43% e investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme

27 Qershor 2026, 18:50Ekonomia TEMA
43% e investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme

Investimet e huaja direkte në sektorin e pasurive të paluajtshme arritën në 404 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti, rreth 12% më shumë se një vit më parë. Ky sektor mban edhe peshën kryesore të investimeve të huaja, me 43% të totalit, i ndjekur nga ndërmjetësimi financiar me 17% dhe energjetika me 9%.

“Në vetvete rritja e investimeve të huaja është një tregues pozitiv, por përqendrimi kaq i madh tek pasuritë e paluajtshme nuk i shërben diversifikimit të ekonomisë. Shqipëria ka nevojë për investime cilësore që të mbështesin prodhimin dhe sektorët me vlerë të shtuar”, thotë eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj.


Në të njëjtën kohë është rritur edhe kapitali që bizneset dhe individët shqiptarë investojnë jashtë vendit. Në tremujorin e parë, investimet jashtë arritën në 240 milionë euro. Edhe pse më të ulëta se një vit më parë, ato mbeten ndjeshëm mbi nivelet e vitit 2021, ndërsa orientohen kryesisht drejt pronave, depozitave bankare dhe bizneseve.

“Kur kapitali largohet për të blerë asete jashtë vendit, ai u mungon sektorëve që ekonomia shqiptare ka më shumë nevojë të zhvillojë. Politikat fiskale që nxisin investimet prodhuese dhe rritja e transparencës mbi pronësinë e kompanive janë thelbësore. Përndryshe ekonomia mbetet e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme dhe humbet mundësinë për të krijuar një bazë më të fortë prodhuese”, shton eksperti.


Ekspertët vlerësojnë se sfida nuk është vetëm tërheqja e kapitalit të huaj, por orientimi i tij drejt industrisë, teknologjisë dhe sektorëve që rrisin produktivitetin, në mënyrë që një pjesë më e madhe e kapitalit të mbetet dhe të gjenerojë zhvillim brenda ekonomisë shqiptare.

 

 

3 Komente

  1. k
    k

    Sa çudi që të gjitha investimet e huaja bëhen vetëm në apartamente ? Përse askush nuk investon në industri,bujqësi apo sektorë të tjerë ekonomikë. Mban pak erë çështja.

    Përgjigjjuni
    1. D
      Detari

      te huaja = leku droges

      Përgjigjjuni
      1. B
        Ben

        Nuk quhen investime keto o njerez! Keto nuk hapin vende pune!

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje