Pas zhvillimeve të sotme para Kuvendit, Muli dha urdhër të merret protesta nën kontroll. Pas kësaj, grupet e WhatsApp-it të protestës u mbushën me deputetë të Partia Demokratike, të cilët filluan të diktojnë axhendën e mëtejshme të protestës.
U ndanë menjëherë detyrat. Klevisi u caktua te Komisariati nr. 1, dy të tjerë te Komisariati nr. 3 dhe te Komisariati nr. 2.
Grupi i zjarrit u urdhërua të fillojë përgatitjen e molotovëve dhe sonte në mbrëmje t’i ngarkojnë para Kryeministrisë.
-Kjo është dita jonë, i tha Muli, Lelos. O e marrim sot nën kontroll, o kurrë.
-Do vinte kjo ditë, tha Lelo. Na lodhën shumë me ato memet dhe parullat “Rama në burg, Berisha në burg”. Tani përfunduan vetë në burg, s’kanë ku shkojnë, tek ne do vijnë.
-Duhet të veprojmë menjëherë, tha Muli. Madje duhet të stimulojmë dhe arrestimin e njerëzve tanë. Se nuk ia vlen me shku në komisariat të nxjerrim ata komunistët nga burgu.
-Siç ka thënë Qazim Mulleti, me ndejtë tre ditë në burg dhe komunistët bëhen demokratë, tha Lelo.
-Ai ka thënë të kundërtën, tha Muli.
-E di, e di, por për analogji e thashë.
-Nga analogjia nuk marr vesh unë, tha Muli, por nga ideologjia kuptoj. Ata janë komunistë. Ne duhet të fusim në burg demokratët që të jenë ata heronjtë e revolucionit. Madje dhe ndonjë deputet. Klevisi për shembull është i përshtatshëm për atë punë se ia ka marrë dorën.
-Na duhen patjetër, tha Lelo, por heronjtë duhet të jenë besnikë të Doktorit, se pastaj bëhen heronj e fillojnë prapë “Berisha në burg”. Nuk kemi kohë të zhgënjehemi përsëri.
-Ke të drejtë, tha Muli. Ja, do t’u hedh një sy listave sot të caktoj kush do jenë heronjtë nga populli demokrat dhe kush do jenë heronjtë nga udhëheqja demokrate
Lini një Përgjigje