
Europa vitet e fundit duket se është ngopur me histori sentimentale dhe narrativa apo ideologji “woke” që evokojnë ndjenjat dhe të bëjnë për të qarë. Duket se është ngopur aq shumë sa ka harruar të shkuarën e saj letrare e kulturore mes “talk show” dhe “reality show” të pafund që janë prodhuar për të mpirë trurin e miliona qytetarëve.
Megjithatë, ajo çfarë Europa nuk ka harruar janë temat e mëdha universale si miqësia, besnikëria apo dashuria. Dhe pikërisht këto tema lëvron dhe shkrimtari i madh Gustav Flober te romani i dytë i tij më i madh (pas “Zonjës Bovari”) me titull “Edukimi i ndjenjave”.
Libri është një libër për rritjen. Ai rrëfen aventurat dhe “fatkeqësitë” e Frederikut gjatë revolucionit francez të 1848 dhe restaurimit të perandorisë me në krye Napoleonin e III.
Frederiku është ambicioz dhe romantik. Ai përpiqet ngadalë të ngjisë shkallët e shoqërisë së lartë i frymëzuar nga dashuria e tij për zonjën e martuar Arnu.
Federiku në kohën e lirë lexon vepra të filozofëve më në modë dhe më të njohur humanistë. Ai është një makineri e vërtetë humori. Me të dhe me shumicën e shoqërisë franceze të atyre viteve autori Flober ndërton një satirë të vërtetë që të shkul së qeshuri.
Personazhet e romanit janë shtiracakë, të cekët, mjeranë, budallenj e naivë. Shumica prej tyre njëkohësisht komunistë dhe borgjezë, që duan daullet e revolucionit por dhe verën e shtrenjtë, apo në rastet e femrave, gurët e çmuar (në ditët tona ndoshta do të donin atletet Balenciaga).
Edukimi i ndjenjave i Floberit na mëson pikërisht si të mos bëhemi si Frederiku. Si të mos bëhemi qesharakë dhe si të mos biem në tundime. Si të shtrijmë këmbët sa kemi jorganin. Dhe ndoshta nga këtu vjen titulli i tij.
Libri fatmirësisht është përkthyer dhe në shqip nga Bujar Doko për Argeta LMG.
Lini një Përgjigje