Mbi 260 subjekte përfitojnë nga falja doganore, ekspertët: Kujdes afatet

28 Qershor 2026, 12:40Ekonomia TEMA
Mbi 260 subjekte përfitojnë nga falja doganore, ekspertët: Kujdes

Pas filllimit të faljes me kusht dhe pa kusht që nga qershori të detyrimeve tatimore të papaguara edhe për ato doganore po veprohet në njëjtën mënyrë.

Mbi 260 subjekte kanë përfituar deri tani nga falja e detyrimeve doganore të papaguara, ndërsa vlera e detyrimeve të fshira ka arritur në 505 milionë lekë. 

Megjithëse ligji krijon lehtësi për bizneset, ekspertët fiskal që janë në kontakt me bizneset vërejnë se një pjesë e subjekteve po tregohen neglizhente në ndjekjen e procedurave të nevojshme për të përfituar nga falja.

“Një nga keqkuptimet më të shpeshta është bindja se falja realizohet automatikisht për të gjitha rastet. Në fakt, bizneset që kanë deklarata të padorëzuara nga periudhat e mëparshme duhet t’i plotësojnë këto detyrime procedurale, në të kundërt rrezikojnë të mos përfitojnë nga skemat lehtësuese të parashikuara në ligj”, tha Etleva Treska-eksperte fiskale.

Afatet mbeten elementi më i rëndësishëm për përfitimin nga falja fiskale. Për detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet fshirja automatike. Ndërkohë, për detyrimet e periudhës 2015-2019, bizneset kanë mundësi të përfitojnë nga falja e një pjese të detyrimeve nëse respektojnë afatet e pagesës së principalit, ndërsa për detyrimet e viteve 2020-2024 mund të përfitojnë nga fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave pas shlyerjes së plotë të detyrimit kryesor.

Ekspertët këshillojnë bizneset të verifikojnë situatën e tyre tatimore dhe doganore dhe të veprojnë brenda afateve të përcaktuara.

“Bizneset përballë një problematike të tillë sduhet të harrojnë që ka afate që duhen respektuar sidomos për ato deri në 30 qershor përndryshe do të humbasinë mundësinë.”

Degët tatimore dhe doganore do të vijojnë evidentimin e rasteve përfituese deri në fund të vitit 2026. Përtej detyrimeve të papaguara doganore deri më tani janë fshirë pa kusht mbi 306 mln euro detyrime tatimore.

 

Lini një Përgjigje