Një ngjarje e veçantë u shënua këto ditë në Francë kur, pas shumë vitesh, dyert e Panteonit u hapën për t’i bërë vend nderi Marc Bloch-ut, në nekropolin ku prehen emrat më të mëdhenj të kulturës franceze dhe perëndimore.
Marc Bloch ishte një historian francez, i cili, si anëtar i rezistencës antifashiste kundër pushtimit nazist, u arrestua dhe u ekzekutua nga nazistët në verën e vitit 1944.
Si historian, ai njihet sot si një nga themeluesit e rrymës më interesante dhe më kreative të historiografisë bashkëkohore, të njohur si Annales School (Shkolla e Analeve).
Kjo shkollë synonte ta çlironte historiografinë nga paradigma tradicionale e përqendruar kryesisht në ngjarjet e mëdha politike, luftërat dhe veprimtarinë e sundimtarëve, duke hapur rrugën për një studim multidisiplinor të së kaluarës historike.
Për Marc Bloch, historia nuk duhej të ishte thjesht një kronikë e jetës dhe e veprave të gjeneralëve, mbretërve dhe sundimtarëve. Ajo duhej të ishte edhe rrëfim mbi jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm që kishin jetuar në të kaluarën: mbi mënyrën se si punonin, besonin, mendonin, organizonin familjen, zgjidhnin konfliktet dhe ndërtonin marrëdhëniet e tyre shoqërore.
Kjo ishte një kthesë e madhe historiografike.
Nën ndikimin e saj, historianët nisën të shqyrtojnë jo vetëm ngjarje e mëdha politike, por edhe strukturat ekonomike, marrëdhëniet shoqërore, mentalitetet kolektive, kulturën dhe jetën e përditshme të njerëzve. Kështu, Shkolla e Analeve ndryshoi rrënjësisht mënyrën e të kuptuarit dhe të shkrimit të historisë.
Marc Bloch te ne mbetet ende pak i njohur, ashtu si edhe vetë shkolla historiografike që ai themeloi. Me përjashtim të librit të tij "Apologji për historinë ose mjeshtëria e historianit", nuk di të ketë vepra të tjera të përkthyera në shqip.
Bloch është autor i një prej studimeve më të rëndësishme mbi Mesjetën evropiane, Shoqëria Feudale, botuar në dy vëllime.
Në kapitullin IX të vëllimit të parë, me titull "Solidariteti i grupit farefisnor", ai trajton të drejtën zakonore mesjetare, në qendër të së cilës qëndronte vetëgjyqësia, gjakmarrja dhe përgjegjësia kolektive e farefisit.
Për ne, ky përshkrim tingëllon jashtëzakonisht i njohur.
Shumë prej dukurive që Bloch i identifikon në shoqëritë feudale të Evropës Perëndimore, si gjakmarrja, përgjegjësia e përbashkët e fisit, dëmshpërblimi për vrasjen, pajtimi ndërmjet familjeve dhe roli vendimtar i farefisnisë , përputhen në mënyrë të habitshme me normat e së drejtës zakonore shqiptare të përmbledhura në Kanunin e Lekë Dukagjinit.
Kjo ngjashmëri përbën një dëshmi të rëndësishme se Kanuni shqiptar nuk ishte një fenomen i izoluar apo krejtësisht i veçantë në historinë evropiane.
Përkundrazi, ai mund të shihet si pjesë e një universi më të gjerë juridik e kulturor evropian, të formuar në kushtet e dobësisë ose mungesës së autoritetit shtetëror gjatë Mesjetës.
Në një botë ku shteti nuk kishte ende monopolin e drejtësisë dhe të forcës, rendi shoqëror mbështetej te farefisnia, nderi, hakmarrja dhe pajtimi.
Në këtë kuptim, Kanuni shqiptar përfaqëson jo një përjashtim, por një nga shprehjet më të qëndrueshme të një tradite të përbashkët zakonore evropiane.
Ja disa pjesë nga kapitulli i përmendur më sipër, që në çdo fjali do t’u kujtojë Kanunin e Lekës:
“Mesjeta, nga fillimi deri në fund, dhe veçanërisht epoka feudale, jetoi nën shenjën e hakmarrjes private. Barra e saj, natyrisht, binte mbi të gjitha mbi individin e dëmtuar; hakmarrja i imponohej atij si detyra më e shenjtë, që duhej ndjekur madje edhe përtej varrit. Një florentinas i pasur, Velluto di Buonchristiano, ishte anëtar i një prej atyre bashkësive qytetare, pavarësia e të cilave nga shtetet e mëdha kishte krijuar një respekt të rrënjosur thellë për konceptet tradicionale të nderit. Pasi u plagos për vdekje nga një prej armiqve të tij, në vitin 1310 ai hartoi testamentin e tij. Në sytë e asaj epoke, një testament ishte po aq një vepër devotshmërie sa edhe një masë e mençur për rregullimin e pasurisë; mbi të gjitha, ai synonte të siguronte shpëtimin e shpirtit përmes dhuratave dhe lënieve të devotshme.
Megjithatë, edhe në një dokument të tillë, Velluto nuk pati frikë të përfshinte një trashëgimi në favor të atij që do ta hakmerrej, nëse një i tillë do të gjendej.
Megjithatë, individi i vetëm mund të bënte fare pak. Për më tepër, zakonisht ishte një vdekje që për të cilën duhej marrë hak. Në këtë rast hynte në veprim grupi familjar dhe lindte gjakmarrja (feudi), sipas fjalës së vjetër gjermanike faide, e cila pak nga pak u përhap në të gjithë Evropën — “hakmarrja e të afërmve që ne e quajmë faida”, siç e shprehte një jurist kishtar gjerman.
Asnjë detyrim moral nuk dukej më i shenjtë se ky. Në Flandër, rreth fundit të shekullit XII, jetonte një zonjë fisnike, burri dhe dy fëmijët e së cilës ishin vrarë nga armiqtë; që prej asaj kohe, gjakmarrja trazonte të gjithë krahinën përreth. Një njeri i shenjtë, peshkopi Arnulf i Soissons-it, erdhi për të predikuar pajtimin, por vejusha ngriti urën lëvizëse të kështjellës për të mos e dëgjuar.
Tek frisianët, vetë kufoma kërkonte hakmarrje; ajo qëndronte duke u kalbur në shtëpi deri në ditën kur, pasi hakmarrja ishte kryer, të afërmit fitonin më në fund të drejtën për ta varrosur.
Edhe në dekadat e fundit të shekullit XIII, juristi i mençur Philippe de Beaumanoir, një nga shërbëtorët më të shquar të mbretërve francezë në ruajtjen e paqes, e konsideronte të nevojshme që secili të ishte në gjendje të përcaktonte shkallët e farefisnisë? “Që në luftërat private”, thoshte ai, “njeriu të mund të kërkojë ndihmën e të afërmit të tij”.
Kështu, i gjithë fisi ose farefisi, zakonisht nën drejtimin e një “kryetari”, merrte armët për të ndëshkuar vrasjen e njërit prej anëtarëve të vet ose edhe thjesht një padrejtësi që ai kishte pësuar.
Por hakmarrja nuk drejtohej vetëm kundër autorit të fajit, sepse solidariteti aktiv shoqërohej nga një solidaritet pasiv po aq i fortë.
Në Frizi, nuk ishte e nevojshme që të vritej vetëm vrasësi që kufoma të mund të varrosej me nder; mjaftonte vdekja e një anëtari të familjes së vrasësit. Dhe nëse, siç na thuhet, njëzet e katër vjet pas hartimit të testamentit të tij, Velluto gjeti më në fund tek një i afërm hakmarrësin që dëshironte, hakmarrja nuk ra mbi fajtorin vetë, por mbi një të afërm të tij.
Nuk ka provë më të mirë për fuqinë dhe qëndrueshmërinë e këtyre ideve sesa një dekret, relativisht i vonshëm, i Parlamentit të Parisit. Në vitin 1260, një kalorës, Louis Defeux, u plagos nga një farë Thomas d’Ouzouer dhe e paditi atë në gjykatë.
I akuzuari nuk e mohoi ngjarjen, por shpjegoi se ai vetë ishte sulmuar më parë nga nipi i viktimës së tij. Çfarë faji kishte kryer atëherë? A nuk kishte pritur ai, në përputhje me urdhëresat mbretërore, dyzet ditë para se të merrte hak — kohë që konsiderohej e nevojshme për t’i paralajmëruar të afërmit për rrezikun?
“Dakord”, u përgjigj kalorësi, “por ajo që ka bërë nipi im nuk ka të bëjë fare me mua.”
Ky argument nuk i vlejti aspak, sepse veprimi i një individi përfshinte të gjithë të afërmit e tij. Të paktën ky ishte vendimi i gjyqtarëve të mbretit të devotshëm dhe paqedashës, Shën Luigjit.
Kështu, gjaku kërkonte gjak dhe grindjet e pafundme, të lindura shpesh nga shkaqe fare të parëndësishme, i vinin familjet armike kundër njëra-tjetrës.
Në shekullin XI, një mosmarrëveshje midis dy familjeve fisnike të Burgonjës, e nisur një ditë gjatë sezonit të vjeljes së rrushit, vazhdoi për tridhjetë vjet dhe gjatë saj njëra palë humbi më shumë se njëmbëdhjetë burra…”
Midis këtyre gjakmarrjeve, kronikat kanë regjistruar veçanërisht konfliktet e familjeve të mëdha fisnike, si për shembull “urrejtja e pashuar”, e shoqëruar me tradhti të neveritshme, që në shekullin XII në Normandi përfshiu familjen Giroy dhe familjen Talvas.
Në tregimet e kënduara nga minstrelët (këngëtarët endacakë), fisnikëria gjente pasqyrimin e pasioneve të saj, të ngritura në madhështinë e epopesë. Gjakmarrjet e familjes së Lorrainëve kundër Bordelais-ve, ose të farefisit të Raoul de Cambrai kundër atij të Herbert de Vermandois, përbëjnë disa nga veprat më të bukura të epikës mesjetare franceze.
Goditja vdekjeprurëse e dhënë gjatë një feste nga njëri prej bijve të familjes Lara kundër një të afërmi të hallës së tij shkaktoi një varg vrasjesh që lidhen me njëra-tjetrën dhe përbëjnë boshtin e një kënge të famshme epike spanjolle.
Por në çdo shtresë të shoqërisë mbizotëronin të njëjtat zakone. Është e vërtetë se kur, në shekullin XIII, fisnikëria ishte bërë përfundimisht një shtresë trashëgimore, ajo prirej ta rezervonte për vete përdorimin e armëve si një shenjë nderi. Doktrina juridike dhe autoritetet publike — si për shembull gjykata e kontit të Hainaut-it në vitin 1275 — e mbështetën me dëshirë këtë prirje…
Ashtu si vetë gjakmarrja, edhe pagesa që i jepte fund asaj ishte një çështje që përfshinte të gjithë grupin familjar”.
Lini një Përgjigje