Në mitingun e së martës, një grua që foli në emër të grupit organizator të protestës tha se “vendimi që kërkesat të lexoheshin nga Dritan Goxhaj ishte një vendim konsensual i grupit”, ndërsa sqaroi se vetë Goxhaj nuk është pjesë e këtij mekanizmi koordinues. Pra, në një farë mënyre e paraqiti Goxhaj si spiker të protestës por jo organizator apo udhëheqës të saj.
Distancimi erdhi pas një fushate sulmesh ndaj tij, bazuar mbi spekullimin se ka qenë luftëtar i UÇK, deklaratave publike pro Hezbollahut apo gjuhës së egër për vrasje politike që ka përdorur më parë në daljet e tij publike. Nuk di nëse kishte parasysh këtu dhe projektin e tij personal për protestën dhe sidomos pikën ku udhëheqësit e rinj të qeverisë tranzitore do të zgjidheshin me short.
Por përpjekja për t’u distancuar nga Goxhaj ishte e qartë dhe ishte në emër të grupit organizator.
Tani nëse distancimi nga Goxhaj bëhet për shkak të sulmeve të qeverisë, shpeshherë edhe shumë të faktuara, ky është një precedent i rrezikshëm për udhëheqësin e radhës së protestës pasi mund të ketë të njëjtin fat. Kur dikush del e artikulon kërkesat e protestës ai është udhëheqësi i saj dhe nuk mund të jetë spikeri i një grupi njerëzish në hije. Politika është akt publik dhe nuk mund të bëhet me aktorë të marrë hua dhe njerëz në hije.
Ndryshe nga ajo zonja që e distancoi Goxhaj nga “udhëheqësit” e protestës, shumica e njerëzve që janë pro protestës apo në protestë e mbrojtën atë. Dhe pse ishin në hall për ca nga gjestet e tij, përsëri nuk u dorëzuan. Kjo tregon që Goxhaj ka më shumë mbështetje si udhëheqës brenda protestës se ata organizatorët në hije që e paskan caktuar spiker por jo udhëheqës.
Tani nëse pas çdo udhëheqësi që do caktojnë, ata do të dorëzohen përballë sulmeve nga kundërshtarët, sidomos nga pushteti, por dhe opozita e Berishës, ata do ta kenë të vështirë të “emërojnë” një udhëheqës të ri, pasi çdo kush do përballet me sulme. Madje udhëheqësit për këtë punë zgjidhen që të përballojnë sulmet.
Vetë protestuesit kanë frymë linçuese ndaj kujtdo që është kundër tyre, dhe nuk duhet të presin që të tjerët të duartrokasin udhëheqësin e tyre. Por pikërisht këtu duket merita e atij që do të jetë në krye të protestave, që të ketë mbështetjen e tyre përballë sulmeve.
Goxhaj duket se është më i mbështetur nga protestuesit dhe më pak i dëshiruar nga udhëheqësit në hije të protestës. Dhe kjo do një shpjegim. I vetmi shpjegim që i shpëton është ai mekanizmi që propozon vetë Goxhaj që thotë udhëheqësit t’i zgjedhim me “short”. Ndoshta i bie letra me vrimë dikujt tjetër dhe kështu organizatorët që nuk përballuan dot as 12 orë sulme ndaj Goxhaj, mund të justifikohen para protestuesve, që kanë dy ditë që mbrojnë Goxhajn pa u tërhequr. Por problemi është se protesta ka nisur të prodhoj një udhëheqje të re, jo një llotari të re.
Lini një Përgjigje