Dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike po kthehen në një nga sfidat më të mëdha për fermerët e juglindjes.
Breshëri, ngricat dhe përmbytjet kanë dëmtuar vitet e fundit prodhimet bujqësore, ndërsa mungesa e një skeme sigurimi vijon të mbetet një shqetësim për sektorin.
“Është shumë e vështirë sepse kompanitë e sigurimit për sa i përket produkteve të mollës, po flas për pemëtarinë, marrin vetëm përsipër vetëm breshrin, fatkeqësitë natyrore të breshrit. Janë shtuar edhe fatkeqësitë natyrore të temperaturave të ulëta në periudhën e lulëzimit që e cila na ka bërë këto vitet e fundit, na ka sjellë dëme të konsiderueshme në provim”, tha fermeri.
Fermerët thonë se kompanitë private të sigurimeve nuk pranojnë të mbulojnë zonat me risk të lartë, ndaj kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për krijimin e një skeme të përbashkët sigurimi.
“Ne kërkojmë që të paktën shtetit nëpërmjet skemave të ndryshme të marrin një risk për sa i përket këtyre fatkeqësive natyrore”, tha ai.
Specialistët propozojnë ngritjen e një fondi kombëtar me kontribut nga shteti dhe fermerët sipas modeleve të vendeve të rajonit.
“Fillimisht të viret një fond nga Ministria e Bujqësisë dhe një pjesë të plotësohet dhe nga vetë fermerët e të gjithë Shqipërisë. Duke parë ku do të jenë dëmet mbase 100% të dëmit jo, por qoftë edhe pjesën e shpenzimeve që fermerët e asaj zone që do dëmtohen të marrin nga kjo shoqëri do të lehtësonte maksimalisht pjesën e shpenzimeve”, tha Vullnet Gjolla, Drejtor i AREB Korçë.
Krijimi i një skeme kombëtare e sigurimit do të ndihmonte në përballimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe do t’u jepte fermerëve më shumë siguri për të vijuar aktivitetin e tyre.
Lini një Përgjigje