Fjala e Kryetarit të ASHSH-së, akad. Skënder Gjinushi, në konferencën shkencore ndërkombëtare: “Kur toka flet me emra – Hapësira si kujtesë”

25 Qershor 2026, 19:52Kulturë TEMA
Fjala e Kryetarit të ASHSH-së, akad. Skënder Gjinushi, në

Në konferencën shkencore ndërkombëtare “Kur toka flet me emra – Hapësira si kujtesë”, Kryetari i Akademisë së Shkencave theksoi rëndësinë e projektit si një model i bashkëpunimit ndërdisiplinor dhe i rizgjimit të traditës më të mirë kërkimore.

Më poshtë fjala e plotë e Kryetarit të ASHSH, akad. Skënder Gjinushi:

I nderuar Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bajram Begaj,
Të nderuar akademikë, profesorë e të ftuar,

Duke ju uruar të gjithëve mirëseardhjen në këtë konferencë ku do të paraqiten ecuria dhe rezultatet e projektit “Thirre vendin tënd”, më lejoni të përshëndes në veçanti prezencën e Presidentit të Republikës duke e vlerësuar atë si mbështetje për zhvillimin e shkencës në tërësi, e posaçërisht për Akademinë e Shkencave e strukturave pranë saj e për tërë kërkuesit e studentët.
Projekti, objekt i këtij aktiviteti, i drejtuar nga Ledi Shanku e Merita Bruci, me financim të AKKSHI-së e mbështetjen e dy instituteve, atë të Antropologjisë e Gjuhësisë, ka një vlerë të veçantë jo vetëm për temën që ai trajton, toponimet, të cilat nuk janë thjesht emra vendesh por bashkë me to mbartin historinë, gjuhën, natyrën e kulturën përkatëse, por edhe për karakteristikat e mesazhet që ai përcjell, të cilat në vetvete ishin dhe janë arsyeja pse u ndërmor reforma e ASH-së e krahas saj ajo për reformimin e sistemit tonë shkencor e që përbejnë synimin kryesor të tyre.

Projekti i mbështetur në metoda e metodologji të reja të shoqëruara me teknologjinë e duhur nuk synoi që në emër të tyre të mohojë arritjet e studimet e mëparshme, por ka arritur që nëpërmjet metodës së re të bashkojë me respekt arritjet e studiuesve tanë pararendës me zhvillimet më të përparuara të kërkimeve ndërkombëtare në këtë fushë.

Në arkivat e Akademisë së Shkencave ruhen sot mbi 250 mijë skeda toponimesh e mikrotoponimesh, të mbledhura ndër dekada nga etnografë, gjuhëtarë, historianë, mësues, inxhinierë toke e pyjesh, por edhe nga njerëz të thjeshtë.

Projekti nuk u kufizua brenda mureve të Akademisë së Shkencave. Përkundrazi, duke besuar te shkenca e hapur, që është edhe një nga misionet themelore të vetë Akademisë, projekti u shtri në të gjithë vendin nëpërmjet një rrjeti të gjerë mësuesish, nxënësish, bashkëpunëtorësh dhe mbledhësish tradite, duke ringjallur një nga traditat më të bukura të Akademisë së Shkencave të viteve ’70–’80.

Projekti u shtri tej kufijve të Shqipërisë deri në Arbëri çka përben një prej synimeve e politikave të ASH-së në ngritjen e organizimin e njësive të reja e ndërmarrjen e projekteve madhore si po veprohet për tre projektet madhore të Albanologjisë, Fjalori i madh i gjuhës shqipe, Enciklopedia shqiptare dhe Historia e shqiptarëve.

Projekti është një dëshmi e prirjeve kryesore të kohës, asaj që projektet nuk mund të kufizohen brenda një disipline, se bashkëpunimi ndërdisiplinor është një domosdoshmëri edhe në fushat e albanologjisë. Një projekt për emrat e vendeve, në dukje tepër i specializuar iu desh të ftojë gjuhësinë, historinë, arkeologjinë, e mandej edhe botanikën, hidrikën, agronominë dhe gjeografinë, për të arritur synimet e tij. Dy nga punimet më të rëndësishme e më të fundit që lidhen me konfirmimin e origjinës e lashtësisë se gjuhës e ADN-së shqiptare ku morën pjesë dhe specialistë shqiptarë e të ASH-së janë produkt ekipesh ndërdisiplinore, përfshire gjenetikën e inteligjencën artificiale.

Pra projekti është një model, që krahas shumë projekteve të ndërmarra me financim të Akademisë e të AKKSHI-t vërtetojnë pse ishte e është i nevojshëm afrimi e koordinimi i kërkimit shkencor tek ne, nëpërmjet ngritjes së një rrjeti institutesh e qendrash kërkimore, pranë ASH-së, sigurisht në bashkëpunim të ngushtë e të pandarë me IAL-të.
Riorganizimi i njësive ekzistuese, krijimi për to i kushteve të nevojshme, si në logjistikë e për kapacitetet njerëzore, rritja e kërkesës e kritereve të vlerësimit të punonjësve kërkimorë-shkencorë, sipas standardeve të kohës, shoqëruar me rritjen e trajtimit të tyre financiar, si dhe ngritja e njësive të reja në fushat kryesore të dijes si bio e nanoteknologji janë bërë të mundura nga kjo përvoje e fituar e kushtet e krijuara gjatë viteve të fundit.

Shqipëria ka detyrimin të plotësojë arritjet europiane dhe në fushën e shkencës, si për numrin e kërkuesve, ashtu dhe për nivelin e financimit në raport me GDP-në; ne si ASH, gjithë personeli kërkimor e komisionet kanë detyrimin të krijojnë kushtet e të rekomandojnë masat për thithjen e tyre në mënyrë efektive. Patjetër, ky detyrim i përbashkët do mirëkuptimin e përkrahjen e politikës e veçanërisht të ekzekutivit. Ne përshëndesim faktin se kemi mbështetjen tuaj z. President. Kjo vlen shumë në kushtet e mjedisit tonë ku ende në emër të politikës, segmenteve të saj, disa ngatërrojnë nivelin e doktoratës së tyre me atë të kërkimit shkencor në Shqipëri e të pjesës kryesore të personelit akademik tek ne a pranë IAL-ve. Në radhët e tyre ka njerëz të talentuar të nivelit të homologëve të tyre në Europë, përveç kësaj, tani janë mundësitë të afrojmë e përfitojmë nga diaspora jonë shkencore, disa prej tyre janë tashmë në krye të drejtimit të njësive tona. Tërë komunitetet që përmendet Ju, i nderuar z. President, janë pjesë e projektit të Enciklopedisë së ASHSH-së.

Duke përfunduar dëshiroj të përshëndes drejtuesit e projektit për punën e lavdërueshme, të falënderoj e përgëzoj bashkëpunëtoret e tyre vullnetarë. Drejtuesen e AKKSHI-së e vetë institucionin për bashkëpunimin e ngushtë prej 5 vitesh që ka mundësuar mbështetjen e dhjetëra projekteve në bashkëpunim me IAL-të, dy drejtuesit e instituteve që gjetën gjuhën e përbashkët për t’i krijuar kushtet Ledit, gjë që nuk është e lehtë për ndërmarrjen e këtij projekti, që priste me kohë të rrugëtonte, dhe të shpreh edhe një herë nderimin që i behet institucionit e gjithë të pranishmeve me prezencën e përshëndetjen e Z. President.

Lini një Përgjigje