Nga Koperniku te bulevardi: Cikli i pafund i naivitetit tonë politik

24 Qershor 2026, 10:00Blog TEMA
Nga Koperniku te bulevardi: Cikli i pafund i naivitetit tonë politik

Nga Perlat Kapisyzi

Në vitin 1543, Nikola Koperniku shpjegoi se Toka bën një rrotullim të plotë 360-gradësh rreth Diellit për t'u kthyer ekzaktesisht aty ku nisi. Këtë lëvizje ciklike e quajti Revolutio. Po ta dinte shkencëtari i shkretë se në ditët tona kjo fjalë do të përdorej nga njerëz që pretendojnë se përmbysin regjime duke shëtitur parulla me rimë nëpër bulevard, me shpresën se qeveria do të pësojë ndonjë krizë ekzistenciale e do të ikë vetë, me siguri do t'i kishte vënë librit një titull tjetër.

Sot, revolucioni nuk kërkon më ide, sakrifica apo projekte; kërkon thjesht një megafon të zhurmshëm, një pankartë kartoni dhe një kënd të bukur për foto në Instagram.

Skena e këtyre tubimeve është një teatër i shpifur. ”Liderë” që hipin mbi podium me poza Çe Gevarash, premtojnë “përmbysje epokale”. Ndërkohë, masa duartroket paqësisht, mban parulla "me spec" dhe pret që kryeministri të preket nga vargjet e tyre dhe me lotë në sy të firmosë dorëheqjen. Është një hile “intelektuale” ku të gjithë sillen sikur po bëjnë histori, por në fakt po kryejne ,thjesht, xhiron e radhës nga bulevardi. Bota është vërtet një portokall: rrotullohemi rreth vetes për dy orë, bërtasim “Revolucion!” dhe kthehemi në shtëpi për të parë në televizor nëse kemi dalë bukur në lajme.

Por këtu mbaron e qeshura dhe fillon dhuna e vërtetë sociale.

Dhuna e parë buron nga keqkuptimi i asaj që sheshi e quan diktaturë: 83 mandatet në parlament. "Revolucionarët" tanë harrojnë se ai numër nuk erdhi nga tanket; erdhi nga kutitë e votimit. Është shumica e qytetarëve që u ka besuar atyre numrave, pikërisht sepse tmerrohet nga ajo që sheh përballë. Kur një pushtet blindon çdo ligj e institucion saktësisht me vullnetin legjitim të votuesve, ai fillon dhe kruan fundshpinen nga  gricjet e revolucionareve. Dhe të mendosh se kjo kala e konfirmuar me vota dhe interesa të forta ekonomike mund të rrëzohet duke i rënë bilbilit ose legenit për dy orë, është naivitet fëminor, pothuajse fyes për inteligjencën.

Tregu politik vuan nga mungesa absolute e alternativës. Qytetari i thjeshtë gjendet nën një darë psikologjike: nga njëra anë ka një qeveri “arrogante” të numrave, dhe nga ana tjetër një opozitë skenike që premton “përmbysje” pa ofruar asnjë rresht programi dhe asnjë lider që ngjall diçka më shumë se mëshirë.

Mbi të gjitha, dhuna më e madhe intelektuale që u bëhet njerëzve është papërgjegjshmëria dhe injoranca totale ndaj vështirësisë që mbart procesi i qeverisjes. Revolucionaret sillen sikur transformimi i një shteti dhe arritjet në arenën ndërkombëtare janë çështje dëshirash apo samitesh mediatike, dhe jo rezultat i një stermundimi të një makinerie tejet të ndërlikuar dhe të rende administrative e ligjore. Kjo përplasje absurde midis "heroizmit komod" të sheshit dhe realitetit të ftohtë politik përplaset përditë te kafja e trotuarit:

Revolucionari: (I tërë i djersitur, duke tundur një pankartë) – Hajde vëlla, bashkohu me ne! Sot po bëjmë histori! Po fillon Revolucioni! Sot e rrëzojmë këtë regjim!Do bejme si do bejme do ta pimë cajin e ftohte.

Qytetari: (Merr një gllënjkë kafe, sheh orën) – Interesante. Dhe si do ta rrëzoni saktësisht sot në orën 19:00 të mbasdites ?

