Një çift turistësh, që kishte mbetur i bllokuar në Kanionin e Gjipesë, sepse njëri prej tyre kishte thyer këmbën, është shpëtuar këtë të diel pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, policisë dhe ekipit të urgjencës.
Lajmin e ka bërë të ditur Vangjel Tavo, kryetar i Bashkisë së Himarës.
Sipas tij, sapo u mor njoftimi për bllokimin e çiftit, në zonë u nisën zjarrfikësit e Himarës, efektivët e Policisë së Himarës dhe Postës së Dhërmiut, si edhe ekipi i Urgjencës Mjekësore të Spitalit të Himarës.
Pas ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit u bë e mundur nxjerrja e dy turistëve nga kanioni. Burri i plagosur u transportua më pas në spital për të marrë mjekim.
Tavo kujton se Kanioni i Gjipesë është një zonë me rrezik dhe se nuk është hera e parë që turistë, vendas apo të huaj, pësojnë aksidente. Ai u bën apel vizitorëve të shmangin zonat e pashenjuara dhe të konsultohen me guida, pasi aksidente të tilla mund të kenë pasoja të rënda.
PO VINI DHE TABELA ,PER RREZIKUN.