Muli në kërkim të protestuesve kundër Doktorit

29 Qershor 2026, 19:31Antena TEMA

Në protestën e djeshme ndodhi diçka e pazakontë. Dy nga folëset në tribunë e kishin me Doktorin. Vetëm me atë. Të dyja ishin të persekutuara politike dhe fajësonin Doktorin që i kishte zbrazur nga Shqipëria dhe i kishte lënë rrugëve.

Ndërkohë gjithë sheshi qe me njerëz të çuar nga Muli.

Pas kësaj vendosi të hetojë kush i jep këto udhëzimet për ata që do flasin.

-Më duhet t’i gjej patjetër, i tha Lelos. Se ti je në ato grupet e chat-it me to.

-Nuk të them dot saktë gjë, i tha Lelo. Këta të Qorrit e kanë mikrofonin. Zakonisht parrullat kundër Doktorit i japin këta të Qorrit. Parrullat kundër gazetarëve i jep ai i BIRN, parullat kundër biznesmenëve i jep Gon Shehaj. I kanë ndarë si sektorë.

-Atëherë ne e paskemi me këta të Qorrit betejën, tha Muli.

-Me atë e kemi, tha Lelo, po meqë Doktori ka thënë mos ta marrim seriozisht ato parrullat kundër tij, e kemi toleruar.

-Në asnjë mënyrë nuk e tolerojmë më, tha Muli. Çdo kush që del aty e flet kundër Doktorit duhet të marrë një mësim të mirë. Mjaft që na e ka bërë protestën si internacionalja komuniste, por rri shan dhe Doktorin.

-Këtu ke të drejtë, tha Lelo. Duhet ta shikojmë më seriozisht kush janë këta që shajnë Doktorin dhe t’i sqarojmë si duhet.

-Po vazhdoi kështu do na trajtojnë dhe si budallenj, i tha Muli. Ne ua mbushim sheshet, ata mbajnë mikrofonin e na shajnë. Po ku ka bythë të qëndrojë kjo? Po u përsërit më ajo skenë e nuk reaguam, kemi marrë fund.

Lini një Përgjigje