Revolucionari: – Kemi organizuar një marshim paqësor. Do të shkojmë para kryeministrisë, do të mbajmë 101 fjalime të zjarrta, do të lëshojmë tullumbace të zeza dhe do të bërtasim "Ik! Ik!"Rama Ik. Nuk kanë ku shkojnë, do të dorëhiqen nga presioni i masës!

Qytetari: – O mik, ata kanë 83 mandate në parlament nga njerëzit që i votuan. Ligjet i miratojnë me shpejtësinë e dritës, buxhetin e shtetit e kanë në dorë. Vërtet mendon se do t'u dridhen gjunjët nga tullumbacet e tuaja?

Revolucionari: (I nxehur, e sheh me përçmim) – Ti je skeptik, prandaj ka mbetur ky vend kështu! Po si nuk ju vjen turp juve që rrini nëpër kafe?! Ne këtu po rrezikojmë jetën tonë, po përballemi me regjimin për të ardhmen e këtij vendi! Ndërsa ju... ju jeni thjesht oportunistë që pini makiato!

Qytetari: (Ul filxhanin ngadalë, ngrihet pak në karrige dhe nis monologun e tij) – Më fal, çfarë po rrezikon saktësisht këtu në mes të bulevardit? Ti po marshon në një rrugë të bllokuar nga vetë policia për sigurinë tënde. Ke marrë leje tre ditë përpara te Komisariati. Rreziku i vetëm që po kalon sot është se mund të të ftohet çaji ose të të digjet fytyra nga dielli sepse harrove kremin mbrojtës. Mos i shto vetes merita që nuk i ke.

Shikoje pak atë podiumin tuaj. A e di kush e ka marrë megafonin sot? Nuk e ka marrë ai që ka një program në xhep, as ai që kupton kompleksitetin e qeverisjes, ligjet apo reformat ekonomike. Megafonit tuaj i ka dalë zot ai që u tregua më i shpejtë për t'u shtyrë me bërryla, më i shkathti për të zënë kuadratin e kamerës dhe më i pacipi për t'u vetëshpallur revolucionar . Ju nuk keni ide, keni thjesht darvinizëm rruge. Ai që bërtet më fort fiton të drejtën të udhëheqë turmën drejt rrotullimit të radhës 360-gradësh.

Dëgjoini pak ata altoparlantistët e tu atje lart. Mbyll sytë dhe më thoni: a ju duket vërtet sikur po shpallni rënien e Bastijës, apo sikur keni hapur një Zyrë për Ankesat e Qytetarit dhe Kërkesa ndaj Bashkisë?  Dëgjo çfarë ulërijnë në megafon! Njëri ankohet pse shteti s'i ka kthyer përgjigje në email, tjetri kërkon llogari për pusetat e lagjes, i treti ulëret se pse është rritur çmimi i kripës, tjetri se si e ze gjumi Ramen me gjithë këtë zallamihi qe po bejme dhe i fundit kërkon të ndryshohet orari i autobusit. Ju nuk po bëni kryengritje politike, o mik, ju po lexoni librin e ankesave të një dyqani lagjeje! Keni marrë konceptin e shtetit dhe e keni katandisur në sportel ankesash të administratës, duke menduar se ndryshimi i madh historik vjen nga rregullimi i një kopshti me lule.

Jo vetëm aq, po kthehem e po lexoj edhe këto pankartat që mbani në duar. (Tregon me gisht nga turma dhe i lexon me zë të lartë):

'Po rrimë paqësisht, mbase qeveria mbushet me mend!' – Seriozisht?! Kjo është strategjia juaj kombëtare? I luteni ndërgjegjes së 83 mandateve?

Ose kjo tjetra: 'Të ikë i Keqi, të vijë Misteri!' – Domethënë, oferta juaj është një pikëpyetje e madhe?

Dhe kjo më e bukura: 'Ndal dhunës, po e rrëzojmë pushtetin me mendime pozitive!' – Po ju nuk po bëni revolucion, o mik, ju keni dalë për seancë joga kolektive në asfalt! Shteti nuk drejtohet me parulla, por ju vetëm këto keni.

