Bryan Adams nis koncertin në Prishtinë, publiku këndon njëzëri me të.
Koncerti akustik i yllit kanadez Bryan Adams ka nisur të shtunën mbrëma në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Publiku po shijon nga afër interpretimin e një prej ikonave të muzikës rock dhe rock-pop në formatin e tij intim “Bare Bones”.
Vetëm me kitarën në duar dhe i shoqëruar në piano nga bashkëpunëtori shumëvjeçar Gary Breit, Adams ka sjellë një mbrëmje që zhvesh hitet e tij nga orkestrimi i zakonshëm, duke i lënë në qendër zërin, melodinë dhe lidhjen e me publikun i cili ka kënduar njëzëri me të.
Që në tingujt e parë të “Run to you”, atmosfera në sallë është ndezur, ndërsa interpretimet akustike të “Back to you”, “Here I am” dhe “Can’t stop this thing we started” kanë krijuar afërsi të veçantë midis artistit dhe publikut.
Në këtë format minimalist, çdo këngë po merr dimension më personal, me Adamsin që i ndërthur rrëfimet, humorin dhe komunikimin spontan midis interpretimesh. A.K./TemA
Lini një Përgjigje