Komisioni i Kulturës shqyrton raportin e ISKK

16 Qershor 2026, 15:08Kulturë TEMA
Komisioni i Kulturës shqyrton raportin e ISKK

Nën drejtimin e Kryetares Ina Zhupa, Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën ka zhvilluar mbledhjen e radhës, ku fillimisht u diskutua dhe u miratua kalendari i punës për periudhën 15 Qershor – 3 Korrik 2026. Mbledhja vijoi me një seancë dëgjimore mbi Raportin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2025 (ISKK), i cili u paraqit nga Kryetari i Bordit të këtë institucioni, Mentor Beqa.

Sipas raportit të paraqitur, gjatë vitit 2025 instituti ka përqendruar punën në kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin me brezin e ri, duke shënuar përvjetorë me rëndësi historike.

Në fjalën e tij përpara anëtarëve të komisionit,  Beqa vuri në dukje se institucioni që ai drejton ka zhvilluar aktivitete me rastin e 80-vjetorit të gjyqit special të vitit 1945, hyrjes së qytetarëve në ambasadat e huaja dhe 35-vjetorit të rënies së regjimit komunist. Ai theksoi rëndësinë e një qasjeje të strukturuar ndaj të kaluarës:

“Kujtesa historike nuk mund të mbështetet vetëm mbi përkujtimin simbolit dhe as vetëm mbi dokumentin arkivor por kërkon kërkim shkencor, ballafaqim publik dhe transmetim ndërbrezor.”

Gjithashtu, kryetari i bordit detajoi arritjet dhe shtrirjen e aktiviteteve të ISKK-së përgjatë vitit 2025. ISKK përgatiti gjatë vitit 2025 një total prej 11 titujsh për botim; bashkëpunoi me 27 institucione arsimore të shtrira në 12 qytete të ndryshme të vendit, ku u zhvilluan leksione, seminare dhe shfaqje filmike me brezin e ri; janë nënshkruar gjashtë memorandume bashkëpunimi me institucione shqiptare dhe të huaja, përfshirë universitete, shkolla, institucione kërkimore e arkivore, si dhe organizata të shoqërisë civile.

Gjatë shqyrtimit të raportit, relatorja e çështjes, deputetja Xhenis Çela, paraqiti treguesit që lidhen me përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas Çelës, nga të gjitha rekomandimet e lëna, vetëm një është realizuar plotësisht, ndërsa pesë të tjera janë ende në proces vlerësimi dhe zbatimi.

Relatorja specifikoi fushat konkrete ku institucioni duhet të rrisë angazhimin në vijim:

“Mbeten ende të pazbatuara disa çështje të rëndësishme, si trajtimi i trashëgimisë materiale të komunizmit, hartimi i udhëzimit praktik për mësuesit, zgjerimi i veprimtarisë edukative në universitete, dërgimi i botimeve në muze dhe studimi mbi strukturën represive.” 

A.K./TemA

Lini një Përgjigje