Në Ditën Ndërkombëtare të Egjiptianëve të Ballkanit Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave çeli një ekspozitë me dokumente mbi historikun, traditat dhe përpjekjet për integrimin e këtij komuniteti në shoqërinë shqiptare, që gjurmën në territorin tonë i ka që prej antikitetit.
“Për herë të parë, u ekspozua dhe një dorëshkrim i rrallë i vitit 1921 Deklarata “Mbrojtja e Minoriteteve” e nënshkruar nga Fan Noli në emër të shtetit shqiptar në Gjenevë”, tha Rubin Zemon, studiues.
Sipas INSTAT, zyrtarisht llogariten rreth 12 mijë qytetarë të komunitetit egjiptian në Shqipëri. Që nga viti 2017, egjiptianët në vendin tonë njihen ligjërisht si pakicë kombëtare, por ende përballen me sfida të vazhdueshme
“Paragjykimet, steriotipet, diskriminimi që shfaqet në forma të ndryshme, në strehim, në shëndetësi, në shërbime, vazhdojnë të ekzistojnë”, tha Mirela Rrumbullaku nga Komisioneri për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Në aktivitet, përfaqësues të këtij komuniteti dhe pjesëmarrës nga disa institucione treguan problemet me të cilat përballen.
“Investimi në arsim mbetet çelësi kryesor për emancipimin e komunitetit. Përfshirja e tyre në jetën publike dhe institucionale është garancia për një shoqëri më të drejtë dhe më demokratike. Ndërsa ruajtrja e historisë dhe trashëgimisë është detyrë e çdo brezi”, tha Arjan Lile nga Komiteti për Pakicat Kombëtare.
“Sot kemi më shumë të rinj që përfundojnë arsimin e mesëm, profesional apo universitetin më shumë se sa një dekadë ma parë, por pyetja që mund të shtrojmë është a përkthehet ky progress në mundësi reale. Shumë prej tyre, edhe pasi kanë përfunduar studimet, hasin vështirësi për të ushtruar profesionin”, tha Ervis Çota nga Lëvizja Egjiptiane dhe Rome.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave shprehu gatishmërinë për ndërmarrjen e nismave institucionale në mbështetje të komunitetit egjiptian
“Brenda kritereve normative, në këtë drejtori, të gjitha shërbimet që ofron, janë në dispozicionin tuaj me kanal preferencial”, tha Auron Rrokaj.
Për komunitetin, politikat që ndërmerren duhet të bazohen në tri shtylla kryesore: arsim, përfaqësim dhe ruajtjen e identitetit kulturor. A.K./TemA
Lini një Përgjigje