Populizmi, konglomerati, socialistët, hija që i vjen vërdallë dhe karagjozllëku i protestës

29 Qershor 2026, 12:30Blog Nga Hermes Kafexhiu

Populizmi

Një erë populiste i vjen vërdallë kësaj proteste. Populizmi nuk është një fenomen, një ideologji apo qoftë edhe një argument politik që duhet injoruar. Mos të kujtojmë se kemi mbetur te niveli i mendimit tradicional, ku këtu nuk vjen era e populizmit.

Në tërësi, protesta përmban shumë elementë populistë. Ato nisin nga artikulimi i problematikave të njerëzve të zakonshëm dhe të jetës së përditshme, korrupsioni, çmimet e larta, elita që nuk punon për popullin, oligarkia, mungesa e ilaçeve, katapultimet dhe arroganca e pushtetit. Jo se këto nuk ekzistojnë, por bëhen populizëm kur nuk vendosen përballë një debati mbi zgjidhjet. Evidentohen si plagë të përditshme, por nuk shoqërohen me një mendim politik që tregon rrugën për t'i zgjidhur.

Edhe dorëheqja, në vetvete, është një kërkesë populiste nëse nuk pasohet nga një etapë organizimi politik. Është si ai personi që vetëm ankohet për problemet që të gjithë i dimë, por nuk merr përsipër përgjegjësinë për t'u përballur me zgjidhjen.

Nga ana tjetër, populizmi është i rrezikshëm pikërisht sepse, nëse fiton besimin e njerëzve, mund të prodhojë një pushtet populist, i cili nuk mbështetet mbi zgjidhje konkrete ekonomike e sociale, por mbi rrëzimin e postulateve që kanë shoqëruar shoqërinë deri më sot. Në fund, situata mund të përkeqësohet edhe më shumë.

Konglomerati

Protesta është një strukturë konglomeratesh në formë horizontale. Aty gjen njerëz që kanë ardhur thjesht për rrëmujë apo paqartësi; të tjerë që e dinë saktësisht çfarë kërkojnë; njerëz që nuk i kemi parë më parë në vijën e parë, por që kanë qenë gjithmonë të artikuluar; të mënjanuar të sistemit apo të pushtetit; njerëz që nuk duan vetëm Ramën; të tjerë që nuk duan as Ramën dhe as Berishën; të tjerë që kundërshtojnë vetëm Berishën; por edhe njerëz që kërkojnë një mënyrë tjetër qeverisjeje.

Janë edhe partitë e vogla, të cilat, në një mënyrë apo në një tjetër, e kanë rritur përfaqësimin e tyre përmes kësaj lëvizjeje shoqërore, sidomos ato që nuk kanë tentuar të marrin protagonizmin. Janë deputetët dhe militantët e PD-së. Ka intelektualë që janë aty, por nuk kërkojnë mikrofonin. Ka edhe të tjerë që janë rrëmbyer nga euforia e lëvizjes dhe nuk e kanë ende artikulimin e duhur. Janë ambientalistët, janë dhe ekstremistët.

Më pas janë influencerët, të cilët duken më të organizuarit dhe kontrollojnë një pjesë të mirë të mesazhit në rrjetet sociale. Janë organizatat që financohen nga projekte të ambasadave të huaja. Janë personazhe që përfaqësojnë kauza të veçanta, por edhe idealistë që nuk përfaqësojnë askënd veç bindjeve të tyre.

Pikërisht për këtë arsye, protesta e ka të pamundur të jetë vertikale. Askush nuk përfaqëson askënd dhe, në fund, vetëm bulevardi i përfaqëson të gjithë.

Socialistët

Socialistët ndodhen në të dyja anët e kësaj proteste. Janë ata që vazhdojnë të jenë pjesë e organizatës dhe bien dakord me shumë nga kauzat e saj, por nuk marrin pjesë, me shpresën se Rama dhe pushteti do të reflektojnë politikisht.

Janë edhe socialistët që i janë bashkuar protestës. Ata janë, ndoshta, më të qartët nga të gjithë, sepse nuk kanë dalë aty thjesht kundër Ramës.

Nuk po flas për ata socialistë që bënë gjithçka për ta ngritur Ramën në pushtet dhe që më pas ai ua dogji mundësitë. Po flas për socialistët që kanë mendim politik dhe besojnë se Partia Socialiste ka vazhdimësi dhe histori edhe përtej Ramës.

Hija që vjen vërdallë

Kjo është pjesa më interesante e kësaj proteste.

Nuk dua ta fus analizën në teoritë e denatyralizimit të protestës, ku agjentë të veshur si protestues, apo të vendosur jashtë saj, janë aty për ta manipuluar organizimin. Mendoj se realiteti është më i thjeshtë, më pragmatist dhe, në njëfarë mënyre, më makiavelist.

Hija e kësaj proteste janë të gjithë ata që nuk ndajnë më interesa me pushtetin dhe klientelizmin që ai ka ndërtuar, duke prodhuar barrën e rëndë të krizës sociale. Janë njerëz që kundërshtojnë disa pronarë, ndonëse janë vetë pronarë; njerëz që kanë humbur nga Rama dhe duan të humbasë edhe ai sa më parë; njerëz që nuk ndajnë të njëjtat orientime ndërkombëtare me të; por edhe të tjerë që e shohin largimin e tij si kusht për një rotacion të domosdoshëm politik e shoqëror.

Karagjozllëku

Protesta nuk meriton të mbulohet me një veladon humori qesharak, ku njerëz që ngjiten në skenë vetëm për t'u bërë meme marrin mikrofonin dhe i krijojnë hapësirë dëmtimit të saj.

Protesta ka tridhjetë ditë që zhvillohet. Vettingu i saj nuk ishte i nevojshëm në ditët e para, sepse duhej ruajtur fryma e unifikimit. Tani, megjithatë, ka ardhur momenti për pastrim. Përndryshe, pushteti do të bëjë atë që di të bëjë më mire, do të vendosë në shënjestër gjithë "karagjozllëkun" e protestës për të baltosur qytetarinë e saj, e cila është shumë më e madhe sesa ata që prodhojnë zhurmë.

E fundit

Përtej gjithçkaje që do të ndodhë në fund të kësaj historie, lëvizja e "Flamingove" është, pa më të voglin dyshim, një formë evoluimi shoqëror. Sidomos kur sheh botëkuptimin e brezit të ri dhe revoltën e tyre për të mos menduar njësoj.

Ajo sjell një perspektivë të re, si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Dhe ndoshta ky është ndryshimi më thelbësor që ka prodhuar kjo lëvizje, ka aktivizuar një brez që deri dje kishte zgjedhur indiferencën ndaj angazhimit politik dhe votës.

 

2 Komente

  1. A
    Analist

    Shkrim koti mos harxho kohe.

    Përgjigjjuni
    1. H
      Haka Tekizoti

      "Pa dyshim, protesta është një formë e evoluimit shoqëror..." Ky është një pohim për të qenë brenda, se s'i dihet. Epo, të ndodhë evoluimi shoqëror me import-eksport, dmth me urdhër nga jashtë, njëlloj i eksportimi i demokracisë apo revulucioneve, kjo është disi qesharake. Protesta është kryekëput ndërhyrje e të huajve në punët e brendshme Shqipërisë dhe, dihet, një ndërhyrje e tillë nuk mund të gjejë mbështetje pa patur si lëndë të parë ca shërbëtorë të të huajve të paguar mirë dhe ca të pakënaqur që janë të gatshëm edhe pavetëdije të bëhen të përdorshëm.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje