Transporti urban përjashtohet nga detyrimi për të mundësuar pagesa me kartë bankare. Ministria e Financave përmes një letre dërguar kompanive i ka sqaruar se urbanët brenda qytetit nuk janë të detyruar të lëshojnë faturë të fiskalizuar, dhe për këtë arsye janë të përjashtuar nga detyrimi për të instaluar terminalet POS për të mundësuar pagesa me kartë.
Ministria thotë se operatorët e transportit urban nuk kanë detyrim për pagesat me kartë për shkak të pajisjes së menjëhershme me biletë ose abone të pasagjerëve.
“Rezulton se operatorët e transportit publik urban brenda qytetit (autobusët), duke qenë të përjashtuar nga detyrimi për të lëshuar dhe fiskalizuar fatura për furnizimet që kryejnë, nëse bileta ose aboneja u jepet pasagjerëve direkt nga drejtuesi i mjetit ose nga një person autorizuar, rrjedhimisht janë të përjashtuar edhe nga detyrimi ligjor për t'u pajisur me terminal "POS/POI” në çdo pikë shitjeje, në rastin konkret në çdo autobus urban individual, që operon brenda qytetit”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Brenda 30 majit të gjitha subjektet që operonin në sektorin e transportit dhe ato të strukturave akomoduese kishin si detyrim të instalonin në biznesin e tyre edhe pajisjet për të lejuar pagesat me kartë. Por ky detyrim u kundërshtua nga operatorët e transportit për shkak të kostove dhe konfuzionit që u krijua për mënyrën se si do të funksiononte.
Lini një Përgjigje