdhi pasi Kryemadhi i tha gjykatës: Meqë në sallë është zëdhënësi i gjykatës, Fabian Zhilla, që ka qenë zëdhënësi i Altin Dumanit, të rrijë deri në fund, se ai e ka bërë akuzën. Se është gazetarske akuza. Të rrijë deri në fund të na dëgjojë edhe neve.
Prokurori: Kryemadhi ka pajtuar me Ema Çokun një arkitekt italian për të kryer punimet e brendshme të vilës. Arkitekti është shoqëruar nga Ema Çoku. Provohet se në datën 16 shtator 2014, Kryemadhi urdhëron të ndërpriten çdo punim. Ndonëse kishin nisur punimet, janë tërhequr nga marrëveshja, pasi marrëveshja ishte korruptive.
Qëndrimi i SPAK për lobimin e LSI në SHBA:
Sotir Kllapi: Në SHBA gjendet një organizëm zyrtar që quhet FARA. Në këtë faqe zyrtare interneti, që funksionon në varësi të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, të gjitha kompanitë e lobimit raportojnë aktivitetet e tyre. Ndër të tjera, aty janë raportuar edhe kontratat e lobimit të LSI-së.
Ekziston edhe marrëveshja me kompaninë DSIS, e cila ka deklaruar kontratat me LSI-në për vitin 2016, të gjitha faturimet dhe aktivitetin që ka kryer për llogari të saj. Fillimisht ka pasur një nivel komunikimi me Ilir Metën, më pas është komunikuar me Petrit Vasilin.
Ka dyshime se nga shuma prej 463 mijë dollarësh që ka raportuar kompania, nga LSI janë paguar vetëm 93 mijë dollarë përmes tre pagesave dhe faturave. Kemi kërkuar të dhëna, por na është thënë se nuk kishte më akses në këto llogari, pasi ato janë mbyllur.
Vijuam hetimet për shërbimet që ka ofruar kjo kompani, ku mësuam se ajo ka siguruar takime të Ilir Metës me senatorë, anëtarë të Departamentit të Drejtësisë, si dhe me zyrtarë të Departamentit të Artit dhe Kulturës. Kompania ka vënë në dispozicion të gjitha faturat.
Nga Meta, Vasili dhe Luan Rama janë ngritur pretendime se nuk kanë dijeni për pagesa të tjera, ndaj ne vijuam hetimet.
Ndër të tjera rezulton se, përveç takimeve që përmendëm në seancën e kaluar, kjo kompani ka organizuar ardhjen në Shqipëri të disa shtetasve gjatë viteve 2016-2017. Në këto rrethana u interesuam për aktivitetin e tyre në Shqipëri.
Kemi verifikuar pagesat në hotele dhe rezulton se disa prej tyre janë kryer nga Adrian Shatku ose me kartat bankare të këtij të fundit. Ngrihen dyshime se edhe pagesat e tjera, në total, mund të jenë bërë nga ky shtetas ose nga kompanitë e tij.
Duke qenë se DSIS ishte mbyllur, dërguam letërporosi për llogaritë e Adrian Shatkut. Nga përgjigjet rezulton se, në kuadër të marrëveshjes me DSIS, kjo e fundit i ka lëshuar LSI-së 18 fatura.
Tre fatura, e para, e dyta dhe e katërta, ishin ato që kishim gjetur në Shqipëri nga marrëdhëniet me DSIS. Nga totali i faturave rezulton se DSIS ka lëshuar 18 faturime për LSI-në në shuma të ndryshme. Tre janë paguar nga LSI, ndërsa 12 janë paguar nga kompania Unifi në shumën rreth 279,783 dollarë. Për tre fatura të tjera, në vlerën rreth 93 mijë dollarë, nuk kemi mundur të sigurojmë të dhëna.
Akuza është se shuma prej 279,783 dollarësh, përveçse përbën produkt të korrupsionit, është përdorur edhe një formë për pastrimin e produkteve të veprës penale. Këto para janë paraqitur si pagesa të ligjshme, ndonëse sipas dyshimeve përbënin përfitim nga vepra penale e korrupsionit.
Është nënshkruar një marrëveshje e ligjshme në dukje, me para që paraqiteshin si të ligjshme.
Ilir Meta ka qenë disa herë në SHBA. Përveç vizitave zyrtare, ai ka zhvilluar edhe takime të tjera jashtë axhendës zyrtare, të cilat janë raportuar si shërbime të ofruara nga kompania DSIS. Ai ka qenë i vetëdijshëm për këtë fakt.
Në funksion të kësaj marrëveshjeje janë ftuar dhe janë raportuar takime edhe për funksionarë të tjerë, si ministri Petrit Vasili.
Shërbimi i ofruar nga kompania në SHBA është i ligjshëm, ndërsa sipas akuzës, mënyra e sigurimit të parave për financimin e tij është e paligjshme.
Familje banditesh,hajdut dhe mascara. Mjere femijet cfare perbindeshi kane per baba. Hale burre.z