U mbajt forumi me temë “Cashless Albania 2030 – Një ekonomi pa përdorimin e parasë fizike: a jemi gati?” në Akademinë e Shkencave

26 Qershor 2026, 15:33Kulturë TEMA
U mbajt forumi me temë “Cashless Albania 2030 – Një

Sot, më 26 qershor 2026, në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Komisioni i Përhershëm i Ekonomisë dhe i Zhvillimit të Qëndrueshëm organizoi forumin “Cashless Albania 2030 – Një ekonomi pa përdorimin e parasë fizike: a jemi gati?”.

Pjesë e aktivitetit ishte Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, anëtarët e kryesisë së saj, akademikë, personalitete të fushës së ekonomisë dhe institucioneve publike.

Veprimtaria u moderua nga kryetari i Komisionit të Përhershëm të Ekonomisë dhe të Zhvillimit të Qëndrueshëm, akad. Anastas Angjeli, i cili u shpreh se forumi zhvillohet në një moment të rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë, me qëllim që transformimet teknologjike, për të cilat flasim, t’i mbështesim në mënyrën se si funksionojnë ekonomitë moderne, sistemet e financave, bizneset dhe vetë qytetarët. Ai theksoi se digjitalizimi nuk është një zgjedhje, as një opsion, ai është një domosdoshmëri, që do t'i shërbejë të tashmes dhe të ardhmes, në zhvillimin ekonomik të vendit.

Akad. Angjeli vuri në dukje se në këtë drejtim Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm, ku theksohet përmirësimi i infrastrukturës së pagesave, zgjerimi i shërbimeve bankare elektronike, zhvillimi i tregut Fintech, rritja e përdorimit të telefonisë inteligjente dhe angazhimi i institucioneve publike për ofrimin e shërbimeve të digjitalizuara, të cilat kanë krijuar kushte për një transformim të rëndësishëm në mënyrën e kryerjes së transaksioneve financiare.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se forumi është një sfidë komplekse, që kërkon angazhimin e të gjithëve. Akad. Gjinushi theksoi se Akademia e Shkencave e shikon këtë tematikë si një pikëtakim emergjent mes vizionit strategjik dhe realitetit tonë makroekonomik. Ai theksoi se përvoja e ka bindur se progresi kërkonte bashkëpunim të ngushtë mes dijes shkencore dhe politikave publike.
Në fund të fjalës së tij, akad. Gjinushi u shpreh se Shqipëria, si vend kandidat, ka detyrimin të harmonizojë legjislacionin dhe praktikat e saj me ato të BE-së, përfshirë edhe fushën e pagesave. Ai vuri në dukje se, sa i përket këtij drejtimi, Akademia e Shkencave është pikërisht vendi ku mendimi shkencor takon politikat publike. Ky forum le të shërbejë si një laborator idesh ku bota akademike, Banka Qendrore, qeveria dhe sektori privat koordinojnë hapat drejt këtij objektivi kombëtar.

Në vjim Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në fjalën përshëndetëse theksoi se zgjedhja e kësaj teme për diskutim shënon një moment të rëndësishëm për agjendën e modernizimit financiar të vendit tonë. Ai u shpreh se vlerëson nismën e Komisionit të Ekonomisë pranë Akademisë së Shkencave që i kushton vëmendje kësaj çështjeje, e cila lidhet ngushtë me zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Sipas tij, kalimi drejt një ekonomie me më pak para fizike nuk është vetëm një zhvillim teknologjik, por një transformim i sistemit financiar dhe i mënyrës se si qytetarët e bizneset kryejnë pagesat.

Guvernatori vuri theksin se ky forum jep mundësinë të vlerësojmë progresin e arritur dhe sfidat që kemi përpara.

Në këtë forum u prezantuan tema që trajtuan transformimin e sistemit financiar shqiptar drejt një ekonomie me përdorim të reduktuar të parasë fizike, ndikimin e digjitalizimit në financa dhe zhvillimin e pagesave elektronike. Referuesit trajtuan aspekte të rëndësishme të këtij transformimi, duke nisur nga ndryshimi strukturor i financave shqiptare dhe paradigma e re e pagesave digjitale, perspektiva e një ekonomie pa para fizike dhe pozicionimi i Shqipërisë në vizionin “Cashless Albania 2030”.

Në veprimtari referuan prof. asoc. dr. Niko Pano, akad. Adrian Civici, prof. asoc. dr. Selami Xhepa, PhD. Altin Tanku nga Banka e Shqipërisë, Endrit Yzeiraj nga Ministria e Financave, Dr. Spiro Brumbulli nga Shoqata e Bankave, përfaqësues të EasyPay, UMSH, UBA, Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera, të cilët sollën perspektiva akademike, institucionale dhe praktike mbi zhvillimin e pagesave digjitale dhe rrugëtimin drejt objektivit “Cashless Albania 2030”. /ash/

2 Komente

  1. D
    Dire Straits !!!!

    Na falni , po keta specialistat a e kane menduar se si do te behet "pagesa e korrupsionit" nese hiqet paraja fizike ?........apo do legalizohet me banke ???!!!!

    Përgjigjjuni
    1. 0
      0x0

      Mos u beni me prift se Papa. Ne Austri e kane futur ne kushtetute nenin se austriaket kane te drejte te perdorin para fizike.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje