Rama fton në podcastin "Flasim" arkitektin Setion Branko!

28 Qershor 2026, 17:16Kulturë TEMA
Rama fton në podcastin "Flasim" arkitektin Setion Branko!

Në episodin 24 të podcast-it “Flasim”, kryeministri Edi Rama priti tre të ftuar nga fusha të ndryshme, të cilët ndanë eksperienca mbi arkitekturën, sportin dhe iniciativat sociale e edukative në Shqipëri dhe jashtë saj.

Në studio ishin Setion Branko, me përvojë profesionale në arkitekturë mes Firences, Nju Jorkut dhe Shqipërisë; Arjan Rizaj, president i Federatës së Arteve Marciale; si dhe Atlanta Nezha, e ardhur nga Holanda dhe e vendosur në Vlorë, e cila ka hapur një kamp veror për fëmijë dhe një qendër multifunksionale.

Atlanta prezantoi projektin e saj në Vlorë, duke theksuar se filozofia e kampit bazohet në lidhjen e fëmijëve me natyrën, një qasje që ajo e ka marrë nga përvoja në Holandë. Sipas saj, kampi funksionon gjatë verës si kamp veror, ndërsa gjatë vitit shndërrohet në qendër multifunksionale që organizon aktivitete pas shkolle për fëmijët lokalë.

Ajo u shpreh se programi ofron struktura me dhe pa fjetje, duke mirëpritur fëmijë nga e gjithë Shqipëria, ndërsa gjatë viteve të fundit është mbështetur edhe nga vullnetarë ndërkombëtarë nga Franca, Suedia dhe Italia. Sipas saj, zgjerimi i këtij modeli do të ishte një vlerë e shtuar për Vlorën dhe turizmin edukativ në vend.

Arjan Rizaj, president i Federatës së Arteve Marciale, foli për rritjen e kësaj disipline në Shqipëri që nga themelimi i federatës në vitin 2012. Ai kujtoi organizimin e Kampionatit Botëror në vitin 2023, duke e cilësuar si një nga ngjarjet më të mëdha sportive të zhvilluara në vend, me pjesëmarrjen e mbi 2500 sportistëve nga 56 vende.

Sipas tij, Federata është vlerësuar ndër më të mirat në Ballkan dhe sporti po përhapet gjithnjë e më shumë tek të rinjtë dhe fëmijët, me mbi 100 pjesëmarrës aktivë në qendra të ndryshme. Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria do të marrë pjesë në kampionatin botëror në Gjeorgji dhe se ka interes në rritje edhe nga sportistë italianë për t’u bashkuar me federatën.

Setioni ndau eksperiencën e tij profesionale, duke treguar se pas studimeve në Firence dhe punës në studio në Nju Jork, ka ndërtuar një rrjet bashkëpunimi mes arkitektëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Ai tha se sot studioja e tij operon si në Shqipëri, ashtu edhe në SHBA, duke punuar me projekte në bregdet dhe zona të ndryshme të vendit.

Në këtë diskutim, Kryeministri Rama u ndal te debati mbi praninë e arkitektëve të huaj në Shqipëri, duke e cilësuar të pabazë idenë se ata dëmtojnë identitetin arkitektonik të vendit.

Sipas tij, bashkëpunimi me studiove ndërkombëtare përbën një universitet të hapur, ku arkitektët shqiptarë të rinj përfitojnë eksperiencë dhe dije nga profesionistë me reputacion global.

Ai theksoi se zhvillimi urban në Shqipëri ka hyrë në një fazë të re, ku kërkohet një raport më i balancuar mes ndërtimit dhe natyrës, si dhe standarde më të larta cilësie në projektim dhe planifikim.

Duke folur për turizmin, Rama u shpreh se Shqipëria ka përfituar ndjeshëm nga hapja e vendit dhe rritja e flukseve turistike, duke u kthyer në një destinacion të njohur ndërkombëtarisht. Megjithatë, ai theksoi se vendi duhet të kalojë në një fazë të re zhvillimi, ku prioritet nuk është vetëm rritja e numrit të vizitorëve, por edhe cilësia dhe qëndrueshmëria e turizmit.

Sipas tij, disa destinacione turistike në Europë kanë kaluar tashmë nga turizmi masiv në modele më të kontrolluara, dhe Shqipëria duhet të ndjekë të njëjtin drejtim për të shmangur presionin mbi infrastrukturën dhe mjedisin.

Rama përfundoi duke theksuar se Shqipëria ndodhet në një moment transformimi, ku zhvillimi ekonomik, turizmi, arkitektura dhe edukimi po ndërthuren në një vizion më të gjerë për të ardhmen e vendit. A.K./TemA

https://www.facebook.com/share/v/1U8VKZLwuZ/

 

Lini një Përgjigje

Blog Tema