Televizionet kërkojnë mish për lajme, jo transparencë

19 Qershor 2026, 09:40Blog Nga Ylli Manjani

Prej kohësh, një pjesë e mediave shqiptare dhe sidomos ata që vetëquhen “gazetarë të kronikës”, janë shndërruar në sallat moderne të gjyqeve popullore. Kjo nuk është më përshtypje; është fakt i përditshëm.

Skema është e njohur. Burimi i “lajmit” është pothuajse gjithmonë vetëm njëra palë: prokurori, oficeri i policisë gjyqësore ose kallëzuesi i zemëruar. Nga kjo anë e vetme ndërtohet një narrativë, zakonisht dashakeqe, gjithmonë paragjykuese dhe thuajse pa përjashtim pezhorative ndaj personit që është nën hetim apo në gjykim.

Pasi gjyqi zhvillohet në studio televizive, në portale dhe në emisione, vjen faza e dytë: kërkimi i pamjeve. Kamera pret te dera e gjykatës, te korridori apo te kafazi i blinduar. Jo për të informuar publikun mbi procesin, por për të siguruar imazhin që vulos paragjykimin e krijuar më parë.

Mesazhi është i qartë: “Ja ku është. Ju thamë që është fajtor. Ja krimineli.”

Kjo nuk ka asnjë lidhje me transparencën.

Nuk ka asnjë lidhje me të drejtën e publikut për informim.

Përkundrazi, është përdorimi i pamjes vizive si provë e një keqinformimi të ndërtuar paraprakisht. Sot, shumë media nuk kërkojnë të transmetojnë të vërtetën; kërkojnë mish për lajme. Kërkojnë fytyrën që do të ilustrojë narrativën e gatshme. Dhe kjo është e papranueshme.

Ndërkohë, debati mbi transmetimin e proceseve gjyqësore është një debat krejt tjetër.

Nëse do të zbatohej me standarde reale profesionalizmi, pa hile, pa paragjykime dhe me balancë të plotë, transmetimi televiziv i seancave gjyqësore do të ishte një zhvillim pozitiv. Në fund të fundit, gjykimet janë publike. Përse të mos jenë të transmetueshme?

Madje publiku do të përfitonte shumë më tepër nga sa përfiton sot nga kronikat e manipuluara. Do të shihte vetë pretendimet e prokurorit dhe kundërshtimet e mbrojtjes. Do të dëgjonte argumentet, provat dhe kundërprovat. Do të kuptonte vetë se sa të forta apo sa të dobëta janë dosjet që paraqiten me aq vetëbesim në konferenca shtypi e rrjedhje mediatike.

Po, hapja e proceseve gjyqësore do të krijonte më shumë përgjegjësi për prokurorët dhe gjyqtarët. Do t’i detyronte të shpjegonin ligjin dhe provat, jo opinionet e tyre. Do t’i detyronte të mbështeteshin te faktet, jo te fabulat e shitura paraprakisht në media.

Për arsye praktike, kjo mund të realizohej fare mirë me një kamerë zyrtare të vetë gjykatës, me sinjal të njëjtë për të gjitha mediat. Pa gara për pamje spektakolare, pa pritë te korridoret dhe pa cirk mediatik.

Parimi duhet të jetë i thjeshtë: sallat e gjyqit janë publike dhe duhet të jenë të hapura. Përjashtimet i njeh ligji dhe janë të kufizuara, kur mbrohen të drejtat e të pandehurit, dëshmitarëve apo interesa të tjera të rëndësishme. Në çdo rast tjetër, procesi duhet të jetë publik dhe i aksesueshëm.

Por publik nuk do të thotë njëanshmëri.

Publik nuk do të thotë propagandë.

Publik nuk do të thotë që për çdo pretendim të prokurorit të transmetohet vetëm akuza dhe të fshihet mbrojtja.

Profesionalizëm do të thotë që publiku të dëgjojë të dyja palët. Të njëjtën hapësirë. Të njëjtin respekt. Të njëjtën mundësi për t’u dëgjuar.

Për këtë lloj transparence kam qenë dhe mbetem mbështetës.

Për atë që ndodh sot, jo.

Sepse ajo që shohim sot nuk është transparencë. Nuk është informim. Nuk është gazetari.

Është një formë moderne e drejtësisë popullore, e maskuar si kronikë televizive.

Dhe drejtësia popullore nuk është as e drejtë për informim, as transparencë. Ajo është thjesht një sulm ndaj dinjitetit njerëzor, ndaj prezumimit të pafajësisë dhe ndaj lirive themelore që një shoqëri demokratike ka detyrimin t’i mbrojë.

3 Komente

  1. s
    sapa

    Mire ke folur , ky shkrim te pershtatet ty,ti je nje prej atyre!

    Përgjigjjuni
    1. P
      PeSht-i

      Autori ka te drejte. Edhe per mendimin tim nuk behet fjale per gazetari qe informon. Përkundrazi, gjithçka shkon ne favor te biznesit te ngritur qe kerkon, nxit maksimizimin e fitimit.

      Përgjigjjuni
      1. b
        beunilda

        gjyqe te hapura beheshin dhe ne kohen e enverit ,e kam pas shtepin afer gjykates dhe kur beheshin gjyqe hynim dhe ne qe ishim femije , atere nuk kishte kamera po dera hapej per te gjithe ,po nese behen me kamera te trasmetohen direk jo me kroniken qe monton gazetari qe te shpifi e do llomotis klodjana lala ,gazetarja me e shpifur qe eshte bere megafoni prokuroreve ,qe ngeli te dera e prokurorise e bejn lajmet sic do prokurori pse duhet qe njerzit ti marin vesh nga goja e saj kur mund ti degjojne vet akuzat dhe faktet ,lala eshte ber pjes e ikuzicionit te njerezve te akuzuar , pa trasparence , deshira e madhe per ta par tjetrin keq dhe per ta denuar edhe pa te drejt esht e madhe ndaj dhe kjo behet pjes e ketij ikuzicioni per kedo , nese behen te hapur ska nevoj per lalen te rij te dera e te mar lajm gati por te ivestigoj nje skandal a vjedhje ,krim e te nxjer te verteten ,atje duket sa gazetare e zonja eshte ,jo duke ndenjur te deta e spak

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje