Kronika (e munguar) e frontit të llixhave të Bënjes

27 Qershor 2026, 22:00Blog Lutfi Dervishi

Prej 48 orësh, vendi është përfshirë në  një betejë virtuale. Në njërën anë të llogores, kritikët publikojnë video apokaliptike ku pretendojnë se banjot termale të Benjës janë tharë plotësisht nga “ethet e betonit”.

Në anën tjetër, Qeveria kundërsulmon me video të formatit “hollywoodian”, ku uji rrjedh me bollëk, zogjtë këndojnë dhe çdo gjë funksionon aq normalisht sa të vjen të pyesësh veten a jemi në Përmet apo në projektin me pesë yje në Zvernec.

Mediat, të udhëhequra nga parimi i shenjtë i objektivitetit (balancës profesionale) i kanë transmetuar të dyja videot me të njëjtin seriozitet. Sipas tyre, të dyja palët kanë të drejtë: edhe uji ka ikur, edhe uji është aty.

Ajo që ende mungon në këtë mes është një detaj i vogël, krejtësisht i parëndësishëm në epokën digjitale: një gazetar në vendngjarje.