Trendi i ri i Botërorit! Thonjtë e pikturuar me flamujt e kombëtareve, por çmimet janë të kripura.

26 Qershor 2026, 16:09Lifestyle TEMA
Trendi i ri i Botërorit! Thonjtë e pikturuar me flamujt e

Botërori 2026 nuk po frymëzon vetëm stadiumet dhe fan zonat, por edhe sallonet e bukurisë. Në Miami, një sallon manikyri ka kthyer pasionin për futbollin në një trend të ri, duke u ofruar tifozëve thonj të pikturuar me flamujt e kombëtareve pjesëmarrëse.

Sipas një reportazhi të Reuters, salloni "Vanity Projects" ka krijuar dizajne me të 48 flamujt e skuadrave pjesëmarrëse në Kupën e Botës. Klientët mund të zgjedhin kombëtaren e tyre të preferuar dhe të ndjekin ndeshjet drejtpërdrejt në sallon, ku ato transmetohen në ekran.

Një nga klientet, artistja 28-vjeçare Camila Battel, zgjodhi flamurin e Argjentinës në thonjtë e saj për të treguar mbështetjen ndaj kampionëve të botës.

"Meqë nuk mund ta vesh gjithmonë fanellën time, doja të kisha diçka që ta mbaja me vete gjatë gjithë kohës," tha ajo për Reuters.

Battel shtoi se donte që thonjtë të përputheshin me fanellën e Lionel Messit dhe të zgjatnin gjatë gjithë turneut.

"Doja flamurin e Argjentinës në thonjtë e mi jo vetëm për të mbështetur ekipin, por edhe që të përputhej me fanellën time. Dua t'i kem gjatë gjithë Botërorit," u shpreh ajo.

Edhe klientja Hana Ader zgjodhi të kombinonte dy identitetet e saj, duke pikturuar flamujt e Francës dhe Marokut në thonjtë e duarve dhe të këmbëve.

"Më pëlqen atmosfera dhe energjia e Botërorit. Të mbaj flamujt e dy vendeve të mia është një mënyrë për ta ndier këtë emocion gjatë gjithë kohës," tha ajo.

Pronarja e sallonit, Rita Pinto, tha për Reuters se modelet më të kërkuara janë ato të Japonisë, Brazilit, Argjentinës dhe Portugalisë.

"Donim të sillnim atmosferën e Kupës së Botës edhe në sallon. Kemi krijuar dizajne me 48 flamujt e vendeve pjesëmarrëse dhe klientët mund të bëjnë thonjtë e ekipit të tyre ndërsa ndjekin ndeshjet live," tha Pinto.

Sipas saj, në Miami kërkesa është më e madhe për flamujt e vendeve të Amerikës Latine, ndërsa në degën e sallonit në Nju Jork dominojnë kërkesat për dizajnet me flamurin japonez.

Burimi: Reuters

Lini një Përgjigje