Si erdhi Bajroni në Shqipëri, sipas dokumenteve Britanike!

25 Qershor 2026, 18:23Dossier Nga Kastriot Kotoni


 Si erdhi Bajroni në Shqipëri, sipas dokumenteve Britanike!

Xhorxh Gordon Bajroni lindi më 22 janar të vitit 1788 në një familje aristokarate. Mësimet e para i mori në Aberdin. Më 1801 filloi studimet në Universitetin e Kembrixhit. Më 1809 mori vendin në Dhomën e Lordëve. Në vititn 1821 mori rrugën për në Evropë dhe shkroi Çajld Haroldin. Vepra e tij kryesore “Vargje që arratisen” dhe ‘Orët e përtacisë”; vjersha Ëndrra dr, Errësira, Prometeu: poema e Gjahurit. Ai u bë një frymëzuesit e luftës për çlirimin kombëtar të Greqisë.  Si poet melankonik ai është një nga poetët më përfaqësues të romantizmitnë historinë e letërsisë botërore.
Me rastin e 150 vjetorit të lindjes së Bajronit, në revistën Krasnij Arhiv (Arkivi i kuq), Nr 2 të vitit 1938, u botua një artikull me titullin “Bajroni në Greqi”.
Më poshtë po japim pjesë nga ky artikull. Pas luftrave të Napoleonit ku Evropa u trondit rëndë, u zhvillua Kongresi i Berlinit i vitit 1815, me synim për të reaguar ashpër ndaj lëvizjeve çlirimtare të popujve të robëruar. Pasi Bonapartin e internuan në ishullin e Shën Elenës, fuqitë evropiane filluan nga puna për të rivendosur “rendin e vjetër”. Në këtë rast, si frymëzues i të gjithë këtij reaksioni evropian qëndronte diplomati austriak Meternik, për të mbështetur “vëllazërimin e krishterë” dhe ishte një nga mbështetësit më të zjarrtë të “Aleancës së Shenjtë”, e nënshkruar në Paris në vitin 1815. Këto fuqi evropiane donin që në Evropë kudo të vendosnin parimin e “ligjshëm” monarkist, dhe në këtë mënyrë ngjallën urrejtjen ndërmjet popujve. Gjatë këtyre kohëve u zhvilluan kongreset në Lajbah (Lubljanë), Troppau dhe Veronë, ku “Aleanca e Shenjtë” bëri ç’ishte e mundur që të shtypte revolucionet në Spanjë, Portugali dhe Itali në vitet 1820  - 1821. Por dhe shtypja që perandoria Otomane u bënte popujve të ndryshëm të gadishullit ballkanik, të Arqipelagut dhe Peloponesit, kishte arritur kulmin. Në vitin 1821 në kryengritje u hodh populli grek, por dhe shqiptarët, që nuk përmenden në këtë artikull. Kryengritja ishte përgatitur nga shoqëritë e fshehta, heteristët. Problemi i kryengritjes në Greqi u shqyrtua në kongreset e Lubljanës dhe të Veronës, ku ata u konsideruan si tronditës të “bazave monarkiste” të Turqisë së sulltanit. Kryengritja greke gjeti jehonë të madhe në popujt evorpianë, sidomos tek inteligjenca dhe njerëzit e përparuar. Njëri prej tyre ishte dhe poeti i famshëm anglez Bajroni. I detyruar të shkojë në mërgim për shkak të intrigave të aristokracisë angleze, duke parë te Bajroni kundërshtarin e interesave të tyre klasore, poeti i famshëm u end për një kohë të gjatë nëpër Evropë, duke jetuar në fillim në Zvicër, pastaj në Itali. Këtu Bajroni mori pjesë aktivisht në luftën e karbonarëve italianë që luftonin kundër zgjedhës austriake. Disfata e kryengritjes italiane, e mbytur nga përkrahësit e “Aleancës së Shenjtë”, ndezën në natyrën e zjarrtë të Bajronit urrejtjen më të madhe ndaj shtypësve të popujve të robëruar dhe e nxitën atë që të nisej për në Greqi, ngjarjet revolucionare të së cilës detyruan që të fliste për ta e gjithë Evropa. Që në Gjenovë, te Bajroni mbërritën nga Greqia përfaqësues të kryengritësve dhe i kërkuan atij që të merrte pjesë në fatin e popullit grek dhe me autoritetin e emrit të tij të ndalonte dhunën ndërmjet udhëheqësve grekë. Në korrik të vitit 1823, me anijen “Herkules”, Bajroni lundroi me miqtë e tij të pakët në Qefaloni, ishull në detin Jon. Që aty Bajroni u bëri thirrje udhëheqësve të kryengritjes greke, në interes të unitetit të luftës kundër despotizmit turk, të ndërpresin dhunën. Bajroni furnizoi kryengritësit grekë me armë, të holla, ushqime, duke marrë për këtë mjetet nga Komiteti i Londrës i krijuar për të ndihmuar grekët. Porti i Misollongjit, i pushtuar nga grekët, u bë qendra dhe rezidenca e princit Makrokordato, një nga udhëheqësit kryesorë grekë. Me ftesë të këtij të fundit, Bajroni u nis për në Misollongji. Rrugës anija e tij u ndalua nga flota turke, por shumë shpejt u lëshua. Në Misollongji, Bajroni ishte organizator i çetës me tri mijë vetë për çlirimin e qytetit Lepanto të zënë nga turqit. Udhëheqës i çetës u caktua Bajroni. Por ai nuk mundi të marrë pjesë në këtë betejë. Çeta e suliotëve, të zgjedhur ndërmjet fiseve malore shqiptare, u revoltua dhe kërkoi rritjen e pagës. Revolta u likuidua, por luftën në Lepanto u desh që ta shtynin. Klima jo e mirë e Misollongjit, lagështira dhe klima moçalore qenë fatale për shëndetin e Bajronit. Më 19 prill 1824 poeti i madh vdiq në Misollongji nga kriza e rëndë e etheve të malarjes.
