Interes nga Ekuadori e Turqia për kriptot që sekuestroi SPAK

27 Qershor 2026, 20:10Kronika TEMA
Interes nga Ekuadori e Turqia për kriptot që sekuestroi SPAK

Milionat në kriptovaluta që sekuestroi Prokuroria e Posaçme në kuadër të një hetimi penal në vitin 2024, kanë sjellë në Shqipëri të huaj që kërkojnë informacion apo lirimin e tyre.

Tv Klan mëson se 40 kërkesa për informacion i janë drejtuar SPAK për arsyet e bllokimit të portofolëve. Në 2 raste, një shtetas nga Ekuadori dhe një tjetër nga Turqia, kanë bërë kërkesë në Gjykatën e Posaçme për lirimin e tyre.


SPAK dyshon se portofolët me kriptovaluta, që shkonin në vlerën e 10 milionë dollarëve, janë të krijuar nga aktiviteti kriminal dhe përdoreshin për transferime në sistemin Hawala, pasi i ka gjetur të lidhura ato me llogaritë e Marklen Micit. Ky i fundit është i hetuar nga SPAK për pastrim parash si pjesë e një grupi kriminal.


Referuar dokumenteve që Tv Klan lexoi, shtetasi turk pretendon se prej vitesh merret me kriptovalutat dhe se në mënyrë të padrejtë i janë bllokuar 2.7 milionë dollarë, teksa transaksionet me shtetasin Marklen Mici janë afro 300 mijë dollarë.


Të njëjtën arsye para gjykatës në Shqipëri ngriti edhe shtetasi ekuadorian, i cili pretendoi se prej 4 vitesh merrej me emetimin e kriptovalutave dhe përmes portofolëve të tij ka transaksione edhe me persona që nuk lidhen me Marklen Micin.


Por SPAK i kundërshtoi kërkesat e tyre, duke argumentuar para gjykatës, e cila vendosi t’i lërë ato në sekuestro, sa kohë që ata janë duke vijuar me hetimet për çdo transaksion që është kryer.

Lini një Përgjigje