Bllokimi i një faqeje interneti, ridrejtimi automatik në një version tjetër apo vendosja e kushteve të ndryshme të pagesës vetëm për shkak të shtetësisë ose vendbanimit të klientit pritet të ndalohet me ligj.
Qeveria ka hedhur për konsultim publik ndryshimet në ligjin “Për tregtinë elektronike”, të cilat synojnë parandalimin e të ashtuquajturit gjeobllokim të pajustifikuar. Sipas projektligjit, tregtarët nuk do të mund t’u kufizojnë klientëve aksesin në faqet apo aplikacionet e tyre dhe as t’i ridrejtojnë në një version tjetër pa pëlqimin e tyre të shprehur. Ndalohet gjithashtu vendosja e kushteve të ndryshme për blerjen e mallrave, përfitimin e shërbimeve elektronike apo kryerjen e pagesave, kur ky trajtim lidhet vetëm me shtetësinë, vendbanimin, llogarinë bankare apo vendin ku është lëshuar karta e klientit.
Megjithatë, bizneset nuk do të detyrohen të ofrojnë dërgesa ose shërbime në çdo shtet. Ligji synon të ndalojë vetëm diskriminimin e pajustifikuar në zonat ku tregtari tashmë operon ose ofron shërbime. Përjashtime parashikohen në rastet kur kufizimi kërkohet nga ligji, si edhe për disa shërbime që lidhen me të drejtat e autorit. Zbatimi i këtyre rregullave do të mbikëqyret nga autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit, ndërsa qytetarët do të mund të kërkojnë ndihmë pranë pikave të zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve.
Ndryshimet synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me rregullat e Bashkimit Europian dhe lidhen me procesin e negociatave për Kapitullin 10, “Transformimi digjital dhe media”. Sipas relacionit, projektligji nuk parashikon kosto shtesë për buxhetin e shtetit, pasi zbatimi do t’u ngarkohet kryesisht strukturave ekzistuese.
Lini një Përgjigje