Gjatë muajve të verës, Galeria e Arteve në Sarandë ka programuar një sërë ekspozitash artistike me synimin për të afruar sa më shumë vizitorë vendas dhe të huaj. Aktivitetet synojnë promovimin e artit pamor dhe pasurimin e ofertës kulturore të qytetit gjatë sezonit turistik. Një prej ekspozitave të çelura gjatë kësaj periudhe është ajo e piktorit vlonjat Roland Runaj. Përmes 40 veprave të ekspozuara, artisti sjell krijime të frymëzuara jo vetëm nga përjetimet dhe jeta e tij personale, por edhe nga peizazhet, ngjyrat dhe atmosfera e qytetit të Sarandës.
“Është një ekspozitë që mbart me vete të motive nga më të ndryshme të jetës në këtë qytetin tonë të bukur turistik që në vitet e hershme të vegjëlisë, të vetë autorit, motivet, pra e gjithë memoria e qytetit është e pikturuar me një ndjeshmëri, me një penel të zhdërvjellët”, u shpreh drejtori Lefter Çako.
Sipas drejtorit të Galerisë së Arteve, Lefter Çako, ekspozita ka ngjallur interes të konsiderueshëm tek vizitorët. Ndërkohë, gjatë javëve në vijim, galeria do të mirëpresë edhe ekspozita të tjera, duke vijuar të jetë një nga qendrat kryesore të jetës artistike dhe kulturore në qytet.
“Ata befasohen me mënyrën se si ky piktor i ka pikturuar këto motive. Biles ndodh që i shikojnë motive të hedhura në telajo dhe i vizitojnë konkretisht afër plazheve në qytetin tonë”, tha ai.
Me ekspozita që pasurojnë jetën kulturore të qytetit, Galeria e Arteve në Sarandë mbetet një pikë e rëndësishme takimi mes artistëve, artdashësve dhe vizitorëve që zgjedhin të kalojnë sezonin veror në jug të vendit. A.K./TemA
Lini një Përgjigje