Dhe kulmi i kësaj hipokrizie je ti dhe gjysma e asaj turme aty. Jeni emigrantë që keni ikur para dhjetë apo njëzet vitesh. E keni zgjidhur jetën tuaj jashtë, paguani taksa në Londër apo Berlin, gëzoni sistemet e tyre të rregullta dhe vini në Shqipëri për pushime. Vini të takoni të afërmit, të hani lirë, të bëni plazh dhe mes dy pjatave me karkaleca te 'Lungomare', ju kap papritur nostalgia ekzistenciale e u dhimbset 'Mema Shqipëri'. Vendosni të na bëni një revolucion të shpejtë e pa pagesë dyorësh në bulevard, përpara se të merrni fluturimin e kthimit të dielën mbrëma. Ju rrezikoni jetën këtu? Ju thjesht po bëni turizëm politik mbi kurrizin tonë!

Kjo është dhuna e vërtetë që na bëni ne që jetojmë këtu çdo ditë: na akuzoni për tradhti sepse nuk duam të bëhemi pjesë e një cirku ku hierarkia përcaktohet nga kush ka bërrylat më të mprehtë dhe adresën e shtëpisë jashtë shtetit. Na thoni 'ejani pas nesh', por kur ju pyesim 'ku po na çoni?', na përgjigjeni me fyerje sepse vetë nuk e keni idenë se ku po shkoni. Ju doni të rrafshoni edhe ato pak gjëra që janë bërë mirë në këtë shtet, thjesht sepse mbyllni sytë para vështirësisë së qeverisjes. Ju e bëni ndryshimin të duket aq qesharak dhe kaotik, saqë i jepni qeverisë justifikimin perfekt për të thënë: 'Shihni këta të sheshit, po ikëm ne, këta do ju kthejnë në mesjetë'. Prandaj njerëzit mbajnë atë qeveri me 83 mandate, sepse tmerrohen nga 'magjia' dhe rrëmuja juaj.

Revolucionari: (Mbetet pa fjalë, i gozhduar nga e vërteta e rëndë, rregullon jakën, merr megafonin me nxitim dhe bërtet drejt turmës) – Mos dëgjoni të shiturit! Përpara për përmbysjen! (Nis të marshojë duke bërtitur): "Revolucion! Revolucion!"

Qytetari: (Ulet sërish, e ndjek me sy teksa Revolucionari bën xhiron e radhës rreth sheshit e kthehet po te i njëjti trotuar) – Ke të drejtë. Po lëvizni ekzaktesisht siç tha Koperniku: një rrotullim i plotë 360 gradë rreth vetes, për t'u kthyer fiks në të njëjtën pikë ku u nisët. Bota është vërtet një portokall... por ju thjesht po i shtrydhni lëngun shpresës sonë.

Por ky naivitet fëminor i masës nuk është thjesht një fatkeqësi spontane; ai është lënda e parë që ushqen ligësinë dinake të organizatorëve. Ligësia dinake me  kurvërine  politike përdor mishin e dhenve.

Liderët e podiumit nuk janë budallenj. Ata e dinë shumë mirë se pushteti i blinduar me 83 mandate nuk rrëzohet me tullumbace e këngë patriotike. Por ata kanë nevojë për këtë mish dhensh elektoral. Kanë nevojë për naivitetin e sinqertë të turmës për ta përdorur si monedhë shkëmbimi. Çdo njeri i zhgënjyer që del në shesh është thjesht një xhoker më shumë në pazarin që këta pseudo-revolucionarë bëjnë pas skene për interesat e tyre, për një karrige të sigurt në parlamentin e ardhshëm ose për një pjesë të tepsisë së pushtetit. Kjo është një kurvëri e pastër politike: ata e dinë se po gënjejnë, e dinë se nuk kanë asnjë plan për të nesërmen, por vazhdojnë të shesin iluzione të rrezikshme vetëm për të mbajtur veten gjallë në lojën e pshurrur të pushtetit.

Mbi këtë ligësi ngrihet edhe rreziku më i madh social i kësaj qasjeje "revolucionare": nihilizmi absolut. Sindroma e rrafshimit, kur shkatërrimi shitet si alternativë.

