Ditën e sotme, në sallën “Aleks Buda” u mbajt konferenca shkencore kushtuar antropologjisë gjuhësore dhe toponimisë.
Kjo veprimtari shkencore u organizua nga Instituti i Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).
Veprimtaria u zhvillua me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, Kryetarit të Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, anëtarëve të Kryesisë së Akademisë, nënkryetarit të komunës Arbëreshe të Ururit (Itali) dr.Emiliano Plescia, drejtoreshës së përgjithshmë të AKKSHI-t znj. Daniel Pirushi. Gjithashtu konferenca përbashkoi edhe një numër të konsiderueshëm studiuesish të fushave të antropologjisë gjuhësore, gjuhësisë dhe letërsisë nga vendi dhe jashtë tij. Të pranishëm ishin dhe një numër i konsiderueshëm mbledhësish vendorë, kryesisht nga rajonet e Dibrës, Korçës, Pogradecit, Elbasanit e Roskovecit etj.
Konferenca kishte për qëllim të përshfaqte thelbin e këtij projekti i cili e konsideron hapësirën shqipfolëse brenda dhe jashtë kufijve të saj jo thjesht si një listë emërtesash dhe emra vendesh por si mbartëse e vijuar e kujtesës sonë gjuhësore, historike e antropologjike.
Punimet e konferencës u hapën dhe moderuan nga prof. asoc. dr. Olsi Lelaj, drejtor i Institutit të Antropologjisë. Në fjalën e tij ai theksoi se toponimet mbartin kujtesën historike, shoqërore dhe kulturore të komuniteteve dhe përbëjnë një mënyrë përmes së cilës brezat kanë lënë gjurmët e tyre në territor. Ai e cilësoi projektin “Thirre vendin tënd” si një shembull të suksesshëm të lidhjes së kërkimit shkencor me shoqërinë, duke veçuar përfshirjen e komuniteteve në mbledhjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Gjithashtu, ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetet arbëreshe dhe vlerën e dokumentimit të emërvendeve si pjesë e kujtesës kolektive.
Konferenca u përshëndet nga Presidenti i Republikës, z. Bajram Begaj. Në fjalën e tij, presidenti Begaj e cilësoi këtë aktivitet si një ngjarje me domethënie të veçantë për shkencën dhe identitetin kulturor shqiptar. Vlera e studimit të toponimeve nuk është thjesht një ushtrim akademik, por një mënyrë për të njohur më thellë vetveten dhe për të ruajtur kujtesën kolektive të komuniteteve. Vetë titulli i kësaj konferencës, “Kur toka flet me emra”, tha presidenti Begaj shpreh qartë se emrat e vendeve janë dëshmi të gjalla të marrëdhënies midis njeriut dhe territorit, duke mbartur historinë, traditat dhe përkatësinë kulturore. Ai theksoi se kjo trashëgimi përbën një vlerë të shtuar në rrugën evropiane të Shqipërisë, pasi Bashkimi Evropian nuk synon shpërbërjen e kulturave kombëtare, por ndërtimin e një hapësire të përbashkët mbi bazën e shumëllojshmërisë dhe bashkëjetesës së traditave.
Presidenti Begaj e konsideroi përfshirjen e komuniteteve arbëreshe si një zgjedhje të domosdoshme, duke i cilësuar ato si dëshmi të gjallë të qëndresës kulturore shqiptare. Ai përmendi gjuhën, këngët dhe zakonet e ruajtura ndër shekuj si prova të lidhjes së pandërprerë me origjinën. Presidenti shprehu gjithashtu mbështetje për zgjerimin e projektit në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe më gjerë, duke theksuar se një hartë e kujtesës shqiptare nuk mund të jetë e plotë pa këto hapësira.
Veprimtaria u përshëndet dhe nga Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, i cili vlerësoi praninë e Presidentit të Republikës si një mbështetje të rëndësishme për zhvillimin e shkencës dhe për vetë Akademinë. Ai theksoi se projekti “Thirre vendin tënd”, i drejtuar nga prof. asoc. Ledi Shamku-Shkreli dhe prof. dr. Merita Sauku-Bruci, jo vetëm për temën që ai trajton, pra toponimet, të cilat nuk janë thjesht emra vendesh por bashkë me to mbartin historinë, gjuhën, natyrën e kulturën përkatëse, por edhe për karakteristikat e mesazhet që ai përcjell, të cilat në vetvete ishin dhe janë arsyeja pse u ndërmor reforma e ASH-së e krahas saj ajo për reformimin e sistemit tonë shkencor e që përbejnë synimin kryesor të tyre.
Projekti ka arritur të ndërthurë arritjet e studiuesve pararendës me metodologjitë më të përparuara ndërkombëtare, duke u shtrirë në të gjithë vendin përmes një rrjeti mësuesish, nxënësish dhe mbledhësish të traditës. Ai kujtoi se në arkivat e Akademisë ruhen mbi 250 mijë skeda toponimesh dhe mikrotoponimesh të mbledhura ndër dekada dhe se projekti ka ringjallur një traditë të vyer kërkimore të viteve ’70–’80.
Ai e cilësoi atë si model të bashkëpunimit ndërdisiplinor, ku gjuhësia, historia, arkeologjia, botanika, gjeografia, madje edhe gjenetika dhe inteligjenca artificiale bashkohen për të arritur synime të përbashkëta. Gjithashtu, ai e lidhi këtë përvojë me projektet madhore të albanologjisë, si “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”, “Enciklopedia Shqiptare” dhe “Historia e Shqiptarëve”.
Në përfundim të fjalës së tij, akad. Gjinushi theksoi se Shqipëria ka detyrimin të përmbushë standardet evropiane në fushën e shkencës, si për numrin e kërkuesve shkencorë, ashtu edhe për nivelin e financimit, duke vlerësuar mbështetjen e Presidentit si një faktor kyç për realizimin e këtyre synimeve.
Në përshëndetjen e saj drejtuar punimeve të kësaj konference, drejtoresha e AKKSHI-t, znj. Daniel Pirushi, ritheksoi mbështetjen e institucionit për projektet kërkimore në fushën e albanologjisë dhe trashëgimisë kulturore, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional me Akademinë e Shkencave.
Në mesazhin e tij përshëndetës, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, akad. Valter Memisha, vlerësoi konferencën si dëshmi të rëndësisë së studimeve toponomastike dhe të karakterit ndërdisiplinor të albanologjisë. Ai theksoi se punimet e paraqitura vijojnë traditën e studimeve të njohura shqiptare në këtë fushë dhe se projekti i mbështetur nga AKKSHI ka krijuar mundësi të reja për kërkim shkencor dhe bashkëpunim akademik.
Nënkryetari i Komunës së Ururit (Molise, Itali), z. Emiliano Plescia, u shpreh tejet i emocionuar për praninë e tij në këtë konferencë, në vazhdë të marrëdhënieve të ngushta e të kahershme me institution e Antropologjisë dhe studiuesit e saj dhe vlerësoi këtë si mundësi të artë bashkëpunimin me institucionet shqiptare për ruajtjen e gjuhës, traditave dhe identitetit kulturor arbëresh të pandarë nga ai shqiptar brenda kufijve politikë të Republikës së Shqipërisë . Ai u ndal veçanërisht në ritin e përveçëm që i karakterizon arbëreshët e Ururit e ashtuquajtura “Corsa dei carri”- “Rrjedhja e qerreve”, duke theksuar se përmes nënshkrimit të sotëm të marrëveshjes së bashkëpunimit mes komunës së Ururit dhe Institutit të Antropologjisë pjesë e ASHSH-së po hidhet një hap historik në synimin e përbashkët për ta renditur këtë rit si pjesë e trashëgimisë botërore UNESCO, shkruan akademia.
Fjala e tij u pasua nga nënshkrimi dypalësh i marrëveshjes së bashkëpunimit mes Institutit të Antropologjisë dhe Komunës së Ururit (Molise, Itali). Një tjetër hap i rëndësishëm drejtë realizimit të një prej synimeve parësore të akademisë së shkencave, ai i shkencës së hapur qe certifikimi i 70 mbledhësve të parë që kanë kontribuar në lëndën e parë të këtij projekti, të cilët u vlerësuan me certifikatën “Mbledhës Tradite”.
Punimet shkencore u zhvilluan në tri sesione tematike. Paneli i parë trajtoi toponomastikën si një fushë ku ndërthuren gjuhësia, historia dhe antropologjia, duke sjellë qasje metodologjike dhe analiza mbi toponimet shqiptare.
Paneli i dytë iu kushtua projektit “Thirre vendin tënd”, ku u prezantuan të gjitha punimet e deritanishme të shkollave, mësuesve dhe nxënësve të cilët folën në vetë të parë duke paraqitur rezultate konkrete në kërkimet vendore mbi mikrotoponimet dhe rolin e tyre në ruajtjen e identitetit lokal dhe të trashëgimisë gjuhësore.
Në panelin përmbyllës, “Zëri i vendeve”, studiuesit paraqitën punime që ndërthurën kërkimet arkivore, dëshmitë gojore dhe interpretimet historike e letrare të toponimeve.
Konferenca u mbyll me përfundimet e Laboratorit të Antropologjisë Gjuhësore, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërdisiplinor për dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e gjuhësore shqiptare.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje