Nëse Oppenheimer u përqendrua te dilemat morale të shpikjes së bombës atomike, filmi i fundit i regjisorit fitues të Oscarit, Christopher Nolan, po përballet me një lloj shpërthimi tjetër: atë të polemikave sociale dhe politike. Adaptimi i epikës së Homerit, Odisea, i cili u publikua në korrik, është shndërruar në filmin më të debatuar të vitit, duke tërhequr ndaj vetes një mori ankesash që variojnë nga përzgjedhja e aktorëve (casting) deri tek stili i dialogëve.
Kontradiktat e “Casting-ut”, nga Helena e Trojës tek aktorët transgjinorë
Pjesa dërrmuese e zhurmës mediatike buron nga një “frikë” konservatore se interpretimi i Nolan është tepër liberal. Kritikat u përqendruan në disa zgjedhje artistike.
Përzgjedhja e aktores me ngjyrë Lupita Nyong’o për rolin e Helenës së Trojës (e përshkruar nga Homeri si “me krahë të bardhë”) nxiti reagime të ashpra nga figura të krahut të djathtë, si Matt Walsh dhe Elon Musk.
Përfshirja e aktorit transgjinor Elliot Page dhe reperit Travis Scott për role të caktuara mitologjike u kritikua si një devijim nga “autenticiteti” historik.
Megjithatë, ekspertët e letërsisë antikë kanë një tjetër këndvështrim. Prof. Daniel Mendelsohn e ka cilësuar debatin si “qesharak”, duke vënë në dukje se Helena ka një rol shumë të vogël në poemë. Nga ana tjetër, aktorja Lupita Nyong’o u përgjigj shkurt dhe qartë: “Kjo është një histori mitologjike. Kasti ynë është përfaqësues i botës.”

Realizëm apo modernitet, pse “tërbuan” thekset amerikane?
Një tjetër pikë kritike në mediat sociale ishte përdorimi i thekseve amerikane dhe bisedave moderne. Komentuesit në internet shprehën pakënaqësi kur dëgjuan Tom Hollandin të fliste me zërin e tij të Spider-Man në rolin e Telemakut, duke kërkuar që epikat me shpata dhe perëndi të tingëllojnë medoemos “madhështore dhe angleze”.
Por, siç shpjegon prof. Susan Deacy, kjo nuk është çështje saktësie historike:
“Thekset britanike në epikat historike mund të duken të sakta për shkak të një tradite të gjatë kinematografike, jo sepse janë më afër të folurit të greqishtes së lashtë. Odisea ishte një shfaqje gojore dhe argëtim popullor, jo një tekst i ngurtë kanonik.”
Tom Shone, autor i librit The Nolan Variations, beson se arsyeja pse Odisea po shkakton kaq shumë zemërim është se Nolan shihet si një figurë “Rorschach” – një regjisor ku ideologjitë janë komplekse.
Pse po ndodh kjo? Njerëzit që më parë kishin përvetësuar trilogjinë e Batmanit si një simbol të djathtë, tani ndihen “të tradhtuar” nga një Odisea që duket më progresive.
Nolan nuk ndjek rregullat e zhanrit. Qasja e tij sfiduese mund të duket si “sakrilegj” kur aplikohet ndaj një teksti kaq të nderuar sa vepra e Homerit.
Në fund të fundit, polemikat duket se kanë funksionuar si një “reklamë” e paqëllimtë. Odisea përmban gjithçka që e bën një film të suksesshëm: shkallë kolosale, kompleksitet dhe një individualitet të pakompromis. Pavarësisht nëse kritikohet për ndryshimet e kastit apo për gjuhën e përdorur, zhurma përreth filmit është prova se publiku është ende i magjepsur nga mitet e lashta, ndoshta pikërisht sepse ato vazhdojnë të pasqyrojnë tensionet e kohës sonë. /RTSH/
Lini një Përgjigje