 Duke mos pasur në xhep asnjë program të shkruar dhe asnjë lider që frymëzon besim, strategjia e vetme e sheshit mbetet rrafshimi i çdo gjëje. Qasja e tyre nuk është të ndërtojnë mbi ato tulla që janë vendosur mirë, por të shkatërrojnë dhe të zhvlerësojnë çka është bërë mbarë, thjesht sepse mban vulën e palës tjetër.

Injoranca ndaj vështirësisë së qeverisjes kërkon të fshijë reformat e mundimshme, investimet apo arritjet në arenën ndërkombëtare – arritje që shpesh janë produkt i punës së qindra teknikëve dhe administratës, dhe vecanerisht i politikanit të radhës Edi Ramës. Kjo dëshirë për të rrafshuar çdo gjë përpara se të kesh ndërtuar alternativën, është dhuna më e madhe që i bëhet një shoqërie. Ajo e dënon shtetin të qëndrojë në një cikël të përjetshëm ku çdo qeveri e re fillon nga zero, duke e lënë vendin gjithmonë në tranzicion.

Ndaj nuk duhet të çuditemi pse shumica legjitime preferon të mbajë një qeveri – madje edhe me gabimet apo arrogancën e saj të numrave – përpara se t'ia besojë fatin e shtetit një grupi që premton vetëm rrafshim pa pasur asnjë plan për të nesërmen. Siç na mëson historia, një shtet nuk mund të qeveriset me të njëjtën frymë që përdoret për të rrëzuar një godinë.

Në fund të ditës, këto lëvizje vërtetojnë sërish teorinë astronomike. Ato funksionojnë si një valvul shkarkimi për qeverinë. Pushteti i lë njerëzit të shfryjnë gjuhën e tyre të zjarrtë në shesh, sepse e di që parullat pa përmbajtje nuk i bëjnë asgjë atij.

Pasoja e vërtetë sociale e këtij teatri është vrasja e shpresës reale dhe rënia e shoqërisë në një apati të thellë. Ndaj, përpara se të dalim sërish në shesh duke bërtitur fjalë të mëdha, bëjmë mirë të hapim fjalorin. Ose të paktën, të pranojmë se nuk po bëjmë revolucion, por thjesht një shëtitje kolektive me autorizim nga policia.

Pastaj lind një paradoks edhe më grotesk. Qeveria gjendet përballë një detyre pothuajse të pamundur: të deshifrojë se çfarë kërkon në të vërtetë kjo turmë. Nuk ka një kërkesë, por dhjetëra. Nuk ka një program, por një mozaik pakënaqësish personale. Nuk ka një hierarki prioritetesh, por një treg ku çdo hall privat shpallet emergjencë kombëtare.

Njëri kërkon dorëheqjen e qeverisë. Tjetri uljen e çmimit të naftës. Një tjetër rritjen e pensioneve. Dikush kërkon drejtësi për procesin e tij gjyqësor. Një tjetër kërkon legalizimin e shtëpisë. Dikush proteston për pagën, një tjetër për çmimin e bukës, një tjetër për taksat, për rrugën e lagjes, për autobusin, për emailin që administrata nuk ia ka kthyer ende. Çdo pankartë flet një gjuhë tjetër. Çdo megafon reciton një hall tjetër.

Në këto kushte, qeveria nuk ka më përballë një opozitë politike me objektiva të qarta. Ka përballë një ekuacion me qindra variabla, ku secili pretendon se problemi i tij është problemi më i madh i vendit. Dhe kur gjithçka shpallet prioritet absolut, paradoksalisht asgjë nuk mbetet prioritet.

Kështu protesta pushon së prodhuari presion politik dhe fillon të prodhojë konfuzion. Ajo nuk i ofron qeverisë një kërkesë të qartë. Nuk i paraqet një platformë, por një fjalëkryq. Nuk i dorëzon një projekt alternativ qeverisjeje, por një dosje të pafund me ankesa individuale, të cilat asnjë qeveri në botë nuk mund t'i zgjidhë njëkohësisht.

Paradoksi bëhet edhe më ironik. Të nesërmen organizatorët dalin para kamerave dhe pyesin me indinjatë: "Po pse qeveria nuk na dëgjon?" Në të vërtetë, problemi nuk është se qeveria nuk dëgjon. Problemi është se askush nuk arrin të kuptojë se çfarë po i kërkohet. Për të dëgjuar, duhet më parë të ekzistojë një mesazh. Kur zhurma zë vendin e mesazhit, komunikimi bëhet matematikisht i pamundur.

Dhe pikërisht këtu qëndron dobësia më e madhe e këtij "revolucioni". Ai nuk dështon sepse qeveria është shumë e fortë. Dështon sepse nuk arrin të shndërrojë pakënaqësinë kolektive në një kërkesë politike koherente. Historia nuk është ndryshuar kurrë nga kakofonia. Ajo është ndryshuar nga idetë që dinë të flasin me një zë të vetëm.

Që në fillim të “revolucionit “të flamingove është injektuar iluzioni më i madh i këtij revolucioni: bindja se të gjitha problemet e Shqipërisë kanë një emër të vetëm. Mjafton të largohet Rama dhe, si me magji, ekonomia do të lulëzojë, pagat do të rriten, korrupsioni do të zhduket, gjykatat do të bëhen të drejta, spitalet do të funksionojnë në perfeksion, emigrantët do të kthehen dhe autobusi do të vijë në orar.

Është një mënyrë të menduari sa dinake, aq edhe fëminore. Dinake, sepse ua shet njerëzve politikën si një formulë me një veprim të vetëm: hiq një njeri dhe zgjidh një komb. Fëminore, sepse mohon kompleksitetin e shtetit, të ekonomisë, të administratës dhe të vetë shoqërisë. Sikur problemet të ishin krijuar nga një individ dhe jo nga dekada institucionesh, kulturash, interesash, gabimesh dhe kompromisesh.

Kjo nuk është alternativë politike. Është marketing psikologjik. Sepse është shumë më e lehtë t'i bindësh njerëzit se ekziston një armik i vetëm sesa t'u shpjegosh se nuk ka zgjidhje të shpejta për probleme të ndërlikuara.

Nëse qeverisja do të ishte kaq e thjeshtë, historia do të ishte plot me kombe që u shpëtuan brenda natës vetëm sepse ndryshuan kryeministrin. Por historia na mëson të kundërtën. Ndryshimi i një emri në derën e Kryeministrisë nuk ndryshon automatikisht administratën, drejtësinë, ekonominë, arsimin, kulturën e punës dhe mentalitetin e një shoqërie. Përndryshe, çdo vend do të rilindte pas çdo rotacioni politik.

Paradoksi është se pikërisht ata që e paraqesin qeverisjen si punën më të lehtë në botë, janë zakonisht ata që nuk kanë paraqitur kurrë një projekt serioz se si do ta qeverisnin vetë vendin. Për ta, mjafton të largohet një njeri; pjesa tjetër, sipas tyre, rregullohet vetvetiu. Kjo nuk është strategji. Është një përrallë politike për të rritur.

Ata nuk po u shesin njerëzve një program qeverisës; po u shesin iluzionin se historia ka një buton 'reset'. Fatkeqësisht, shtetet nuk punojnë si telefonat.

2 Komente

  1. D
    Dire Straits !!!!!

    Te mbytyr nga lajmet per protesten dhe armiqte e jashtem....Mero e harroi fare Lalin e shkrete , per te cilin dje kishte nje lajm , por Mero nuk e dha : Dje ishte seanca e radhes e gjyqit te Lalit , por as Lali dhe as avokati i tij nuk u paraqiten.Si rrjedhim gjyqi u shty....por Spak u tregua i zgjuar per tu mbrojtur nga lojerat me qellim te Lalit. Spak i kerkoi gjykates te pezullohen afatet e paraburgimit te Lalit. Dhe gjykata e mori kete vendim. Kjo do te thote se tani Lali mund te vazhdoje lojerat e tij te zvarritjes....por vetes se tij i ben dem se aty te qelia e Durresit do ta ngrysi jeten derisa te mbaroje gjyqi !!!!

    Përgjigjjuni
    1. V
      Vëzhguesi

      Të lumtë Perlat. Keni bërë një analizë serioze dhe shteruese. Më pëlqeu dhe ju përgëzoj për mënyrën sesi i keni ngritur argumentet.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje