Irani dhe SHBA drejt marrëveshjes për Ngushticën e Hormuzit? Teherani propozon tarifa për anijet pas 60 ditësh

15 Qershor 2026, 14:35Bota TEMA
Irani dhe SHBA drejt marrëveshjes për Ngushticën e Hormuzit?

Irani ka rënë dakord me Shtetet e Bashkuara për rihapjen e Ngushticës strategjike të Hormuzit, duke vendosur si kusht aplikimin e tarifave të veçanta për anijet që do të kalojnë në këtë korridor detar.

Zëdhënësi i Gardës Revolucionare, Ibrahim Zolfaghari, ka deklaruar se për 60 ditët e para kalimi do të jetë pa pagesë, ndërsa më pas do të nisë zbatimi i një sistemi tarifash për anijet që përdorin ngushticën.

Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se Teherani shtoi në minutat e fundit të negociatave me SHBA-në një klauzolë që lidhet me sovranitetin iraniano-omanian mbi Ngushticën e Hormuzit.

"Në minutat e fundit të negociatave, teksti i memorandumit të mirëkuptimit u ndryshua për të theksuar qartë çështjen e sovranitetit iraniano-omanian mbi Ngushticën e Hormuzit", citohet të ketë deklaruar një burim anonim për Fars.

Sipas agjencisë, përfshirja e termit "shërbime detare" në tekstin përfundimtar nënkupton se SHBA ka pranuar pagesën e tarifave ndaj Iranit.

Megjithatë, industria ndërkombëtare e transportit detar mbetet e rezervuar. Shoqata më e madhe e transportit detar në botë, BIMCO, njoftoi se kalimi përmes Ngushticës së Hormuzit vazhdon të konsiderohet me rrezik të lartë për shkak të situatës së sigurisë në rajon.

Sipas BIMCO-s, kërcënimi nga minat detare mbetet një shqetësim serioz, ndërsa regjimi i sigurisë për industrinë detare konsiderohet ende i paqëndrueshëm.

Edhe pse ish-presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur optimizëm për rikthimin e rrjedhave normale të naftës, kompanitë e transportit detar po veprojnë me kujdes për shkak të rrezikut të minave dhe kostove të larta të sigurimit të luftës.

Të dhënat e fundit tregojnë se më shumë se 160 anije cisternë vijojnë të mbeten të bllokuara, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se normalizimi i plotë i tregut të energjisë mund të kërkojë më shumë kohë.

Pavarësisht njoftimeve për armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit, operatorët detarë po ndjekin një strategji pritjeje, duke kërkuar garanci të qarta përpara se të rifillojnë lëvizjen e anijeve në këtë rrugë jetike për tregtinë globale.

Ndër faktorët kryesorë që vazhdojnë të pengojnë rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit janë rreziku i minave detare, mungesa e rregullave të qarta operative dhe pritja për publikimin e tekstit zyrtar të marrëveshjes, nënshkrimi i së cilës pritet të realizohet më 19 qershor.

1 Komente

  1. F
    Fshatari

    "Teherani propozon tarifa për anijet pas 60 ditësh" Mos besoni l;jmet dhe Mero mos i zgjidh lajmet nga sa te pelqen ty. Ne kohe lufte E VERTETA and viktima e pare. Deri me sot sipas Katarit dhe Pakistanit NUK KA ASNJE MARVESHJE qe Irani te vendose tariffa. Pra ka me shume mundesi te jete mashtrim se sa e vertet ( mundesi se jemi ne lufte dhe te gjithe genjejne) Por ti me virusin Anti Trump e ke ktheyr kete media ne media politike mashtruese e jo media e se vertetes.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje