Fotografitë e realizuara në Shqipëri në vitin 1921 nga akademiku dhe antropologu zviceran Eugène Pittard janë sjellë për publikun korçar në një ekspozitë të veçantë të çelur në Galerinë e Arteve Digjitale.
Ekspozita prezanton imazhe që dokumentojnë jetën e përditshme, kulturën, veshjet tradicionale dhe portretet e shqiptarëve të fillimshekullit XX, duke sjellë një udhëtim të rrallë në kohë përmes objektivit të studiuesit zviceran.
Kuratori Elton Koritari vlerësoi kontributin e Pittard në dokumentimin e historisë dhe identitetit shqiptar, duke theksuar se fotografitë e tij kanë ruajtur momente të veçanta të jetës në Shqipërinë e një shekulli më parë. Ai solli në vëmendje edhe lidhjen e studiuesit me vendin tonë, si dhe rolin e tij në themelimin e Kryqit të Kuq Shqiptar.
“Ka themeluar kryqin e kuq shqiptar, ka sjellë ndihmat e para në Shqipëri, ambasador i mrekullueshëm por në e kemi trajtuar si artist. Në vizitën e tij të dytë në Shqipëri mori aparat fotografik dhe shkrepi foto. Kemi Korçën, Trenin, Prespën. Kjo është punë dyvjeçare, dashuria e tij dhe e bashkëshortes së tij ka qenë aq e madhe sa u kthyen si ambasadoret shqiptare jashtë. E shoqja beri një libër “Shqipëria ime”. Ka shënuar thellë dinjitetin shqiptar në atë kohë. Dashuri e pakushtëzuar themeloi pavijonin e Shqipërisë në Gjenevë “, tha ai.
Në aktivitet mori pjesë edhe ambasadorja zvicerane në Shqipëri, e cila e cilësoi ekspozitën si një dëshmi të marrëdhënieve të hershme dhe të mira mes Shqipërisë dhe Zvicrës. Ekspozita sjell për publikun një pjesë të rrallë të memories historike e kulturore shqiptare, përmes objektivit të një studiuesi që e vështroi vendin me interes dhe respekt. A.K./TemA
Lini një Përgjigje