Përpara nisjes së punimeve të konferencës shkencore ndërkombëtare dyditore me temë: "Enciklopedizmi dhe bota shqiptare", kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, pati një takim kortezie me dr. Bruno Kragić, drejtor i Rrjetit Evropian të Enciklopedive dhe drejtor i përgjithshëm i Institutit Leksikografik "Miroslav Krleža".
Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj konference, e para e këtij lloji e organizuar nga Akademia e Shkencave, prezenca e përfaqësuesve të Rrjetit Evropian të Enciklopedive është shumë e rëndësishme jo vetëm për kontributin shkencor, por edhe për krijimin e urave të mëtejshme të bashkëpunimit.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e njohu me zhvillimet që ka marrë Qendra e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike (QBEA) dhe rolin kryesor të njërit nga projektet më të rëndësishme, që është enciklopedia. Akad. Gjinushi theksoi se pranimi i Qendrës në Rrjetin Evropian të Enciklopedive ka qenë shumë pozitiv dhe përfshirja në aktivitetet e këtij rrjeti është gjithmonë e mirëpritur.
Kryetari akad. Skënder Gjinushi e njohu drejtorin e Rrjetit Evropian të Enciklopedive me zhvillimet e punimeve të projektit, ku enciklopedia përfshin të gjitha trevat shqipfolëse, duke bërë së bashku studiues që kontribuojnë në hartimin e këtij projekti madhor.
Akad. Gjinushi e informoi gjithashtu dr. Brunon me punën dhe rolin e redaksisë qendrore dhe redaksive vendore, si dhe me kriteret e vendosura dhe rezultatet e arritura deri më tani. Sipas tij synimi i këtij projekti madhor është që Enciklopedia Shqiptare të jetë edhe në versionin online, e aksesueshme nga të gjithë.
Ky takim kortezie shërbeu për të njohur më mirë mundësitë e bashkëpunimit mes Qendrës dhe Rrjetit Evropian të Enciklopedive. Nga të pranishmit u theksua rëndësia e përfshirjes së QBEA-së në të gjitha veprimtaritë shkencore që organizohen në kuadër të Rrjetit Evropian të Enciklopedive.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje