Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se qeveria synon të miratojë brenda këtij viti ligjin e ri për investimet strategjike, i cili do të harmonizohet me standardet e Bashkimit Evropian dhe do të synojë rritjen e sigurisë juridike për investitorët, si edhe nxitjen e investimeve në zonat më pak të zhvilluara të vendit.
Gjatë një deklarate për mediat, Ibrahimaj tha se aktualisht është duke u zhvilluar një analizë e legjislacionit dhe skemave mbështetëse të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, me synimin për të ndërtuar një paketë sa më konkurruese për tërheqjen e investimeve të huaja.
“Kemi marrë përsipër që brenda këtij viti të miratojmë ligjin e ri. Po punojmë për një analizë të të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian dhe incentivave që ato kanë, me qëllim nxitjen dhe tërheqjen e investimeve në vendet e tyre. Brenda verës nisim procesin e konsultimit për elementët e rinj të ligjit, që do të përqendrohen në rritjen e sigurisë juridike të investitorëve sipas standardeve të BE-së dhe në tërheqjen e investimeve në zonat e disavantazhuara”, deklaroi ministrja.
Sipas saj, një nga dokumentet kryesore është politika industriale, e cila do të fokusohet te zhvillimi i industrisë nxjerrëse dhe shfrytëzimi më efikas i potencialit minerar të Shqipërisë. Ibrahimaj theksoi se objektivi i qeverisë është krijimi i një mjedisi më të favorshëm për investitorët, duke rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe duke e afruar më tej me tregun evropian.
“Po punojmë për disa dokumente politike për zhvillimin e ardhshëm të ekonomisë së vendit. Një prej tyre është dokumenti për politikat industriale, i cili përqendrohet te lëndët minerale, pasi Shqipëria ka potencial të madh për të zhvilluar industrinë nxjerrëse. Synojmë që asetet dhe burimet që kemi t’i integrojmë në zinxhirin e vlerës së Bashkimit Evropian”, u shpreh Ibrahimaj.
Pse kane ngelur akoma prona ne Shqiperi per tua dhene miqve qe i quajme investitor strategjik?Edhe karagjozin Gaz Paja e bete investitor strategjik.Ky ishte dhe humori i radhes.Spaskeni turp qe vazhdoni me perallen e investitorit strategjik qe ne fakt eshte zaptues strategjik
Ja kalute edhe mbreteris se bashkuar .leku i albanistanit baraz me sterline.