Doganat fshijnë 505 milionë lekë detyrime të papaguara - Ligji i faljes/ 264 subjekte përfituan nga skema. Procesi vijon deri në fund të vitit

27 Qershor 2026, 16:10Ekonomia TEMA
Doganat fshijnë 505 milionë lekë detyrime të papaguara -

Deri më tani, 264 subjekte kanë përfituar nga falja e detyrimeve doganore që kishin mbetur të papaguara deri në fund të vitit 2014. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, 505 milionë lekë rezultojnë të jenë fshirë.


Për detyrimet e papaguara deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet fshirja automatike e detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave përkatëse.

Për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 2015–2019, subjektet mund të zgjedhin ndërmjet dy alternativave: pagesën e 50% të principalit brenda datës 30 qershor 2026, duke përfituar faljen e pjesës tjetër të detyrimit dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave; ose pagesën e 75% të principalit brenda datës 31 dhjetor 2026, duke përfituar faljen e 25% të mbetur dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave.

Për detyrimet e periudhës 2020–2024, fshihen gjobat dhe kamatëvonesat në rast se paguhet i plotë detyrimi kryesor brenda datës 31 dhjetor 2026.

Në kuadër të këtij procesi, administrata doganore do të vijojë evidentimin dhe trajtimin e detyrimeve të papaguara sipas periudhave përkatëse, duke u krijuar subjekteve mundësinë për të përfituar nga fshirja ose shuarja e një pjese të detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave. Degët doganore do të vazhdojnë evidentimin e rasteve përfituese deri më 31 dhjetor 2026.

Zbatimi i këtij ligji synon të lehtësojë barrën financiare për bizneset, të nxisë formalizimin dhe të krijojë mundësi për mbylljen e detyrimeve të prapambetura nëpërmjet procedurave lehtësuese të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

2 Komente

  1. d
    deri kur?

    Diaboliku i surrelit, per te mbrojtur karrigen, vazhdon te funksionoje me te gjitha format e tij djallezore.

    Përgjigjjuni
    1. p
      pjeter

      Bravo, pune te perkryer!! Ata qe e idealizuan dhe e aplikuan kete faljen e borxheve, e kuptoine se c'fare do ndodhi pas disa vitesh? Borxhi do filloje perseri, edhe me i madh, dhe me subjekte te tjera, eshte me se e sugurte, sepse me gjithe kete reklame qe i beni ju, do shtohen subjektet me borxhe, sepse kane leverdi, kane nje garanci, nje dite do vijne faljet!! Dhe e dini se si ndihen ata paguajne detyrimet, respektojne rregullat e bisnesit, ata te ndershmitme nje fjale me keto faljet per borxhlinjete? Idiote komplet.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje