Plazhi i fundit në Evropë ku burrat dhe gratë ndahen me mur, incidenti i fundit riktheu debatin

26 Qershor 2026, 09:00Lifestyle TEMA
Plazhi i fundit në Evropë ku burrat dhe gratë ndahen me mur,

Në zemër të Triestes, në veri të Italisë, ndodhet një plazh që vazhdon të sfidojë kohën dhe zakonet moderne. Bëhet fjalë për “Bagno Marino La Lanterna”, i njohur nga vendasit si “El Pedocin”, i konsideruar si plazhi i vetëm në Evropë ku burrat dhe gratë vazhdojnë të lahen të ndarë nga një mur fizik.

Tradita daton që nga viti 1903, kur Trieste ishte ende pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze. Për arsye që lidhen me normat e kohës mbi moralin dhe mirësjelljen, u vendos ndarja e hapësirave të plazhit sipas gjinisë. Gardhi i dikurshëm u zëvendësua më vonë nga një mur i bardhë, rreth tre metra i lartë, i cili vazhdon të ekzistojë edhe sot.

Sipas rregullores së plazhit, njëra anë është e rezervuar për gratë dhe fëmijët deri në moshën 12-vjeçare, ndërsa ana tjetër për burrat. Të dyja palët mund të takohen vetëm në ujë, përtej zonës së ndarë.

Pavarësisht se për shumë vizitorë kjo traditë duket e pazakontë, banorët e Triestes e konsiderojnë “Pedocin” një pjesë të identitetit të qytetit. Në të kaluarën, një referendum lokal konfirmoi mbështetjen për ruajtjen e murit, duke refuzuar propozimet për shembjen e tij.

Plazhi u rikthye në qendër të vëmendjes ndërkombëtare edhe këtë muaj, pas një incidenti që u raportua nga media italiane dhe amerikane. Sipas raportimeve, një turiste nga Milano hyri në zonën e rezervuar për burrat për t’iu bashkuar partnerit të saj, duke refuzuar të respektonte rregullat e plazhit.

Kur një frekuentuese vendase i kërkoi të largohej nga sektori i burrave, shpërtheu një debat i ashpër. Turistja e cilësoi ndarjen si “mesjetare” dhe “diskriminuese”, ndërsa përplasja verbale u përshkallëzua në shtyrje dhe tension, deri në ndërhyrjen e personelit të plazhit. Çifti më pas u largua, duke kërkuar edhe kthimin e tarifës simbolike të hyrjes.

Ngjarja ka ndezur sërish debatin në Itali dhe në rrjetet sociale: për disa, “El Pedocin” është një traditë e vjetëruar që nuk i përket shekullit XXI, ndërsa për të tjerë përfaqëson një trashëgimi unike kulturore që duhet ruajtur.

Lini një Përgjigje