Avni Alcani

Në vitin 2008 u botua edicioni i dytë i Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (FESH), ku u përfshinë zërat “Qyteti i Librazhdit”, “Qyteti i Përrenjasit” dhe 19 fshatra të trevës: Babje, Bërzeshtë, Dardhë, Dorëz, Funarës, Gurakuq, Hotolisht, Kostenjë, Koshorisht, Kuturman, Lunik, Mirakë, Orenjë, Përrenjas, Polis, Rrajcë, Stravaj, Urakë dhe Zdrajsh. Këto materiale ishin marrë pothuajse të pandryshuara nga botimi i parë i vitit 1985 dhe ishin hartuar nga Grupi i Librazhdit, i përbërë nga Avni Alcani, Shahin Zharri (1915–1991) dhe Nuredin Hysa (fig. 2).
Në mënyrë të pakuptueshme, në botimin e vitit 2008 emrat e hartuesve fillestarë u anashkaluan, ndërsa materialet e tyre u përdorën me disa retushime të vogla dhe iu atribuuan autorëve të tjerë. Ky veprim do të ishte problematik edhe sikur materialet të ishin riprodhuar me saktësi, por më shqetësues është fakti se ato u ribotuan duke ruajtur gabime të rëndësishme faktike.
Njëri prej tyre lidhet me historinë e qytetit të Librazhdit. Në botimin e vitit 1985 thuhej se vendbanimi i lashtë kishte qenë një stacion në rrugën Egnatia me emrin “Libaros”. I njëjti pohim u përsërit edhe në botimin e vitit 2008 (fig. 3). Në të vërtetë, rruga Egnatia nuk ka kaluar në krahun e djathtë të lumit Shkumbin, ku ndodhet qyteti i sotëm i Librazhdit, por në krahun e majtë të tij. Sipas Tabula Peutingeriana-s, në afërsi të fshatit Babje ndodhej stacioni “Ad Dianam”. Nuk ekziston asnjë dëshmi historike për një stacion romak me emrin “Libaros”. Emri “Libaros” është çfaqur në shek. 16, të “Memorja: e Gjon Muzakës, si fshat në pronësi të Muzak Golem Aranitit, babait të Moisi Golemit.
Gabimi i dytë lidhet me statusin urban të Librazhdit. Në të dy botimet është shënuar se Librazhdi u shpall qytet në vitin 1958 (fig. 4). Në fakt, ai mori zyrtarisht statusin e qytetit më 18 shkurt 1960, me Dekretin nr. 3060 të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë.
Megjithatë, problemi nuk kufizohet vetëm te këto pasaktësi. Botimi i vitit 2008 nuk pasqyroi zhvillimet historike, kulturore, institucionale dhe studimore që kishin ndodhur në trevat e Librazhdit gjatë më shumë se dy dekadave. Krijohej përshtypja sikur koha ishte ndalur në vitin 1985 dhe sikur asgjë nuk kishte ndryshuar në jetën e kësaj treve.
E vërteta është krejt ndryshe. Gjatë viteve që pasuan janë organizuar dhjetëra konferenca shkencore, janë botuar dhjetëra libra e studime dhe janë evidentuar shumë të dhëna të reja për historinë, traditat dhe trashëgiminë kulturore të Librazhdit. Megjithatë, asnjë prej këtyre zhvillimeve nuk u reflektua në FESH-in e vitit 2008.
Përvoja ime personale lidhet ngushtë me këtë process, pasi gjatë viteve 1978–1986 kam punuar në Muzeun Historik të Librazhdit. Në fillim kisha njohuri të kufizuara për historinë dhe traditat e krahinës, ndaj iu përkushtova studimit të burimeve historike dhe etnografike. Në atë kohë botimet për Librazhdin ishin tepër të pakta dhe shumë ngjarje, figura historike dhe tradita etnokulturore mbeteshin ende të panjohura për publikun.
Kjo mungesë më motivoi të merresha me kërkime dhe botime kushtuar historisë dhe kulturës së trevës. Shkrimin tim të parë e kam botuar në revistën “Ylli” në gusht të vitit 1982 dhe që prej asaj kohe kam publikuar rreth 243 artikuj, studime dhe punime shkencore, si dhe 13 libra kushtuar historisë, etnografisë dhe kulturës së Librazhdit. Krahas tyre, kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe studiues të tjerë librazhdas, si Pëllumb Kurti, dr. Skënder Karriqi, dr. Ervin Kujtila, Shaban Gjura, Ilmi Leka, Rrahman Gjorga, Ali Buzra, Agim Qoku, Mimoza Rira, Flori Karaj, Spasse Thanasi, Ferit Fixha, Mustafa Disha dhe të tjerë.
Sot, Akademia e Shkencave po përgatit botimin e tretë të Enciklopedisë Shqiptare, një vepër madhore që pritet të botohet në dhjetë vëllime. Pikërisht për këtë arsye, përvoja e së kaluarës duhet të shërbejë si mësim.
Për të shmangur përsëritjen e mangësive të mëparshme, do të ishte e udhës që në grupet e punës të përfshihen edhe studiues e njohës të historisë, kulturës dhe trashëgimisë së trevave përkatëse. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet një pasqyrim më i plotë, më i saktë dhe më dinjitoz i historisë, gjeografisë, kulturës, ekonomisë, institucioneve dhe personaliteteve të Librazhdit.
Dëshiroj të sqaroj se këto vlerësime përfaqësojnë opinionin tim personal: si qytetar, si ish-anëtar i Grupit të Librazhdit që kontribuoi në botimin e parë të FESH-it të vitit 1985 dhe si studiues i historisë së kësaj treve. Qëllimi im nuk është të krijoj polemika, por të kontribuoj në mbarëvajtjen e punës për botimin e ri të Enciklopedisë Shqiptare dhe të shmanget përsëritja e gabimeve të së kaluarës.
Ndokush mund të pyesë se përse rikthehem te kjo çështje pikërisht tani, në momentin kur po përgatitet botimi i ri i Enciklopedisë Shqiptare. Së pari, pasi nuk dëshiroj që të përsëriten gabimet e botimit të vitit 2008, siç janë 1. plagjiatura e pretenduar, 2. gabimet faktike 3. nevoja për përfaqësim më të plotë të Librazhdit në Enciklopedinë e re Shqiptare dhe 4. pasi unë vij si dëshmi e një personi që ka qenë pjesë e grupit hartues të zërave për Librazhdin në FESH-in e vitit 1985 dhe që ka ndjekur për dekada studimet historike e etnokulturore të trevës.
Nuk kam asnjë ambicie për t’u bërë pjesë e grupit që po përgatit botimin e ri. Megjithatë, e konsideroj të domosdoshme të respektohet puna e autorëve dhe të mos përdoren pa njohjen e autorësisë materialet e hartuara për botimin e vitit 1985 dhe të ribotuara në vitin 2008. Respektimi i kontributit shkencor dhe i së vërtetës historike mbetet kusht i domosdoshëm për çdo vepër enciklopedike serioze.

Fig. 1 Kopetina e FESH (1985)

Fi. 2 Grupi i punës i Librazhdit

Fig. 3 Dy gabimet që u bënë në vitin 1985…

Fig. 4 Përsëritur në ribotimin e vitit 2008.
Lini një Përgjigje