Sektori i kulturës ka shënuar zhvillime pozitive gjatë vitit 2025, duke reflektuar rritje të pjesëmarrjes së publikut në aktivitete artistike, zgjerim të bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar dhe shtim të ndjeshëm të vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2025 në institucionet qendrore të artit u organizuan 1 272 shfaqje dhe premiera, të cilat u ndoqën nga 171 607 spektatorë.
Ndërkohë, Shqipëria forcoi më tej profilin e saj si destinacion kulturor rajonal dhe ndërkombëtar. Referuar statistikave, gjatë vitit 2025 u zhvilluan 314 aktivitete kulturore me pjesëmarrje ndërkombëtare, duke tërhequr gjithsej 261 654 pjesëmarrës. Sipas statistikave, Kosova, vendet e Bashkimit Evropian dhe Arabia Saudite shënuan numrin më të lartë të aktiviteteve dhe pjesëmarrësve.
Prania e artistëve të huaj në jetën kulturore të vendit u zgjerua ndjeshëm. Në aktivitetet kulturore të zhvilluara në Shqipëri morën pjesë 428 artistë të huaj, ku pjesën më të madhe e zinin artistët nga Arabia Saudite me 29,7% të totalit. Ata ndiqeshin nga artistët nga Kosova me 11,7% dhe nga Italia me 9,8%.
Një nga treguesit më domethënës të vitit ishte rritja e interesit për trashëgiminë kulturore. Numri i vizitorëve në muze, parqe arkeologjike dhe institucione të tjera të trashëgimisë kulturore arriti në 1 523 587 persona, ose 15,9% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Edhe arsimi i lidhur me kulturën vazhdon të mbetet një zgjedhje e rëndësishme për të rinjtë. Në vitin akademik 2025-2026, në programet e studimit që lidhen me kulturën u regjistruan 16 111 studentë. Fusha më e preferuar rezultoi “Arkitekturë dhe Ndërtim”, me 6 119 studentë, duke reflektuar interesin në rritje për profesionet që lidhen me zhvillimin urban, restaurimin dhe ruajtjen e trashëgimisë.
Sektori kulturor vijon gjithashtu të japë kontribut në tregun e punës. Sipas INSTAT-it, gjatë vitit 2025 në aktivitetet dhe profesionet e lidhura me kulturën ishin të punësuar 33 893 persona, ose 3% e totalit të të punësuarve në vend.
Sa i përket kostos së mallrave dhe shërbimeve kulturore, rritja më e lartë e çmimeve është regjistruar në kategorinë “Librat”, me 2,9% krahasuar me një vit më parë.
Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se shpenzimet publike për Argëtim, Kulturë dhe Çështje Fetare përbënin 1,65% të shpenzimeve publike gjithsej dhe 0,50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke dëshmuar rolin e kulturës në politikat publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Statistikat e vitit 2025 evidentojnë një sektor kulturor në zgjerim, me pjesëmarrje më të lartë të publikut, rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe interes në rritje për trashëgiminë kulturore, duke e kthyer kulturën në një nga komponentët e rëndësishëm të zhvillimit social dhe ekonomik të Shqipërisë. A.K./TemA
Lini një Përgjigje