30 Qershori, afati për faljen me kusht të detyrimeve/ Tatimpaguesit paguajnë vetëm 50 % të principalit, përfitojnë dhe gjobat

30 Qershor 2026, 13:20Ekonomia TEMA
30 Qershori, afati për faljen me kusht të detyrimeve/ Tatimpaguesit

30 Qershori është afati i fundit për tatimpaguesit të cilët duan të përfitojnë nga falja me kusht e detyrimeve të prapambetura.


Administrata tatimore ka njoftuar tatimpaguesit përmes pop-up në llogaritë e tyre në e-Filing, të cilët mund t’u drejtohen Drejtorive Rajonale Tatimore për verifikimin e situatës së tyre financiare.

Për detyrimet tatimore që i përkasin periudhës 2015–2019, subjekteve u jepet mundësia e pagesës së  50% të detyrimit kryesor dhe nga ana tjetër përfitojnë fshirjen e 50% detyrimi principal të mbetur, si dhe faljen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave.

Po ashti,  për të përfituar nga ligji, deklaratat e padorëzuara deri më 31.12.2024 duhet të dorëzohen brenda datës 30 Qershor 2026.

Pas kësaj date, do të kenë mundësi që deri në Dhjetor të paguajnë 75 % të principalit dhe të përfitojnë 25 % falje.

Pagesat kryhen pranë bankave tregtare ose pranë Postës Shqiptare duke përdorur urdhërpagesën e gjeneruar nga llogaria e tatimpaguesit në sistemin e-Filing.

Tatimpaguesit, të cilët kanë marrë njoftimin e Administratës Tatimore se nuk plotësojnë kushtet për të përfituar nga Ligji i faljes, kanë të drejtë të kërkojnë rishikimin e rastit të tyre duke paraqitur një kërkesë/ankesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, të shoqëruar me dokumentacionin provues sipas rastit.

Konkrerisht tatimpaguesit duhet të paraqesin vërtetim të gjendjes gjyqësore; vërtetim të prokurorisë; vërtetim të gjykatës dhe çdo dokument tjetër provues të lëshuar nga autoritetet kompetente.

Ndërsa subjektet që preken nga neni 11 i ligjit duhet të paraqesin

çdo dokument provues, përfshirë vendim gjyqësor apo akt tjetër zyrtar që provon se për detyrimet e papaguara nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë dhënë në favor të administratës tatimore.

Në të njëjtën mënyrë do të depozitohen edhe kërkesat për heqje dorë nga e drejta e padisë/ankimit, sipas parashikimeve të ligjit, të depozituara paraprakisht nga tatimpaguesi pranë gjykatës kompetente.

Referuar të dhënave nga administrata tatimore, së fundmi  mbi 10,881 tatimpagues kanë përfituar nga fshirja/shuarja automatike e 4.8 milionë euro detyrimeve tatimore të papaguara, ndërsa 6,475 tatimpagues janë çregjistruar automatikisht, në përputhje me përcaktimet e Ligjit të Faljes.

Lini një Përgjigje