I dyshuar për sulme kibernetike ndaj SHBA-ve, arrestohet iraniani në Mal të Zi

26 Qershor 2026, 15:30Rajoni TEMA
I dyshuar për sulme kibernetike ndaj SHBA-ve, arrestohet iraniani në

Policia në Mal të Zi ka arrestuar një shtetas iraniano-turk të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të dyshimeve për sulme kibernetike që, sipas autoriteteve, kanë shkaktuar dëme mbi 3.4 miliardë dollarë (rreth 2.98 miliardë euro).

Policia njoftoi se 39-vjeçari, i identifikuar vetëm me inicialet A.B., u ndalua të enjten në qytetin bregdetar të Kotorrit, në një operacion të kryer në bashkëpunim me Byronë Federale të Hetimit (FBI).


Sipas një deklarate të policisë, ai kërkohet nga një gjykatë në Nju Jork për akuza që përfshijnë mashtrim kompjuterik, hakerim, vjedhje identiteti dhe krim të organizuar.


Autoritetet malazeze pretendojnë se nga viti 2013 e në vijim, i dyshuari ka kryer “sulme masive kibernetike” ndaj infrastrukturës së SHBA-ve, përfshirë më shumë se 150 universitete. Të dhënat e vjedhura dhe llogaritë e komprometuara të universiteteve dyshohet se janë përdorur në favor të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe përfituesve të tjerë iranianë, përfshirë universitete.


I dyshuari pritet të dalë para gjykatës në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, e cila do të vendosë për kërkesën e ekstradimit drejt SHBA-ve.


Në vitin 2018, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ngriti një aktakuzë ndaj nëntë shtetasve iranianë, të cilët akuzoheshin për hakerim të universiteteve dhe organizatave të tjera për të vjedhur kërkime dhe të dhëna akademike.


Autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar nëse arrestimi i fundit lidhet me atë rast.

Lini një Përgjigje