Më poshtë do japim ekstrakte nga informacionet zyrtare arkivore që dërgonte M. Minciaki, i ngarkuari me punë i carit rus në Konstantinopojë. Fakt është se qeveria cariste e Aleksandrit I nuk e simpatizonte ndihmën që u jepej kryengritësve grekë nga opinioni shoqëror anglez. Megjithatë, Anglia nuk ishte pjesë e “Aleancës së Shenjtë”, ku hynin Rusia, Prusia dhe Austria. Edhe M. Minciaki jep të dhëna tepër të pakta për rolin e Bajronit në kryengritjen greke. Në informacionet e M. Minçiakit, kryengritja greke shihet si pengesë e parimit monarkist të Turqisë, ndërsa roli i Bajronit në këtë kryengritje pasqyrohet me replika të shkurtëra të karakterit protokollar.
Komentet e shkurtëra zyrtare të M. Minciakit, paraqesin një interes të caktuar për ndriçimin e rolit të Bajronit në kryengritjen greke.  Ekstrakt nga telegrami i të ngarkuarit me punë në Konstantinopojë, Minciaki, ministrit të punëve të Jashtme kontit Nesselrod, 14/26 shkurt 1824. Nr 18. Kont,...Lordi Bajron, i shoqëruar nga Mavrokordati, koloneli Stengop dhe disa oficerë të tjerë anglezë, u nis për në Misollongji , nga ku ai vazhdoi të mbajë lidhje me kryengritësit grekë duke i ndihmuar ata me të holla dhe armë. Oficerët që e shoqërojnë atë u morën me sigurimin, sipas mënyrës evropiane, të garnizonit që mban këtë qytet. Në përgjithësi, prej disa kohësh vihet re se çështja e grekëve nga dita në ditë po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet ndërmjet anglezëve që ndodhen në Lindje ose që shërbejnë nëpër skuadriljet që qarkullojnë në Arqipelag. Por nëse nga njëra anë, kjo prirje e anglezëve nuk mund të mos jetë e dobishme për grekët në një masë të caktuar, atëherë ajo shkakton përshtypje të dhimbëshme te Porta, dhe ishte pretekst për ripërtëritjen nga ana e saj të ankesës ndaj ambasadorit të madhërisë së tij mbretit britanik, në veçanti lidhur me lordin Bajron i cili jetoi disa kohë në Qefaloni përpara se të shkonte në Misollongji. Anija me flamurin anglez, që mori në bord në Qefaloni kuajt, armët dhe dhjetë mijë talerë, që i përkasin lordit Bajron, u ndalua në Patras nga kryqëzorët turq. Megjithëse ajo ishte pajisur me dokumente në Trieste, por destinacioni i saj i vërtetë ishte Misollongji. Pavarësisht nga ky fakt i fundit, Jusuf – pasha i Patrës, duke e konsideruar ngarkesën pronë angleze, dha urdhër që t’ia kthejnë atë lordit Bajron. M. Minciaki. Ekstrakt nga telegrami i të ngarkuarit me punë në Konstantinopojë, Minciaki, ministrit të punëve të Jashtme kontit Nesselrod, 17/5 mars 1824. Nr 25. Kont,... Në Akarnani në dispozicion të tyre, përveç Misollongjit, ka edhe dy kështjella – Tekis dhe Shën Gjergji. Mavrokordati ndodhet në të parën e këtyre qendrave, ku sipas marrëveshjes me lordin Bajron dhe disa oficerë anglezë, ai po formon çetat luftarake, duke i stërvitur ata sipas modelit evropian. Çdo ushtar merr pagesën prej njëzet piastrash në muaj. Para pak kohësh anijet angleze ngarkuan atje një sasi municioni dhe dyqind ushtarë; gjithashtu atje rregulluan një uzinë shkrirjeje për derdhjen e topave dhe predhave ...Shoqata angleze në ndihmë të grekëve po fillon të shfaqë ndikimin e saj në More, por duket se ata duan të veprojnë më me kujdes sesa vepronin deri tani shoqatat gjermane. Vihet re se lordi Bajron solli me vete mjetet që nuk përputhen me mjetet e personit privat, se ai vetë ndjek të gjitha shpenzimet dhe ndihmon vetëm atëherë kur ajo është e justifikuar dhe urgjente. Thonë se disa anglezë duan të organizojnë në Athinë spitalin, ku të gjithë të sëmurët do të pranohen, të mjekohen dhe të ushqehen falas. Koloneli Stengop duhej të nisej për në Tripolicë që të merret vesh për organizimin e komunikimit të rregullt postar. Në fund, thonë se disa anglezë të tjerë po shikojnë Morenë, por kufizohen vetëm në vëzhgimin për situatën e gjërave ...
M. Minciaki. Ekstrakt nga telegrami i të ngarkuarit me punë në Konstantinopojë, Minciaki, ministrit të punëve të Jashtme kontit Nesselrod, 11prill/30 mars 1824. Nr 35.
Kont,... Thonë se lord Bajroni u largua nga Misollongji me çetën, që arrin deri në gjashtëmijë vetë dhe u drejtua për në Artë, por ky njoftim ka nevojë për vërtetim. Ai është veshur me kostum shqiptar dhe, me sa duket, përpiqet që të ndjekë në kuptimin e vërtetë të fjalës doket dhe zakonet greke që të fitojë popullaritet. Ai merr ndihmë në njerëz dhe municione të çdo lloji nga ishujt e Jonit. M. Minciaki Interesant është fakti i mësipërm: Përse Bajroni vishet me kostum shqiptar dhe të ndjekë zakonet greke? Atëherë le të vishet si grek! Ekstrakt nga telegrami i të ngarkuarit me punë në Konstantinopojë, Minciaki, ministrit të punëve të Jashtme kontit Nesselrod, 27/15 prill 1824. Nr 44.
Kont,... Sipas të dhënave nga Arqipelagu, grindjet dhe luftërat e brendshme vazhdojnë. Kollokotroni  dhe përkrahësit e tij, padronët e Navplit dhe Tripolicës nuk duan të njohin tjetër ligj veç ligjit të shpatës së tyre dhe ndodhen në gjendje lufte të hapur me korpusin ligjëvenës i cili, duke u mbështetur në tri ushtritë e ishujve, rrethon të parën prej këtyre kështjellave. Flisnin për marrjen e Lepantos nga lord Bajroni dhe Mavrokordati, por ky lajm duket se është i parakohshëm. M. Minciaki. Ekstrakt nga telegrami i të ngarkuarit me punë në Konstantinopojë, Minciaki, ministrit të punëve të Jashtme kontit Nesselrod, 27/15 maj 1824. Nr 51. Kont,... Kollokotroni iu dorëzua qeverisë, forcat e së cilës më 1 maj morën Napvlin. Tripolica dhe Korinthi iu dorëzuan që më parë. Por sapo Greqia e ndjeu veten të qetësuar pas aq trazirave të përgjakshme që e copëtuan aq gjatë atë, kur tradhti të reja u përgatitën që ta tronditnin sërish atë. Grindjet e vazhdueshme të suliotëve në Misollongji shkaktuan, disa kohë më parë, masa të ashpra kundër tyre. Tani njëri nga krerët hyri në marrëdhënie me Omer Pashën, që t’i dorëzojë atij kështjellën. Por qeveria, duke dyshuar në këtë, zuri letrat të një farë Konstantin Vulpioli dhe gjeti ndër to prova të pakundërshtueshme të qëllimeve të komplotistëve. Kur Mavrokordati dhe Boçaris  vendosën të kapnin krerët, suliotët sulmuan Misollongjin. Gjatë disa orëve nëpër rrugë u zhvilluan luftime. Më në fund, qeveria pati epërsi. Suliotët u sprapsën ndërsa korpusi turk, që tashmë ndodhej rrugës (për në Misllongji) u shpartallua plotësisht nga grekët nën komandën e kapiten Zangaras. Gjatë kohës së këtyre trazirave lord Bajroni, i cili ishte i sëmurë rëndë, bashkë me anglezët u detyrua të mbyllej në shtëpinë e tij. Pikëllimi, i shkaktuar atij duke parë se si pengojnë suksesin ata për të cilët ai sakrifikoi pasurinë e tij dhe rrezikoi jetën, shpejtoi pas kësaj vdekjen e tij. Thonë se Mavrokordati iku në Zante dhe vendosi të shkojë në Itali ...M. Minciaki.Ekstrakt nga telegrami i të ngarkuarit me punë në Konstantinopojë, Minciaki, ministrit të punëve të Jashtme kontit Nesselrod, 19 qershor/1korrik 1824. Nr 67. Kont,...Nuk ka asnjë të dhënë të saktë për flotën greke. Thonë se ajo është gati; por ajo ende nuk është shfaqur në Arqipelag. Thonë se shkaku kryesor i këtij pasiviteti është mungesa e mjeteve financiare. Grekët i varën të gjitha shpresat e tyre për hua tek Anglia, por me vdekjen e lord Bajronit ata do të mbeten pa këtë burim. Përveç këtyre materialeve të mësipërme, nga Bajroni ka edhe materiale të tjera për shqiptarët. Kështu, në “Ditari i Qefalonisë”, e vitit 1823, po japim disa pjesë të shkurtra. “Shumë shpejt pas mbërritjes unë me mjetet e mia pajtova një çetë me dyzet suliotë,  me në krye komandantët e tyre Fotomara, Xhavella dhe Drako, dhe me gjasë do ta rrisja këtë çetë nëse nuk do të zbuloja se ndërmjet tyre nuk kishte solidaritet për asgjë, përveç asaj që të kërkonin prej meje gjithnjë e më shumë, edhe se unë i paguaja secilit nga një dollar më shumë në muaj sesa ai do të merrte nga qeveria greke, e kur i mora, ata ishin të zbathur dhe të zhveshur. Unë rashë dakord me kërkesën e tyre dhe u pagova atyre një muaj më përpara. Por me gjasë, me nxitjen e batakçinjëve tregtarë, te të cilët ata zakonisht marrin mallra borxh, ata përpiqeshin të nxirrnin shtesa; atëherë unë i thirra, u thashë atyre mendimin tim dhe u shpreha se nuk do i marr më me vete më tej. Por unë u propozova që t’u jap atyre pagën edhe për një muaj dhe t’u paguaj udhëtimin e tyre deri në Akarnani, ku tani, pas largimit të flotës turke dhe heqjes së bllokadës, ata e kishin më lehtë për të shkuar. Unë urdhërova t’i shkruanin Marko Boçarit, komandantit të çetës greke në Akarnani, për të cilin kisha një letër rekomanduese. Përgjigja e tij ishte, ka të ngjarë, e fundit nga ato që ai nënshkroi ose diktoi, sepse ai u vra në luftim të nesërmen, duke lënë pas vetes lavdinë e luftëtarit trim dhe njeriut të ndershëm, që jo gjithmonë ndeshet së bashku, si të thuash, me turpin. Unë mora gjithashtu ftesë nga konti Metaksa, governator i Misollongjit ...Suliotët si këtu edhe në vende të tjera më ngjallën simpati; sidoqoftë, bënë apo ripërtërinë me mua njohjen (sepse unë u dhashë atyre dhe familjeve të tyre të gjithë ndihmën që lejonin rrethanat) dhe duket duan që unë të qëndroj në krye të tyre (nëse mund të thuash kështu). Tani kjo mua nuk do më duhej, sepse edhe pa këtë, tashmë këtu ka shumë komandantë dhe grupime. Por, nëqoftë se kjo do të jetë e nevojshme, se nga të gjithë ata që luftojnë këtu, ata pranojnë më të mirët dhe më trimat, mund të ndodhë dhe unë të komandoj këtë çetë; me ta, siç më duket mua, mund të bësh diçka dhe në Greqi dhe përtej kufijve të saj (si këtu, ashtu dhe atje kërkon shumë ndërhyrje). Unë mund t’i mbaja ata me mjetet e mia, natyrisht nëse të ardhurat dhe gjendjen time të tanishme mund ta konsiderosh të pandryshueshme. Numri i tyre nuk i kapërcen njëmijë vetët; prej tyre, suliotë të vërtetë nuk janë më shumë se gjashtëqind; prandaj mendohet se secili (kjo mund të duket mburrje, por kështu para pak kohësh njoftohej nëpër gazeta) vlen sa pesë turq evropianë ose dhjetë aziatikë! Sidoqoftë, ata vlerësohen shumë lart dhe ne me ta jemi miq të mëdhenj. M. Minciaki.

 
 
 

Lini një Përgjigje