Ceremonia hapëse e Kupës së Botës FIFA 2026, e zhvilluar në “SoFi Stadium” para sfidës USA – Paraguay, solli një nga momentet më të papritura dhe më emocionuese të mbrëmjes, duke tërhequr vëmendjen e publikut në mbarë botën.
Mes një spektakli të madh me drita, koreografi dhe performanca nga emra të njohur të muzikës, në skenë u shfaq edhe një talent i ri vetëm 10 vjeç nga Norvegjia, Tius Luka, i cili interpretoi përkrah këngëtares së famshme Katy Perry.
Dyshja solli në skenë këngën “Wonder”, një projekt që kishte një histori të veçantë pas tij. Zëri i Tius-it ishte regjistruar fillimisht kur ai ishte vetëm 5 vjeç, në vitin 2021, dhe më pas ishte përfshirë në versionin final të këngës, duke i dhënë performancës një dimension emocional dhe unik.
Sipas raportimeve nga ceremonia, momenti i tyre në skenë u prit me duartrokitje të forta dhe u kthye në një nga çastet më të komentuara të mbrëmjes. Në fund të performancës, Katy Perry e përshëndeti dhe e ngriti në skenë vogëlushin, duke e bërë atë një nga figurat më të spikatura të hapjes së turneut.
Tius Luka, i njohur më herët për videot dhe cover-at e tij muzikorë në rrjete sociale, mori kështu vëmendje globale, duke u shndërruar në një nga surprizat më të mëdha të natës së hapjes së Botërorit, që këtë vit po zhvillohet në Amerikën e Veriut.
Lini një Përgjigje