Konferenca e krerëve të drejtësisë: si të zgjidhim problemin që e krijuam vetë?

29 Qershor 2026, 11:40Blog Nga Ylli Manjani

Ka një ironi që nuk kalon pa u vënë re. Pas vitesh në të cilat dosjet “sekrete” kanë gjetur rrugën për në ekranet televizive shumë më shpejt sesa në sallat e gjyqit, krerët e drejtësisë mblidhen në konferencë për të diskutuar… si ta menaxhojnë median.

Pak a shumë është si të hapësh rubinetin, të përmbytësh shtëpinë dhe pastaj të organizosh një simpozium shkencor mbi mënyrat e tharjes së parketit.

Problemi nuk fillon te media. Media është bërë pjesë e mekanizmit sepse sistemi ia ka lënë derën hapur. Për vite me radhë, publiku është njohur me proceset penale jo nga seancat gjyqësore, por nga copëza përgjimesh, procesverbale, masa sigurimi dhe materiale hetimore që, çuditërisht, gjejnë rrugën drejt kamerave. Gjithmonë anonimisht, gjithmonë “nga burime”, por pothuajse gjithmonë në një drejtim: në favor të akuzës.

Dhe tani, pasi është ndërtuar një kulturë ku gjyqi zhvillohet fillimisht në studio televizive e më pas në gjykatë, na thuhet se problemi qenkan mediat.

Jo. Problemi është drejtësia që ka lejuar të zëvendësohet procesi gjyqësor me procesin mediatik.

Në shumë raste, gjyqi real nuk zhvillohet në sallën e gjyqit. Ai zhvillohet në dhomën e këshillimit, aty ku mbrojtja nuk hyn dot dhe ku, shpesh, krijohet përshtypja se gjykata “këshillohet” shumë më tepër me prokurorin sesa me parimin e barazisë së armëve.

Ndërkohë, jashtë godinës, gazetari i kronikës ka marrë tashmë vendimin. Ai ka publikuar dosjen, ka intervistuar “burime pranë hetimit”, ka ndërtuar narrativën dhe, pa dashur ose duke dashur, ka prodhuar dënimin publik shumë përpara se të dëgjohet fjala e parë e mbrojtjes.

Në këtë realitet, krahasimi mes gjyqtarit të epokës së “drejtësisë së re” dhe gazetarit të kronikës është thuajse i dhimbshëm. Ky i fundit, praktikisht, rezulton më i fuqishëm. Ai formëson bindjen publike, ndërsa gjyqtari, jo rrallë, duket sikur administron pasojat e saj.

Kjo nuk është epërsi e medias. Është dorëzim i drejtësisë.

Në vend që të diskutohet si të kufizohet media, ndoshta konferenca duhej të niste me një pyetje shumë më të thjeshtë: si ndalohen rrjedhjet e dosjeve? Kush i nxjerr? Kush mban përgjegjësi? Pse nuk ndëshkohet askush? Derisa këtyre pyetjeve t’u jepet përgjigje, çdo debat mbi etikën e medias tingëllon si përpjekje për të shëruar simptomën duke ushqyer sëmundjen.

Por mbi të gjitha, drejtësia ka një detyrë shumë më të rëndësishme: të ç’prokurorizojë sistemin.

Një sistem ku prokurori perceptohet si boshti rreth të cilit sillet gjithçka nuk mund të prodhojë barazi procesuale. Drejtësia fillon aty ku prokurori dhe mbrojtja hyjnë në sallën e gjyqit si palë të barabarta dhe ku gjykatësi nuk është administrues i kërkesave të njërës palë, por garant i procesit.

Na duhet një drejtësi që gjykon në sallë dhe jo në korridore; që vendos mbi prova dhe jo mbi tituj kronikash; që respekton prezumimin e pafajësisë dhe nuk e sheh atë si një formalitet kushtetues pa vlerë praktike.

