Në ambientet e Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës u promovua libri i gazetarit kuksian Ruzhdi Jata, “Para me Gjak”.
Shkrimtarët Nexhat Çoçaj dhe Artur Shemaj u ndalën te figura e Ruzhdi Jatës si një autor që ka ditur të sjellë në letër përvoja jetësore, ngjarje të vërteta dhe realitete sociale që kanë shoqëruar shoqërinë shqiptare ndër vite.
“Ka ditur që të gjurmojë dhe të shkojë gjurmë pas gjurmë të të gjitha dhimbjeve që e preokupojnë mërgimtarin shqiptar”, u shpreh shkrimtari, Nexhat Çoçaj.
“Sot vjen në promovimin e tij “Para me gjak” që është një vazhdim i një triologjie që ka bërë për emigracionin”, tha shkrimtari Artur Shemaj.
Ndërsa nënkryetari i Bashkisë Kukës, Abdullah Domi, e cilësoi Ruzhdi Jatën si një ndër zërat që ka kontribuar në pasqyrimin e jetës dhe zhvillimeve të qarkut të Kukësit.
“Ruzhdi Jata i përket një brezi ë që ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në gazetarinë dhe në radio Kukësin dhe mendoj se meritonte një ceremoni dinjitoze siç kjo që u bë sot”, theksoi Nënkryetar i Bashkisë Kukës, Abdullah Domi.
Vetë autori tregoi se libri sjell sfidat, sakrificat dhe shpresat e emigrantëve shqiptarë, të cilët largohen nga vendlindja në kërkim të një jete më të mirë.
“Të shkruash për emigracionin dhe për emigrantët shqiptarë kudo që ata jetojnë dhe punojnë është një respekt i madh që u bëhet jo vetëm atyre, punës së tyre në emigracion, punës dhe kontributit të tyre në vendin ku ata kanë zgjedhur, por është edhe një nder dhe respekt i madh edhe për vendin, për Shqipërinë”, tha gazetari dhe autori i librit, Ruzhdi Jata.
Promovimi u shndërrua në një aktivitet vlerësues për autorin, ku të pranishmit diskutuan mbi mesazhet e veprave të tij dhe rolin që letërsia luan në ruajtjen e kujtesës, përvojave dhe historive njerëzore. A.K./TemA
Lini një Përgjigje