Në karrierën time të gjatë, kam ndërtuar modele statistikore parashikuese në fusha të ndryshme. Ndërsa modelet statistikore parashikuese në futboll i ndërtoj për hobi, ngaqë e kam ndjekur sportin më të ndjekur në botë qysh në fëmini, dhe e studioj në vazhdimësi. Por këto modele statistikore janë më të vështirat që kam ndërtuar deri më sot – një miriadë e pafundme probabilitetesh...
Kampionati aktual botëror ka shtuar edhe një shkallë vështirësie statistikore në modelim. Përveç dy ekipeve të para në çdo grup, kualifikohen për më tej edhe disa ekipe të treta në grupe në bazë të pikaverazhit dhe golaverazhit. Dhe kjo nuk është një bezdi vetëm për statisticienët që llogarisin probabilitetet e kualifikimit, por edhe për miliarda ndjekësit në botë. Për të mos thënë se llogaritë që bëjnë trajnerët dhe lojtarët e ekipeve në garë, mund të prishin konkurrencën e pastër për kualifikim.
Kampionati Botëror i Futbollit, absolutisht evenimenti më i ndjekur jo vetëm në sport, do ishte mirē të kishte një formulë të qartë për kualifikimin në grupe: Dy ekipet e para në çdo grup (sipas pikaverazhit dhe golaverazhit) të kalonin grupin.
Se sa grupe duhet të jenë le ta vendosë FIFA sipas politikave të saj të përfshirjes sa më të gjerë të kontinenteve në Kampionatin Botëror!