Të dhënat e INSTAT për tremujorin e parë të vitit 2026 tregojnë se ekonomia shqiptare është rritur me 3,71% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Struktura e rritjes tregon një ekonomi që vijon të mbështetet kryesisht te administrata publike, pasuritë e paluajtshme, shërbimet dhe ndërtimi.
Kontributin më të madh në rritjen ekonomike e ka dhënë grupi “Administrata Publike, Arsimi dhe Shëndetësia”, me 1,68 pikë përqindje. Ky sektor ka shënuar edhe rritjen më të fortë vjetore, me 13,93%. Në terma praktikë, kjo do të thotë se një pjesë e rëndësishme e zgjerimit të ekonomisë ka ardhur nga sektori publik dhe shërbimet e lidhura me të, jo nga prodhimi industrial apo bujqësor.
Pas tij vijnë aktivitetet e pasurive të paluajtshme, me 0,52 pikë përqindje kontribut dhe rritje vjetore prej 8,99%, si edhe aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative, me 0,47 pikë përqindje. Ndërtimi ka kontribuar me 0,32 pikë përqindje dhe është rritur me 3,3%. Kjo tregon se tregu i pronës, investimet në pasuri të paluajtshme dhe ndërtimi vijojnë të mbeten ndër motorët kryesorë të ekonomisë.
Ndërkohë, pjesa më problematike e të dhënave është rënia e sektorëve prodhues. Industria, energjia dhe uji u tkurrën me 2,17% krahasuar me një vit më parë dhe e frenuan rritjen ekonomike me 0,25 pikë përqindje. Edhe bujqësia, pyjet dhe peshkimi ranë me 0,49%, duke dhënë një kontribut negativ prej 0,06 pikë përqindje.
Kontribut negativ nuk do të thotë se këta sektorë “kanë marrë para” nga ekonomia, por se kanë prodhuar më pak vlerë se një vit më parë. Për këtë arsye, në vend që ta shtynin ekonominë lart, industria dhe bujqësia e kanë tërhequr atë poshtë.
Në këtë kuptim, të dhënat e INSTAT tregojnë një kontrast të qartë: ekonomia rritet, por rritja vjen më shumë nga sektori publik, pronat e paluajtshme, shërbimet dhe ndërtimi, ndërsa industria dhe bujqësia mbeten në rënie.
po po k*ri po , tgjith artikujt e importuar dhe pagat 3 her m pak