Një influencuere britanike e TikTok-ut, 23-vjeçarja Brooke George, po përballet me akuzën për vrasje në Dubai dhe rrezikon dënimin me vdekje nëse shpallet fajtore nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.
E reja nga Kenti i Anglisë, akuzohet se ka vrarë me thikë një burrë 26-vjeçar britanik, me të cilin kishte krijuar një lidhje pas njohjes në rrjetet sociale. Sipas saj, ngjarja ndodhi pasi ishte përballur me dhunë të vazhdueshme dhe kishte vepruar për të mbrojtur jetën e saj.
George ndodhet aktualisht në paraburgim në burgun e Bur Dubait, ndërsa organizata për të drejtat e njeriut “Detained in Dubai” po kërkon që rasti të trajtohet si një çështje e dhunës në familje dhe që ajo të lirohet me kusht gjatë hetimeve.
Drejtoresha e organizatës deklaroi se 23-vjeçarja kishte marrë një thikë vetëm pasi ishte sulmuar fizikisht dhe goditur në fytyrë.
Sipas dëshmisë së George, ajo e kishte njohur viktimën përmes Facebook-ut. Megjithatë, gjatë udhëtimit të tyre në Dubai, sjellja e tij kishte ndryshuar ndjeshëm, duke u bërë sipas saj kontrolluese dhe abuzive, shkruan The Sun.
Ajo pretendon se zbuloi se partneri i kishte rezervuar vetëm një biletë vajtje për në Dubai, gjë që e kishte alarmuar. Pas një mbrëmjeje në një lokal në zonën e Jumeirah Village, ai dyshohet se e kishte sulmuar fillimisht në makinë dhe më pas në apartament.
Familjarët e saj thonë se Brooke i kishte telefonuar në gjendje paniku, duke treguar se ishte goditur disa herë me grushte. E vendosur të largohej nga vendi, ajo kishte organizuar kthimin në Britani dhe ishte rikthyer në apartament vetëm për të marrë pasaportën.
Sipas versionit të saj, në momentin kur kërkoi dokumentin, u sulmua sërish dhe, nga frika për jetën, përdori një thikë kuzhine që ndodhej pranë për t’u mbrojtur.
23-vjeçarja u arrestua në aeroportin e Dubait në orët e para të 22 qershorit dhe më pas u akuzua për vrasje. Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një version zyrtar të plotë mbi rrethanat e ngjarjes.
Nëse shpallet fajtore sipas ligjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, George mund të përballet me dënime shumë të rënda, përfshirë edhe dënimin me vdekje.
Lini një Përgjigje