Procesi duhet të jetë publik aq sa e lejon ligji dhe dinjiteti njerëzor, sepse transparenca ndërtohet me gjyqe të hapura, jo me dosje të rrjedhura.

Konferenca që presim nuk është ajo ku diskutohet si të vihet fre medias. Është ajo ku drejtësia pranon se nuk mund të ketë proces të rregullt për sa kohë vendimet mediatike me “formë të prerë” paraprijnë vendimet gjyqësore.

Sepse revolucionet kanë një ves: në fillim premtojnë drejtësi të shpejtë, më pas prodhojnë gjyqe popullore. Dhe kur gjyqet popullore bëhen normë, gjykatat rrezikojnë të mbeten vetëm zyra që vulosin atë që është vendosur tashmë në ekran.

Një shtet i së drejtës nuk ka nevojë për revolucion permanent. Ka nevojë për gjykata që flasin me vendime, jo me rrjedhje dosjesh. Dhe për media që informon mbi procesin, jo që e zëvendëson atë. Vetëm atëherë drejtësia nuk do ta shohë më median si problem, sepse nuk do ta ketë përdorur më si zgjatim të vetes.

6 Komente

  1. L
    Ladi

    Qarte, sakte, shterues dhe gishti mbi plage. Edhe prokuroret e Dulles i kane zili keta te sotmit.

    Përgjigjjuni
    1. L
      Loni

      Tema po le nam duke na nxjerre ministrin e Ilir Metes cdo dite qe te na jape mend neve. Ky ka qene pjese e qeverise qe e ka lene Shqiperine ne kete situate. Pse mor Manjan nuk na i thoje keto gjera kur ishe minister? Ti vete i ke bere ligjet sipas interesit tend e te Ramse.

      Përgjigjjuni
      1. Q
        Qazimi

        Lono, nuk e make men, iku Manjani para se me u bo reforma, e hoqi palloshi gjate. Jo se naj burre i vecante Manjani, por te pakten dy gjona tamom po i thote, ose ti Lono ske pas naj halle neper gjykata, me naj prone apo naj budallik, ene ta shofesh pastaj si fillo dasma sot ene maro mas 15 vitesh.

        Përgjigjjuni
        1. h
          hila

          Prokuroret e sotem jane me te keqij se prokuroret e Dulles! Pse? Sepse prokuroret e Dulles ishin te detyruar me ligj te banin sic thote dulla, kurse prokuroret e sotem, nxiten nga interesi per perfitime personale, per inate, per simpati ose empati, dhe aspak nga ligji.Ligjin e argumentojne si u do qejfi e sipas interesit tyre. Sekuestrojne me dallime per persona te ndryshem, veprojne ndryshe per raste te njejta ose te ngjashme, diskretitojne e lincojne permes mediave te lidhura me to etj. Po si nje prokuror apo gjygjtar i emrum jasht ligjit, pa specializim perkates por me miqesi munde te japi drejtesi????? O Tmpo O More.

          Përgjigjjuni
      2. N
        Noci

        Kjo menyre drejtesise siç shprehet z Manjani ka filluar menjeherë pas reformës,ku prokurori ështe primari njelloj si ne kohen e Enverit,kur u hoq avokati dhe gazetari bashke me TV,jane para gjykatës qe ben siç thote prokurori me TV dhe gazetaret e ngarkuar nga prokurori.Per mendimin tim prokuroret ose jane te marre ne akute dhe hetim,ose veprojnë politikisht dhe sidomos ky grupi i pare i Spakut qe kane bashkëjetuar me çdo rast te ndodhur dhe sot nuk duan t'i gjykojnë me.Ndoshta magjistaret e rinj nuk di t'i mend keto ngarkesa dhe shpetojne edhe gjykatat

        Përgjigjjuni
        1. l
          loni pre betoni

          Nuk ka drejtesi me prokurore te vendosun me mik, shpellare, lodraxhij e interesxhij si ne Sqiperi.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje